Kryeministri Edi Rama bisedoi, mbrëmë, me gazetaren Ilva Tare, në emisionin Tonight.
Deklaratat kryesore të tij ishin:
Për protestën tek Parku i Liqenit
- Protesta është një muhabet në hava sepse sesa i ligjshëm apo i paligjshëm është ndërtimi, mund ta verifikoni lehtësisht sepse ka një dokumentacion përkatës.
- Patjetër [që do të ketë beton]. Ai është një park urban. Studioja, arkitekti që kanë konceptuar parkun, janë me reputacion ndërkombëtar.
- Është një maskaradë që nuk meriton asnjë minutë për të shpjeguar ka apo nuk ka pas një parku lodrash një konspiracion.
- Ky parku i lojërave është një diversant që po çan rrugën të vinë nga mbrapa këto kullat e mëdha, kjo është idiotësi.
- Policia shkoi të mbronte një kantier pune publike që është një kantier i financuar nga taksat e Tiranës dhe që nuk u takon as ambjentalistëve, as partive politike të vendosin ka të drejtë apo jo kryetari i zgjedhur me 50 mijë vota diferncë nga populli i Tiranës që të bëjë një park lojërash.
- Ambientalistët janë në drejtën e tyre të flenë në park, të gdhihen në park, të flasin për betonieret që numërojnë, të bilbilojnë bashkë me zogjtë e parkut për mosdakortësinë.
- Nuk është fare shqetësimi im ky [parku], sepse kam një praktikë rutinore, pyes në mënyrë të përjavshme popullin sovran përmes anketimeve shkencore që ne bëjmë.
Për Partinë Demokratike
- Ata janë shprehje e një situate të dëshpëruar të një opozite që nuk ka asnjë vizion, program, asnjë skuadër alternative dhe lidership jo e jo.
- Të jesh kryetar nuk do të thotë të jesh lider, të jesh kryetar nuk do të thotë të jesh domosdoshmërisht dikush që garanton një lidership për një forcë politike.
- Problemi është që nuk kemi opozitë, kemi një parti që tund gardhin e asgjësë.
- Ata janë njerëz të dëshpëruar, bëjnë vetëm gjëra të dëshpëruara. Ata janë shumë të vetëdijshëm se nga qershori i 2013 nuk kanë rritur asnjë pikë përqindje të popullaritetit. Janë të vetëdijshëm se nuk mund ta përballin këtë shumicë qeverisëse në betejën elektorale.
- PD ka ardhur në pushtet vetëm për një arsye se është çarë e majta. Nuk kanë pasur kurrë shumicën e votave. Ne jemi të pa sfiduar.
Për median
- Ju gazetarët nuk jeni asgjë.
- Nuk dënjoj t’i përgjigjem kësaj sajese.
- Ky është një konspiracion. Këto janë marrëzira, shpifje.
- Ju i thoni, i botoni, i komentoni, ju i merrni për të vërteta dhe pasj ne vimë këtu dhe duhet të përgjigjemi për fantazitë tuaja.
- Kjo është fantazi dhe spekulim.
- Këneta mediatike që prodhon dhe superprodhon historira të pakuptimta.
Për reformën në drejtësi
- Reforma në drejtësi ka ngecur tek Partia Demokratike, e cila nuk është një opozitë, por ka ngecur tek parku. Ne jemi gati kemi një pamje shumë të qartë falë Komisionit të Venecias.
- Unë ftova lidershipin e Partisë Demokratike; Lulzim Bashën apo Sali Berishën, nuk është ky problemi im.
- Ata që nuk vijnë në tavolinë, janë ata që nuk duan. Por ata [PD] do të vijnë këmba këmbës.
- Ky [diskutimi për reformën në drejtësi] bëhet nëse Partia Demokratike heq dorë nga gardhi.
- Ata e dinë që kush e aborton këtë reformë do të marrë një shpullë nga populli shqiptar, që do të jetë e pakrahasueshme deri më tani kur ka ndëshkuar një palë.
- Kjo kapja e sistemit të drejtësisë, që PD pretendon, është njësoj si kapja e lodrave në Park. Kjo është një përrallë.
- Janë 0 deputetë të Partisë Socialiste që preken nga ligjit i dekriminalizimit dhe asnjë kryetar bashkie që preket nga ligji më i ashpër në planet.
Për zgjedhjen e Presidentit
- [Presidenti] do të jetë një kandidat që do të diskutohet mes aleatëve, PS dhe LSI dhe patjetër do i prezantohet PD si një opsion konsensual për të marrë dhe votat e tyre. Presidetin do ta zgjedhim së bashku PS e LSI.
Për arritjet e qeverisë
- Jemi në një situatë ku gjërat kanë filluar të ndryshojnë seriozisht dhe këtë e thotë BB, FMN, organizma të tjerë ndërkombëtarë por sigurisht që kjo është beteja për një gjeneratë tjetër.
- Jemi në drejtimin e duhur. Sot kemi 171 mijë të punësuar më shumë në sektorin jo-bujqësor.Pra që figurojnë në librat e llogarive të shtetit si kontribues të shtuar, taksa, të siguruar nga pikëpamja shoqërore dhe shëndetësore.
- Lufta jonë është një luftë për të rimëkëmbur një shtëpi që fuste ujë nga të katër anët dhe ishte duke rënë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu