Kryesore
KLSH: 712 milionë euro dëm ekonomik nga shkeljet financiare dhe paligjshmëritë në 2020-n
Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri të ditur se nga 145 auditime janë evaduar të paktën 73 për vitin 2020 dhe dëmi ekonomik i konstatuar kap shifra të larta.
Referuar raportit ndarja është në dy zëra, ku i pari është dëmi ekonomik i konstatuar nga parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, që rezultoi në shumën totale 2,193,692 mijë lekë ose 17.7 milionë euro. Zëri i dytë është ai që lidhet me parregullsitë dhe paligjshmëritë me efekte negative.
“Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën 85,867,279 mijë lekë, afërsisht 694.1 milionë euro nga e cila: 11,376,401 mijë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 91.9 milionë euro dhe 74,490,878 mijë lekë afërsisht 602.2 milionë euro, në fushën e shpenzimeve.
Parregullsitë dhe paligjshmëritë e konstatuara, i referohen përdorimit të fondeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit publik shoqëruar me mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit, të cilat në shumë raste rezultojnë të realizuara jo në përputhje me kuadrin ligjor. Një zë i rëndësishëm janë edhe shkeljet e disiplinës buxhetore në likuidimin e faturave për shpenzime/investime, keqmenaxhimin e fondeve të programuara i cili është shoqëruar me krijimin e detyrimeve të prapambetura.” – thuhet në raport.
“Detyrimet e prapambetura nuk janë raportuar saktë”
KLSH konstaton se detyrimet e prapambetura që raportohen nga njësitë buxhetore nuk janë të sakta pasi jashtë tyre janë lënë një sërë aspektesh që rrisin këtë vlerë.
“Mbi raportimin e pasaktë të detyrimeve të prapambetura rezultoi se, stoku i detyrimeve të prapambetura i raportuar në bazë të vetë deklarimeve të njësive buxhetore në shumën 17,279 milion lekë, është jo i plotë dhe i saktë pasi konstatohen diferenca në raportimet e pagesave për detyrimet e prapambetura por edhe për shkak të mosraportimit të plotë nga ana e njësive buxhetore dhe jo në përputhje me Udhëzimet vjetore dhe VKM-në nr. 50, date 05.02.2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”, duke ndikuar kështu jo vetëm në deformimin e pasqyrave financiare, por edhe në nënvlerësimin e treguesit të deficitit buxhetor.
Kështu, përsëri KLSH-ja konstaton se nuk raportohen ose raportohen pjesërisht: -vendimet gjyqësore të formës së prerë në kundërshtim me nenin 61 të Ligjit nr. 9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Gjithashtu nuk janë raportuar si detyrime të prapambetura, detyrimet për vendime gjyqësore ndërkombëtare në kundërshtim me Udhëzimin nr. 5 datë 27/02/2014 “Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura”.
DPT nuk ka raportuar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë stokun e rimbursimit të TVSH-së.
-Teprica kreditore për tatim – fitimin vazhdon të mbetet e lartë dhe gjatë vitit 2019 duke krijuar një detyrim potencial për administratën tatimore i paraportuar si detyrim i prapambetur.
Në mënyrë të veçantë, edhe këtë vit, KLSH-ja ka audituar shpenzimet dhe detyrimet për vendimet gjyqësore për largime të padrejta nga puna, dhe theksuar përsëri rëndësinë e trajtimit të plotë të përgjegjësive në lidhje me vendimmarrjen me kosto financiare të largimit nga puna të nëpunësve publikë, në të njëjtën linjë me kërkesën e vazhdueshme për hartimin dhe miratimin e ligjit “Për përgjegjësinë materiale” thuhet në raportin e KLSH për aktivitetin gjatë vitit 2020.