Aktualitet
Del në shitje Tirana Airport: Mund ta blejnë kinezët?
Tirana Airport Partners (TIA), kompania që ka një kontratë koncesionare për menaxhimin e aeroportit të Rinasit është në negociata për tu shitur, sipas burimeve nga institucionet shtetërore vendase.
Burime zyrtare nga TIA, të kontaktuar nga Monitor, nuk pranuan të bëjnë koment lidhur me këto negociata, ndërkohë që pohuan se janë shumë afër mbylljes së negociatave me qeverinë shqiptare për rishikimin e kontratës koncesionare.
Monitor ka mesuar se një kompani kineze, Fairmont Investment Group, është e interesuar për të blerë TIA, dhe negociatat po vijojnë prej disa kohësh.
Aktualisht pronarët e Tirana International Airport janë:
–DEG-Deutsche investitions-und Entëicklungsgesellschaft mbH-31.7%
–Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%
–AviAlliance GmbH-47%
Së fundmi, kompanitë kineze po shfaqin interes për tregun shqiptar.
Jeo Jade, një nga grupet më të mëdha të pavarura të energjisë kineze, njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje për të blerë kompaninë e prodhimit të naftës Bankers Petroleum, për një shumë prej 407 milionë dollarë.
Rishikimi i kontratës
Qeveria shqiptare në vitin 2004 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana Airport Partners”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese.
Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licensohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
Më tej thuhet se, do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash.
Prej disa vitesh, qeveria është ne negociata me koncesionarin për ndryshimin e kontratës dhe disa herë ka deklaruar zyrtarisht se negociatat janë mbyllur.
Ky eskluzivitet ka penguar hyrjen e kompanive me kosto të ulët në Shqipëri dhe ka bërë që vendi të ketë tarifat më të shtrenjta të biletave në rajon, duke bërë që shumë shqiptarë të zgjedhin aeroportet e Prishtinës, Podgoricës apo Shkupit drejt destinacioneve europiane./Monitor
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu