Aktualitet
Vini nën hetim SPAK-un
Justifikimi i djeshëm i SPAK-ut për tenderat emergjente të Covidit ishte i turpshëm.
Prokuroria pranon që kitet u blenë me çmim 3 herë më të shtrenjtë se tregu, por sipas saj ministria e Shëndetësisë nuk ka faj.
As anëtarët e Komisionit nuk kanë faj- thotë prokuroria- përveçse duhet të jenë më vigjilentë herën tjetër dhe të verifikojnë çmimet e tregut ndërkombëtar. Çmenduri.
Ajo që ka ndodhur është e qartë. Respiratorët nga 2 mijë euro që kushtonin në treg u blenë me 6400 euro.
Kitet nga 2 dollarë u blenë me 6 dhe 9 dollarë. Qytetarëve shqiptarë ju grabiten miliona euro, ndërsa SPAK-u thotë se nuk ka vepër penale, thjesht komisioni gaboi pak se nuk verifikoi çmimet në tregun ndërkombëtar.
Vini nën hetim SPAK-un pastaj. Ose detyrojini prokurorët t’i kthejnë ata lekët e qytetarëve që avulluan me tenderat e Covidit. Kaq e thjeshtë është.
Ku ka garë në botë që prokurohet me vlerë tre herë më të lartë se tregu dhe nuk mban njeri përgjegjësi. Nuk është 10 për qind më shumë, as 20 për qind. Madje as 100 për qind. Eshte trefish. Janë miliona euro që u janë marrë qytetarëve padrejtësisht duke shfrytëzuar krizën. Ndërsa disa njerëz vdisnin nga virusi, disa të tjerë fitonin miliona duke bërë biznes me vdekjen. Kjo ka ndodhur me vigjilentët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkohë, ajo kompania që del tek përgjimet e Ndraghetës, ka marrë miliona e miliona euro tendera publike, pikërisht nga Ministria e Shëndetësisë. Madje me 2017-ën, kur kanë ndodhër ato përgjimet, KLSH-ja e ka klasifikuar si peshkaqenin më të madh të buxhetit të shëndetësisë. Të parën. Por edhe këtu ka qenë çështje vigjilence, si gjithmonë.