Kryesore
Mediu: Rama do të bëjë çmos për t’i manipuluar zgjedhjet e 25 prillit
Gjatë një takimi me shtabin elektoral të Njësisë Bashkiake Nr. 1 në Tiranë, kryetari i Partisë Republike, Fatmir Mediu, u shpreh se kryeministri Edi Rama do bëjë çmos për t’i manipuluar zgjedhjet.
”I ka vënë vetes një qëllim, që të jetë ai që kontrollon çdo gjë dhe nuk ka asnjë lloj problemi, që pushtetin e tij t’a vendosë mbi çdo gjë, dhe të përpiqet që nëpërmjet varfërisë, dhunës, përjashtimit, fyerjes, sharjes të kontrollojë shoqërinë dhe një pjesë ta bëjë të paaftë për të reaguar”,-tha kreu i PR-së.
Nga ana tjetër, Mediu theksoi se opozita duhet të kuptojë që detyra e parë e saj është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. ”Të mendojë që kjo fushatë është si gjithë fushatat e tjera, sikur jemi në Amerikë, apo jemi në një demokraci normale, do të ketë një gabim jashtëzakonisht të madh që do të ndëshkojë shqiptarët. Prandaj kjo kërkon një vigjilencë të jashtëzakonshme dhe vendimmarrja nuk mund të mbetet thjesht tek lidershipi politik, në zyrat e PR-së apo të PD-së, por në uljen dhe konkretizimin e çdo marrëdhënie me çdo individ. 30 vjet ne kemi qenë së bashku dhe vazhdojmë të jemi së bashku. Kemi qenë në momente të vështira, edhe në momente të qeverisjes, por ajo që na ka karakterizuar gjithë kohës, ka qenë një bashkëpunim për të maksimalizuar votën dhe njëkohësisht për të vlerësuar njerëzit më të mirë. Ajo që po kërkojmë ne është që të bashkëpunojmë me Partinë Demokratike në çdo qendër votimi, në mënyrë që të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të garantojmë që të gjithë qytetarët që duan të votojnë opozitën, pavarësisht se cilën parti politike, ne t`i çojmë në qendrat e votimit dhe të bëjmë të mundur që ata të votojnë të lirë”, u shpreh Mediu.