Kritike
Degradimi i Edi Ramës nga Satirist Politik në një Sa-ndyrist Plak
Nga Ermal Mulosmani
Prej dy ditësh, gjithë opinioni publik në Shqipëri, ka mbetur i shokuar nga shthurja totale e Kryeministrit. Një acarim kolektiv, të përmasave të tilla, është konstatuar vetëm në rastet ekstreme të inçesteve, pedofilive apo përdhunimeve maniake. Vetëm në raste të tilla, i madh e i vogël lëshohet në mallkime, sharje dhe thirrje barbare për ndëshkim. Por çfarë ndodhi që njerëzit u zhgënjyen kaq shumë nga gojështhurësia perverse e Atij që i qeveris? Çfarë e detyroi deri edhe Elisa Spiropalin, kanakaren e njohur të Kryeministrit, të deklaronte: “Nuk u ndjeva mirë”?!
Ngjarja skandaloze ndodhi në një nga transmetimet e përditëshme televizive, 3-4 orëshe, të Kryeministrit.
ERTV ishte lidhur me të gjitha stacionet televizive të mundshme shqiptare, shto këtu transmetimet online që kapnin dhjetëra mijëra ndjekës.
Megastari ynë televiziv, në një superdekor teknologjik e ndriçim llamburitës, kishte vendosur të krahasonte të përzgjedhurit e tij për deputetë me kundërshtarët, siç i quante ai “të fosilizuar”. Për këtë qëllim kishte seleksionuar foto nga të dy palët (kuptohet më të mirën e mundshme të socialistit dhe më denigruesen e mundshme të kundërshtarit) dhe pyeste auditorin që e ndiqte gojëhapur: “Do votoni kandidatin socialist apo këtë tjetrin këtu?”.
Kjo është një strategji që e bëjnë rëndom ndjekësit e Partisë Demokratike në rrjet. Zgjedhin foto të Lulzim Bashës me flokët pis me brilantinë, veshjen shik dhe pamjen elegante e shikimin vizionar e përballë tij vënë foton e Ramës duke bërtitur, hakërryer, tallur, lakuriq etj., etj. Kur e shikonim përditë nga militantët vinim buzën në gaz nga naiviteti fëmijëror dhe mungesa e fantazisë.
Dje, Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, i vetëquajtur pasues i Nolit dhe i Konicës, po imitonte një stil adoleshentësh pa fantazi. Sigurisht, Kryeministri Rama, nuk mund të linte pa sikterisur veset e kandidatëve kundërshtarë për të bërë pak diferencë me militantët e forumit rinor të PD-së.
Gjithçka ishte e pranueshme (le të themi kështu) derisa në ekran u shfaq foto e Grida Dumës. Ishte një foto nga ato që shkrepen qëllimisht, nga fotografët perversë, e cila, afronte mikrofonin te goja e hapur, një aludim i hapur i seksit oral. Të gjithë shtangën! Si mundet të degradonte Kryeministri deri këtu? Si ka mundësi që nxënësi i Konicës dhe Nolit të na servirte një vulgaritet neveritës për elegancë dhe për satirë politike? Mirëpo kjo nuk mjaftoi. Për çdo njeri që mund të ishte i pavëmendshëm, që nuk i kishte sytë në TV, Kryeministri shtoi edhe komentin: “Gridare Gridare Gridare oh oh oh”. (nga italishtja gridare-bërtet).
Të gjithë u pataksën. Mikrofoni i afruar maksimalisht në gojën e hapur, i shoqëruar me komentin kryeministror “bërtet, bërtet, bërtet oh oh oh” u soll si një satirë politike!!!
Çfarë ka ndodhur me Ramën? Pse ky degradim përtej çdo imagjinate? Pse gjuha e tij plot klas, që mahniste idhtarë e kundërshtarë, me hijeshinë e stilit dhe elegancën e lartë e njëkohësisht asgjësuese të kundërshtarit, ka degraduar në gjuhën e një gjyshi vulgar që i ka shteruar çdo fantazi?
Pardje Edi Rama u duk shumë i plakur, tej mase. Ishte si ato gratë e moshuara të cilat megjithëse në rini e kanë ruajtur sqimën, elegancën, stilin dhe sharmin (atëherë ishin qendra e vëmendjes mashkullore), në perëndim të mbretërimit të tyre lëshohen në gojështhurësi, në barcaleta vulgare plot nënkuptim dhe mendojnë se kjo do i bëjë ato interesante. Është hera e parë që ndjeva keqardhje për plakjen e një burri sharmant! Po, Edi Rama është plakur…
Në përpjekje për të justifikuar vulgaritetin e tij neveritës, Rama mbrëmë shkoi te Sokol Balla dhe e mbrojti të pambrojtshmen. Këmbëngulte se nuk sheh asgjë seksuale në atë kombinim fotoje dhe fjalësh vulgare:
“Nuk është faji im që ju shihni gjëra seksuale, faji është juaji”
Kjo sjellje prej gjimnazisti adoleshent nuk i ka hije Kryeministrit. Ajo pështirosje që bëri me prezantimin e nënës së një fëmije do ta ndjekë gjithë jetën si një harbut pa klas, si një sa-ndyrësi e llojit më të skajshëm. Si është ndier djali i Gridës kur ka parë atë përçudnim me nuance seksuale të hapura të nënës së tij në prani të gjithë shqiptarëve nga Kryeministri i Shqipërisë?! Shyqyr që nuk jam në lëkurën e tij!
Opozita duhet ta mëshirojë plakun Rama. Nuk duhet askush ta kundërshtojë, duhet ta lënë të shajë mbarë e prapë si lëneshë e harruar fshati. Nëse ata përgjigjen do të bien në nivelin e tij dhe aty pastaj janë të humbur. Edi Rama po e mban debatin në nivele vulgare pasi ka vështirësi të mëdha në përmbajtje. Si magjistari që përqendron gjithë vëmendjen te dora e majtë, ndërkohë që trukun e bën me dorën e djathtë, edhe Rama po përpiqet të marrë vëmendjen me vulgaritet për t’iu shmangur bilancit tetëvjeçar qeverisës. “Nuk keni parë asgjë akoma”,- na tha para tetë vitesh dhe ne shpresuam se çoç do shohim. Por, tetë vite kaluan dhe tani po shohim një plak që shan mbarë e prapë gjithë katundin…
Sa gjynah!