Kryesore
Humbja e PD, Nishani kundër Bashës: Sot duhej të merrje përgjegjësinë e dështimit prej 8 vitesh, partia s’është pronë e askujt
Ish-presidenti Bujar Nishani ka kritikuar qëndrimin e liderishit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pasi PD humbi sërish zgjedhjet dhe PS do të qeverisë e vetme në një mandat të tretë.
Në një postim në rrjetet sociale, Nishani e ka cilësuar rezultatin një zhgënjim dhe i kërkon Bashës që të marrë përgjegjësinë e dështimit prej 8 vitesh, pasi sipas tij partia s’është pronë e askujt.
“Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.
Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve !
Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak.
Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.
Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal !
Z. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh !
Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.
Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu.
Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve.
Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim !”, shkruan Nishani.