Pak minuta më vonë plumba mbi Zogun. Shpëton për herën e rradhës. Vdes adjutanti i tij Llesh Topallaj… … “Të ishe oficer shoqërimi me Zogun ishte njësoj sikur të ishe roje nate në një uzinë baruti, ku rreth e rrotull shkrepëtinin rrufe”. Ky ‘postulat’ i shkruar nga një prej biografëve më kokëftohtë të Mbretit Zog I, Bernd Fischer, mund të tregojë më së miri, sesa e rrezikshme ishte prania afër tij. Oficerit, që i atribuohet kjo shprehje, ishte njeriu i rradhës që e pësoi për të. Sikur të kishte qenë më pak i shëndoshë, adjutanti Topalli do jetonte edhe shumë vite të tjera me atë fizik që kishte. Në momentin e fundit, atentatori Gjeloshi u ngatërrua, ngaqë nuk e dinte që Zogu të ishte dobësuar aq shumë.
Në të gjitha rrethanat, që e shoqëruan jetën e tij, duhet thënë se ishmbreti i shqiptarëve ka qenë një qenie me shumë fat. Beqir Valterit, edhe nga afër, i dridhet dora në hyrje të parlamentit dhe e gërvisht pa ndonjë rrezik për jetën. Ishkapiteni i xhandarmërisë Azis Çami, që e qëllon sipër kokës i qetë, as nuk e prek fare. Vite më parë, tre të huaj varen në litar, pa mundur as t’i afrohen dhe të kryejnë atë që kanë marrë përsipër. Në njoftimet e kohës ka pafund rrethana, mtonjës dhe kërkues të vrasjes së tij. Por, askush me fat. Ahmet Zogu do pagëzohej shpejt me plumbin dhe më shumë akoma me pabesinë.
Me një karrierë brilante, pa arsimimin hierarkik, ai di të mbjellë armiq kudo. ”Avancimi i tij në pushtet ishte mbushur me vrasje, të cilat duke qenë se ishin më shumë të karakterit politik se personal nuk i nënshtroheshin Besës”, shprehet Fischer. Deri në vitin 1928, kohë kur ai do kishte mbi kokë kurorën mbretërore ka përballë 600 gjakmarrje. Disa prej tyre ishin nga familjet më të rëndësishme shqiptare. Ndër viktimat janë gjashtë bajraktarë të Mirditës, një numër priftërinjsh dhe shumë politikanë…
Historia i fshin sot këto. Qëllimi i të gjithë emigrantëve shqiptarë kudo më fund të viteve ’20, bashkohej në një pikë të vetme: që të vrisnin presidentin e atëhershëm. Eshtë pika e vetme, ku “Bashkimi Kombëtar”, “Shoqata e Pavarur e emigrantëve shqiptarë” dhe “KONARE” e Fan Nolit paqtoheshin… Atentati i parë Po të besosh Sejfi Vllamasin, atentati i pari, është shumë i hershëm. Atë e drejton baxhanaku i tij Xhevat Korça, që në atë kohë është anëtar i organizatës “Krahu Kombëtar”, bashkë me toger Hysen Nikolicën (mik dhe shoku i vjetër i Vllamasit, sepse kanë ndarë burgun më 22 maj 1906 në Manastir). Anëtarët e Krahut Kombëtar bëjnë një plan që do e realizojë Nikolica. E frenon Vllamasi, që në atë kohës është njeri i Zogut. “Unë e refuzova me indinjatë dhe e etiketova si akt tradhëtie me eliminimin e një njeriu që kishte bërë aq shumë për vendin…”, shprehet ai patetik në kujtimet e botuara vite më vonë. I dyti: 23 shkurt 1924 Deri në atë moment kur hapi befas derën, gjithshka dukej se po zhvillohej normalisht. I drithëruar, me nagantin në dorë, çuditërisht i qetë sytë i drejtoi mbi Opozitën, ku në vendin e zakonshëm kishin zënë vend si ngaherë Aqif Pasha, Qazim Koculi, Luigj Gurakuqi dhe Avni Rustemi. “Vazhdoni bisedimet, zoti kryetar, se këto janë gjana që ngjajnë kudo”.
Ishte 23 shkurt 1924 dhe si për dreq, që në mëngjez nuk ishte ndjerë mirë. Pak minuta më parë, një 17 vjeçar që ai e kishte ndihmuar dikur dhe mezi i kujtonte fytyrën, e kishte qëlluar pas shpine. Tashmë ishte ndryrë diku. Por në sallën, ku të gjithë rrinin të nemitur, nuk e dëgjonin zërin e matjanit nga Vinjali, që kishte studiuar në Italia me lekët e tij dhe që këndonte nga frika. Por çirrej më kot me këngë patriotike në banjon me rrogoza. Njësoj si ai, por me ulërima e të çjerrai përgjigjej kapiteni Osman Gazepi, për t’i bërë qejfin Zogut. Nuk e kishte të lehtë askush. Djali nuk jepej. Nga llahtari, mbase që e priste?! “Çdo gjë që të ketë ngjarë, neve na duhet të veprojmë sipas ligjit”, flet Gazepi, pak më vonë kopetent. Kur shikon se Zogu ishte mirë fillon pushkën. Gjithshka kishte ndodhur në pak minuta: “Valteri qëndronte në krye të shkallëve, kujton Vllamasi kur Zogu ngjitej për të ardhur në mbledhje dhe duke i bërtitur :’Qëndro Zog’ e qëlloi pas shpinte tre herë me revolver dy metro afër, duke i shkaktuar tre plagë të përcipta e të lehta dhe u fut në banjo. Edhe në këtë rast viktima është roja e tij e trupit, Abaz Dibra, tetar në xhandarmëri, djali më trim i eskortës së tij. Ajo që ndodh më pas është tmerr. Ushtarët e Osman Gazepit janë të rrethuar nga forcat e xhandarmërisë së Azis Çamit. Muharrem Bajrajktari ngjitet në xhaminë Sulejman pasha me njerëz të armatosur. Kundër tij janë xhandarët e Refik Toptanit…
Asambleja dërgon Koculin dhe Ali Këlcyrën për të këshilluar Beqir Valterin të dorëzohet dhe madje i garantojnë jetën…Mjekët nuk shikojnë fare rrezik për Zogun. Avni Rustemit i shkon gishti i fajtorit. Atentatori e pohon këtë, duke thënë se pushkët i ka marrë prej tij…Avni Rustemi plagoset pak javë më vonë nga një kriminel Jusuf Reçi në varrezat e saj kohe më 20 prill 1924. Sapo ishte ndarë me Hoxhë Kadrinë. Qëllohet në shpatull dhe vdes dalëngadalë në spital. Zogu nuk e harron lehtë fyerjen. Komploti i parë kundër tij Komploti i parë, ishte organizuar në Trieste më 1926, kur Teodor Vulkanof dhe Denko Abagjif, anëtarë të Komitetit Komuniste të Federatës Ballkanike, ishin takuar me një të takuar të Federatës, të quajtur Zankof dhe me Hasan Bej Prishtinën për një plan vrasje, citohet Fischer. Pas vrasjes së Zogut, Prishtina, me ndihmën e emigrantëve në Jugosllavi do të marshonte drejt Tiranës dhe do të merrte në dorë drejtimin e vendit…
Aksioni do të realizohej më 1927. Kuptohet se nuk ndodhi kështu. U tentua një ide tjetër shumë moderne: Kur presidenti do të ishte në vilën e tij të Durrësit, do t’i vendosnin bomba në një qoshe të lulishtes publike ose në kanalizimet e ujit. Ato do shpërtheheshin me rrymë elektrike nga një distancë e caktuar, duken si parerendëse të ISISit të sotëm. Do vihesh në funksion kur makina t’i afrohej vilës…
Konspiracioni dështoi. Tre të akuzuarit u varën, pavarësisht se prokuroria e kohës nuk e argumentoi dot fajin e tyre. Si për ironi të fatit, në kronikat e kohës, përmendet sesi një bullgar i ashtuquajtur Georgief, theu trikëmbëshin prej peshës. E rivarën. Mbreti, që atë ditë, pati një nga ditët më të këqia të jetës së tij nuk e fali këtë. E mendon qetë por edhe ashpër. Pak vite më vonë, Hasan Prishtina, do të jepte shpirt në Selanik. Mbrohet si pakkush Nuk ka më kohë. Bëhet i vetëdijshëm për nevojën e sigurimit të tij. Mbyllet në pallat duke punuar në një zyrë të tejnxehur, plot tym cigare. Tymos pa fund, në një rutinë torturuese për ata që e ndjekin. Ushqimi përgatitet vetëm nga e ëma, që ka funksione mbi atë të nikoqires së tij. Ajo drejton gjithçka dhe është këshilltari i parë i tij. Edhe vizitorin më të respektuar, Zogu e pret i ulur pas tryezës së punës duke e vështruar me kujdes “se mos ndërmerrte ndonjë lëvizje të papritur”. Mban një shami, ku fsheh poshtë një revolver, gati për të qëlluar. Në pak momente, që del nga pallati, shoqërohet nga e ëma. Në Kanun dënohet vrasja e gruas…Në gjah e ndjek një detashment i tërë kavalerie…Në udhëtimin e vetëm të gjatë më 1927 në kohën e presidencës përfundon në Shkodër me një makinë të blinduar. E gjithë rruga ka të numëruar gjysmën e ushtrisë së kohës, që e ruan. Në Durrës e pret gjithmonë një anije, që ruhet, që të largohet në rast rreziku….
Për Zogun, si e kanë njohur Pietro Kuaroni, një nga emisarët italianë në Shqipëri, duket i mrekulluar me të. “Flokë biondë, të çelët, pak të rrallë mbi ballë dhe në qafë, një hundë shqiponjë shumë të theksuar , mustaqe të vogla bionde, mjekrën paksa si të pjerrët, sy të kaltër të mrekullueshëm të tejpashëm, dhëmbë të bardhë dhe të rregullt, një buzëqeshje dhe ëmbëlsi e skajshme, një zë i hollë e tingëllues me ndryshime çuditërisht rinore, një qafë e gjatë dhe e hollë: në tërësi, pamje e një burri të ri mjaft timid…Shumë i hequr, trupmadh e i përpjestuar, e mbante bukur uniformën fushore ngjyrë kaki me prerje pak austriake. E pastaj, duart e tij, të hequra e të zhdërvjedhta, të ndjeshme e elegante… Asgjë tek ai nuk dëshmonte një sovran të pakkohshëm: pamja e tij e përgjithshme ishte jo vetëm e stërholluar, por pothuaj dekadente…”
Intermexo Por, para se të shkojë në Vjenë edhe italianët janë në kërkim. Serbët aludojnë se ai nuk e ka të gjatë. “Shëndeti i tij na preokuponte shumë dhe i trembeshim ndonjë kanceri në stomak. Kishim shumë frikë për ndonjë atentat të mundshëm. Vjena gëlonte në atë kohë nga emigrantët politikë shqiptarë, partizanë të Fan Nolit.
Ky atentat ndodhi në fakt, por nuk ishte akoma ora e Zogut. I zënë me masat që duheshin marrë për të mbajtur situatën në dorë, në rast të zhdukjes së mbretit, Soranja më kishte ngarkuar të bëja një lloj ankete, me qëllim që të analizoheshin mundësitë e ndryshme, shpjegon Kuaroni, duke e hapur gjeografinë e faktorëve që e duan vdekjen e tij. Rrethanat ndërkombëtare përjashtonin çdo ndërhyrje direkte: në rast nevoje, duhej kullundrisur vetëm me mjetet që kishim në dorë…”
20 shkurt 1931 Dhe, vjen dita. Në Vjenë, për atentatin e tij, jepen dy versione. Një i Sejfi Vllamasit. Ishmiku i tij është direkt i përfshirë në vrasjen e tij. Dhe, një tjetër, i Bernd Fisher. Ngjarjet janë në të njëjtin vend në Operan e Vjenës. Për Fisherin, ai shikon “Pagliaco” e Leoncavallos, ndërsa për Sejfiun “Aidën” e Verdit. Të dy kanë njësoj personazhet, veç Qazim Mulletit, që Fisheri nuk e përmend…Çuditërisht dënimet që thonë janë të ndryshme. Më ‘i besueshëm’ Vllamasi. ”Në mbrëmje e 20 shkurtit mbreti dhe disa prej njerëzve të tij po shikonin operan ‘Pagliacci’, rrëfen Fischer. Dolën nga një derë anësore dhe u largua pa mbaruar. Kishin dy makina. Në automobilin e parë u ngjit ai me Libohovën. Ndërkohë që adjutanti i vet po ngjitej në makinë dhe këshilltari i legatës shqiptare dhe të tjerë në makinën tjetër, dy shqiptarë shumë elegantë me kostume të shtrenjta e qëlluan. Austriaku që ishte me Zogun i sulmoi, por Azis Çami iu afrua makinës së Zogut dhe e qëlloi nga afër. Për fatin e tij të keq e pësoi majori Topallaj, që ishte i veshur me uniformë. E qëlluan dy herë pas koke…Edhe Libohova luftoi dhe u plagos, ndërsa një plumb i kishte përshkruar kapelen mbi kokë tejet. Dy vrasësit u kapën. Njëri ishte Ndok Gjeloshi dhe tjetri Azis Çami, emigrantë shqiptarë ish oficerë të xhandarmërisë. Gjeloshi kishte qenë me forcat e Princ Widit dhe dikur nxënës françeskan. Ai deklaroi se ishte antizogist dhe anëtar i Partisë Nacionaliste. Ishte arratisur pas ardhjes së Zogut nga Shqipëria në kohën, që ishte thjesht kapiten i forcave tokësore… “E qëlluam se ai është tradhtar i popullit shqiptar dhe e ka rrënuar vendin”, u shpreh Çami në gjyq. Kishte qenë dikur oficer në ushtrinë austriake në trupat kufitare. Larg patetizmit, shpejt u zbulua se të dy subvencionoheshin nga shqiptarët e Vjenës dhe Beogradi ..Gjyqi u bë në Ried në Austrinë e Veriut për arsye sigurie…sepse druheshin se Zogu mund ti ekzekutonte..atje. Një gjë të tillë kishte bërë me Bebin, vrasësin e kunatit të tij Ceno beut në Pragë. Angjelin Suma doli se ishte njeriu që e ka organizuar direkt, por edhe një njeri, që u vërtetua se ishte i lidhur me sllavët. E vërteta e sponsorit provohet më vonë edhe nga avokatët e tyre, që janë emra të klasit të parë: Dr. Pressburger dhe Dr. Friscauer… Edhe Vllamasi nuk e mohon dorën e serbëve, por shton se: vrasjen e kërkojnë shqiptarët nga e gjithë Evropa. Ikin të gjithë nga Austria dhe të gjithë anëtarët e “Bashkimit Kombëtar” bashkohen në Paris. Çuditërisht atje është sërish Markoviçi, konsulli serb i përfolur në afera jo të mira?! Beogradi shkurton subvencionin për emigrantët shqiptarë, sipas Vllamasit. Dy atentatorët lirohen. …
Epilog: Ajo që vijoi më pas dihet. Zogu mbretëroi dhe tetë vjet të tjera. Nga koka e tij mendohet se kanë dalë dhe urdhra të tjerë për të vrarë. Dalëngadalë, të gjithë personazhet e viteve ’20 dhe ’30 dalin nga skena. Shumë syresh shkojnë në errësirën e pasosun. Të tjerë hallakaten në labirinthet e ngatërruar të historisë shqiptare. Zogu, vetë, do jetonte deri në vitin 1961, duke i shpëtuar Luftës, komunistëve…por jo vdekjes natyrore
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu