Mix
7 librat e shkurtër të Letërsisë Botërore që të gjithë duhet të lexojmë
Librat janë pasuri, por me ritmin e jetës bashkëkohore, jo të gjithë kemi kohë për të lexuar romane me qindra faqe. Për këtë shkak kjo listë rendit 7 libra të cilat janë më pak se 200 faqe, por kanë një përmbajtje tërheqëse që do u mbajë të mbërthyer, si dhe mesazhe që do u bëjnë të mendoheni gjatë.
1. Metamorfoza – Franz Kafka
Përditshmëria na shndërron në njerëz metodikë dhe rutinorë derisa një ditë na shndërron… në një insekt. Historia e Kafkës është një denoncim brilant i situatës absurde që kemi marrë si të mirëqenë të jetës nga puna në shtëpi, pagim faturash dhe përsëri e njëjta. A jemi larguar nga natyre jonë humane? Zbulojeni vetë në faqet e kësaj vepre klasike.
2. I huaji – Alber Kamy
Një roman i shkurtër që ka krijuar shumë impakt dhe vlerësohet si një nga veprat primare të filozofisë ekzistencialiste të shekullit XX. Ngjarjet e jetës sonë janë të pakuptimta dhe tragjikja nuk përbën përjashtim, por është pjesë integrale e gjendjes normale të njeriut. Libri i shkurtër do u bëjë të mendoni gjatë për natyrën dhe fatin e njeriut që duket se vendosen në mënyrë arbitrare nga momente të befta dhe pa sens.
3. Kumarxhiu – Fjodor Dostojevksi
Një nga veset më të përhapura në botë janë lojërat e fatit dhe bota e tyre është sa intrigante, po aq fatale. Një libër që na fut në psikën e një njeriu të varur nga ruleta, mendimet e tij, mënyra si e interpreton dhe e justifikon varësinë e tij dhe perspektiva e tij për botën. Një rrëfim i përkryer nga një mjeshtër i letersisë botërore.
4. Perla – John Steinbeck
Një roman që eksploron aspektet e errëta të karakterit të njeriut si lakmia, sfida përkundrejt normave morale dhe dashakeqësia. Libri është adaptuar në disa filma dhe përveç mesazhit filozofik, është i përbërë nga një histori brilante që do u mbajë të mbërthyer përpara librit.
5. Ferma e Kafshëve – George Orwell
“Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat” – është shprehja që demaskon çdo revolucion që pretendon të sjellë barazinë absolute dhe në vend të saj sjell një tirani më të tmerrshme se ajo që zëvendësoi. Denoncimi komik, por jashtëzakonisht profetik i diktaturave komuniste që po lindnin në vitet kur po shkruante Orwell.
6. Manteli – Nikolai Gogol
Një histori e shkurtër e sakrificës së njeriut të thjeshtë për të pasur minimalen në jetë. Një sistem është ngritur rreth njeriut me qëllim për t’i vështirësuar jetën atij, që thjesht kërkon të mbijetojë… por, hakmarrje vjen, qoftë kjo edhe pas vdekjes. Një histori prekëse dhe shumë indikative e kastave sociale dhe organizimit të Rusisë cariste.
7. Himni – Ayn Rand
Një roman distopik që tregon një njerëzim që ka hyrë në një tjetër epokë të errët, ku arsyeja dhe individualizmi janë denoncuar si anti-vlera. Një shkencëtar i ri sjell dritën e arsyes dhe refuzon kufizimet e mendjengushtësisë të shoqërisë ku jeton. Një roman me mesazh shumë potent dhe i shkruajtur në një mënyrë tejet atraktive nga shkrimtarja ruso-amerikane Ayn Rand.