Temporal
Shqipëria, historia e tmerrshme e një vendi të mrekullueshëm
Der Standard
Deri në rënien e komunizmit Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Europës, në vitet 90-të ndoshta ishte vendi më i rrezikshëm. Sot ky vend i bogël i Ballkanit është i sigurt, stabil dhe falë infrastrukturës gjithnjë e më të mirë mund ë vizitohet lehtë edhe nga individët. Është një vend që do të duhej zbuluar shpejt para se të zbulohet prej hotelierëve, kompanive të lira ajrore dhe masave të turistëve. Kjo mund të ndodh shpejt duke pasur parasysh bukurinë e natyrës, trashëgiminë mbresëlënëse kulturore dhe përzemërsinë e njerëzve.
Shqipëria nuk mund të klasifikohet lehtë, përkundër territorit të vogël koloriti i saj është i jashtëzakonshëm; mes veriut të egër dhe jugut urban, rajoneve të pakalueshme malore në prapavijë dhe bregdetit pjesërisht të banuar dendur, rrënojave staliniste, prapambetjes fshatare dhe pallateve të reja prej xhami. Kësisoj, bën vaki që autostrada befas të shndërrohet në shteg me zall, që distanca mes modernes dhe mesjetës të mos jetë as 100 metra. Myslimanët jetojnë derë më derë me katolikët dhe ortodoksët – dhe kjo ndodh në një vend ku para një gjenerate me dekret ishte shpallur ateist.
Kush dëshiron ta zbulojë Shqipërinë nga veriu në jug, i duhen disa javë. Kush nuk ka aq shumë kohë, duhet të përcaktohet për një pjesë të vendit. Për ecje të gjata në bjeshkë, përtej civilizimit, shumica ecin në grupe të organizuara në të ashtuquajturat Alpe Shqiptare fare në cep të veriut të vendit. Por kush dëshiron të përjetojë të gjitha që i ofron Shqipëria, ai duhet të bëjë shëtitje në jug dhe – me atë rast – t’i ndërlidh tre mijë vjet histori e kulturë me bredhje idilike në parqet e shumta kombëtare dhe çlodhje në plazh. Kjo më së miri bëhet në pranverë apo në vjeshtë, kur në male nuk ka më borë dhe kur ende s’ka nisur vapa e verës. Kulmi kulturor i vendit janë Berati dhe Gjirokastra, qytete të cilat gjenden në listën e UNESCO-s të trashëgimisë botërore si dhe rrënojat greko-romake të Butrintit. Mes tyre gjenden disa prej trevave më të bukura të Ballkanit, të cilat më së miri zbulohen me veturë të cilën mund ta merrni me qira. Komunikacioni kryesisht është i durueshëm, shoferët të disiplinuar. Nuk është për t’u habitur: çdo e dyta veturë është Mercedes, për të cilin pronarë kanë kujdes.
Fluturimi nga Vjena në aeroportin e Tiranës zgjat një orë e gjysmë; aeroporti bart emrin e nobelistes Nëna Terezë e cila ka origjinë shqiptare. Vetura e rezervuar për t’u marrë me qira tashmë është gati, udhëtimi në qendër të qytetit ecën pa problem. Në krahasim me vende e tjera europiane hotelet janë të lira, po ashtu edhe ushqimi fantastik mesdhetar me ndikime greke, turke dhe italiane. Kujt ia mbërrin xhepi, ndalet në hotel Rogner, i cili qe 20 vjet është qendra e atyre shqiptarëve që ia mbajnë vetes se janë dikush.
Në Tiranë është mirë të kaloni një apo dy ditë, me disa muze përreth sheshit qendror Skënderbeu – Muzeu i madh Kombëtar dhe Galeria e Arteve me koleksionin e saj të pikturave absurde-staliniste -, me një xhami elegante dhe me lagjen e Bllokut, ish-getoja e kuadrove të Partisë Komuniste, ku tani zhvillohet jeta e natës.
Rrugës për në Berat mund të bëhet një ekskursion te Shpella e Pëllumbasit te e cila arrini duke ecur një orë nëpër kodër mbi një luginë të qetë lumi. Shpella është shumë e errët dhe 360 metra e thellë. Berati, qyteti i vjetër osman, «qyteti i një mijë dritareve», ofron një pamje të pakrahasueshme: shtëpitë renditen si në një galeri nga kodra teposhtë te lumi Osum, të dominuar nga një Kështjellë gjysmë e rrënuar mesjetare. Gjatë verës në lumë ofrohen xhiro raftingu, në malet përreth mund të bëhen shëtitje të bukura.
Por shtigjet më të bukura për te ecur në male gjendet në rajonin e Përmetit, ku mund të shkohet me veturë me katër diferencialë, po qe si shkoni rrugës së drejtpërdrejtë. Zakonisht duhet bërë një rrugë rreth e rrotull e cila ofron mundësinë për të vizituar Byllisin, qytetin antik iliro-grek që gjendet mbi luginë.
Qyteti i vogël i Përmetit viteve të kaluara është bërë qendër për bjeshkatari dhe rafting në lumin Vjosa. Tejet e bukur është ngjitja që zgjat disa orë në qafën e Dhembleit në 1500 metra lartësi mbidetare, prej nga mund të shihet lugina e Zagorisë që gjendet edhe më larg. Ajo mund të arrihet duke ecur disa ditë.
Kthimi në Përmet ofron një befasi të veçantë. Pak para së të arrijmë në luginë, nën një fshat malor, gjendet kisha e Shën Mërisë nga shekulli i 17-të. Shoqëruesi ynë, i cili banon këtu, merr çelësin e kishës te një fqinje dhe hap derën: muret janë fund e krye të stolisura me afreske shumëngjyrëshe të figurave fantastike. Ky xhevahir rastësisht i ka shpëtuar shkatërrimeve nën komunizëm. Burime të ujit mineral, një urë guri nga koha osmane dhe një kanjon, përmes të cilit gjatë verës mund të udhëtosh thellë në brendi të një parku kombëtar, janë atraksionet e tjera të trevës.
Gjirokastra, caku tjetër, gjendet si Berati në një kodër nën hijen e një kështjelle. Rrugicat e qytetit të vjetër janë edhe më të ngushta, shtëpitë disakatëshe të familjeve dikur të kamura – disa prej të cilave janë rinovuar me stil, të tjerët gati janë rrëzuar – janë shumë interesante. Më e mira gjendet nën dhe: në qytetin e lindjes të diktatorit shumëvjeçar Enver Hoxha u nderua një sistem tunelesh nëntokësore ku do të ishte tërhequr udhëheqja partiake në rast të luftës së pritshme. Në tunelet e gjata janë renditura një sërë dhomash me pamje të mjerë – një pasqyrë frikësuese e burokracisë së tmerrshme të asaj kohe.
Udhëtimi nga Gjirokastra në Butrint, i cili zgjat tri orë, mund të ndërpritet ne gjysmë të rrugës për një ekskursion të shkurtër te «Syri i Kaltër», siç quhet një burim uji. Mes lëpushave dhe bimëve ujore në sipërfaqen e një liqeni malor gurgullon një ujë blu në të gjelbër. Butrinti gjendet në një siujdhesë pak më të largët në zemër të një parku kombëtar dhe është vatër e ndërtimeve mbresëlënëse të para më shumë se dy mijë vjetëve. Kohën e lulëzimit e përjetoi falë klimës së freskët si vend çlodhjeje i romakëve të pasur. Gjatë verës Butrinti popullohet nga vizitorët që vijnë prej Korfuzi, ishullit të afërt grek; jashtë sezonit mes rrënojave mund të kalosh orë të tëra në qetësi.
Nga atje një rrugë e gjatë bregdetare të shpie te riviera shqiptare, lokalitetet e vogla të së cilës gjatë verës i vërshojnë para së gjithash vendasit dhe shqiptarët e diasporës. Çdo i dyti gji deti ka një kishë, një kështjellë apo një shteg për ecje. Pas Dhërmiut, lokalitetit më të njohur për pushime, rruga gjarpëron përpjetë Qafës së Llogarasë – një park kombëtar me hotele rustikale, prej të cilave mund të ndërmerren ecje deri në dy mijë metra lartësi mbidetare. Por edhe ngjitjet më të shkurta ofrojnë pamje madhështore në det, në ishujt e afërt grekë dhe, kur dukshmëria është e mirë, deri në Itali. Me këtë rast ngjallen kujtime nga koha e shkollës: këtu në vitin 48 para Krishtit u zhvilluan beteja të rëndësishme mes Cezarit dhe Pompeut.
Në veri të qafës terreni është sërish i rrafshët. Rrugës për në Tiranë gjendet edhe një qytet antik që patjetër duhet të vizitohet: qyteti port greko-romak Apollonia, i cili ka pësuar shumë gjatë shkatërrimeve të luftës dhe diktaturës në shekullin e 20-të. Plagët e historisë ndihen kudo në Shqipëri – edhe në tregimet e njerëzve me të cilët njihesh. Pikërisht kjo e bën këtë vend aq të dashur.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu