Kryesore
Dashamir Shehi tregon marrëveshjen e arritur: 5 partitë opozitare në listë me PD, LSI mund të dalë më vete
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi
Opozita e bashkuar duket se po shkon drejt përfundimit të krijimit të listave me të cilat do të shkojnë drejt zgjedhjeve më 25 prill.
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi në një interviste për Report Tv, ka treguar se pesë partitë e vogla opozitare që do i bashkohen listës së PD-së.
Bëhet fjalë për partinë e tij, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partinë Demokristiane të Nard Ndokës, Partinë Republikane të Fatmir Mediut, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të Vangjel Dules dhe Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet të Shpëtim Idrizit, ndërsa LSI sipas tij mund të dalë me siglën e vet.
“Ne jemi në fazën më të mirë. Kemi pasur shumë takime dhe besoj që në javën tjetër do të konkretizojmë formulën finale.
Ne grupi opozitar i partive, 5 partive që kemi qenë më parë në parlament i jemi bashkangjitur listës së PD-së. Kjo është një çështje e mbyllur. Tani do caktohen vetëm numrat dhe vendet. Deri tani mendohet që LSI do të dalë me siglën e vet, por akoma nuk është zyrtare.
Është një çështje mes PD-së dhe LSI-së. Ne kemi bërë një marrëveshje me PD-në si 5 parti të vogla. I takon PD-së që këtë marrëveshje që ka bërë me ne, ta ndjekë ose jo me LSI-në”, tha Shehi.