Radar
Artan Koni njofton tërheqjen nga Nisma Thurje: Ndryshuan shumë gjëra kur u kthye në parti politike

Mjeku Artan Koni pritej që të ishte kandidat i Nismës Thurje në Qarkun e Durrësit për zgjedhjet e 25 prillit, por kjo gjë nuk ndodhi.
Ai shprehet se është tërhequr nga Nisma Thurje, pasi sipas tij, te kjo lëvizje ndryshuan shumë gjëra pasi u kthye në një parti politike.
“Mendoja të kandidoja me Nismën Thurje. Mendoja para shumë muajsh. Kur ishte shoqëri civile. Kur u kthye në parti, pash që shumë gjëra ndryshuan dhe u tërhoqa. Mendoj se nuk është e përshtatshme për njerëz si unë”, tha Koni në News 24.
Në lidhje me procesin e vaksinimit, Koni tha se po përdoret nga mazhoranca për fushatë. Sipas tij, ora policore duhet hequr, pasi nuk ka asnjë lloj kuptimi, pas grumbullimeve nga partitë politike për fushatën elektorale.
“Vaksinimi si proces është i thjeshtë. Kjo përdoret për fushatë elektorale. Nuk e di përse duhet kamera. Fillimisht kishte skepticizëm për vaksinën Astra Zeneca, kurs etani po përdoret në mbarë Europën. Kemi anë pozitive se po vaksinohen më shumë njerëz dhe kemi anë negative, se po dalin më shumë persona nëpër rrugë. Është herët për të pasur përqindje suksesi për vaksinat. Vaksinat ulin riskun për sëmundjen. Të dyja dozat që marrim duhet të jenë të së njëjtës vaksinë. Gjithsesi, procesi i vaksinimit nisi shumë vonë.
Nga të dyja anët kemi papërgjegjshmëri. Mund të pritej që z. Basha të gjobitej. Kjo më ndodh mua, nëse nuk mbaj distancë, e lideri i opozitës del në rrugë me turma. Komiteti po sillet sikur jeton në hënë dhe jo në Shqipëri. Me këto mitingje, nga PS, PD, LSI, etj, unë mendoj se nuk ka asnjë vlerë ora policore. Ora policore duhet hequr, sepse me çfarë po shikojmë nuk ka vlerë. Në 12 të drekës, kur ka turma e marrin shumë vetë. Atëherë, i bie nuk ka asnjë vlerë.”, u shpreh Koni.