Kryesore
Shkëlzen Doli ka një maraz të madh, komentatori nuk i përmendi emrin
Violinistit të njohur shqiptar Shkëlzen Doli, duket se i ka mbetur merak që Televizioni Publik i Kosovës nuk i ka përmendur emrin ndërsa transmetonte shfaqjen e një janarit të Filharmonisë së Vjenës.
Doli kishte zbuluar edhe më parë që do merrte pjesë në koncertin e Vitit të Ri në Vjenë, duke e konsideruar atë sfidën më të vështirë të jetës së tij.
Ai ka marrë shumë urime, por mospërmendja e tij nga RTK duket se e ka lënë të revoltuar dhe ka reaguar për këtë përmes një shkrimi që e ka publikuar revista KultPlus në Kosovë.
REAGIMI I DOLIT
“Qytetarë të dashur të vendit tim, fillimisht ju uroj një fillim të mbarë në Vitin e Ri 2021!
Unë edhe pse larg jush, me mendje jam përherë me ju. Këtë ma mundëson arti i muzikës dhe tingujt e violinës. Jam kënaqur nga postimet dhe urimet e shumëta nga ju pas përfundimit të Koncertit të Vitit të Ri në Vjenë.
Por jam befasuar, nga reagimet e shumë miqve për nivelin e dobët të komentimit në RTK. Reagimet mund të përmblidhen në një zhgënjim:
‘Se si kjo ngjarje e rëndësishme civilizuese të transmetohet në mënyrë joprofesionale duke mos përmendur në asnjë moment performancën e shkëlqyer të Z. Shkelzen Doli, mjeshtrit të violinës, artistit të mirënjohur botëror, i cili e bën violinën të flasë shqip, i cili e bëri një Filharmoni të Vjenës të ndjejë shpirtin e shqiptarit me ‘Albanian Soul’!
Qytetarë të dashur të vendit tim, si është e mundur që gjatë tërë kohës së transmetimit të drejtëpërdrejtë të Koncertit të Filharmonisë së Vjenës, komentuesi i RTK-së nuk e përmend fare prezencën dhe performancën time. Si mund të arsyetohet kjo sjellje joprofesionale, jocivilizuese dhe antikombëtare? Miq të muzikës, qytetarë të dashur, unë vërtet e kam të vështirë ta kuptoj!
Andaj, reagimi im është ndaj degradimit të vazhdueshëm, nga i cili fatkeqësisht nuk po shpëton as arti, muzika, civilizimi etj. Në fund, lus menaxhmentin dhe përgjegjësit në RTK, reagimin tim si pasojë e shumë reagimeve nga miqtë mi shqiptarë që ishin ndjerë të ofenduar, ta publikojnë! Ky reagim është i rëndësishëm për qytetarët, artdashësit, por gjithsesi shkon në mbrojtje edhe të mediumit tuaj shtetëror poashtu!”