Kryesore
Largimi i intelektualëve, Baçi: Banalizimi i detyron të lënë vendin
Kritiku letrar, Agim Baçi në një intervistë për Ora News, është pyetur për largimin masiv të intelektualëve nga vendi.
Baçi ka bërë përgjegjës banalizimin e debateve që kanë pësuar çështjet në Shqipëri, ndërkohë që shton se Shqipëria virtuale që paraqitet në televizor është shumë ndryshe nga ajo në të cilën jetojmë.
Baçi: Mungesa e vëmendjes ndaj dijes, kulturës dhe intelektualëve, mund ti ketë hapur derën edhe më shumë atyre që sot e shikojnë të ardhmen e tyre larg vendit. Është një goditje e madhe, sepse shton numrin e shqiptarëve që janë larguar dhe mbyll derën e debateve të duhura për atë që i duhet shoqërisë tonë. E lë në një dhunë të hapur politike debati, duke mos pasur dot ekspertët e duhur për atë që duam të debatojmë dhe duam të kemi një zgjidhje.
Degradimi i sferës publike, sidomos banalizimi i bën njerëzit të largohen nga debati i vërtetë, nga pjesëmarrja në të, sepse mendojnë se është një zonë e ndotur. Qeveritë, sidomos në fund të mandateve të dyta, u intereson që qytetarët të jenë larg debateve të vërteta, sepse kështu shmangin llogaridhënien. Në Shqipëri qeveria nuk merret më me atë që bëjnë qytetarët, por është e interesuar për këtë që mendojnë qytetarët. Do të kontrollojë mënyrën e tij të të menduarit. Po të shikosh një Shqipëri 3D që pasqyrohet përditë nëpër lajme që jepen nga televizionet personale të kryeministrit apo kryebashkiakut, kemi një Shqipëri komplet tjetër nga ajo që prekim. Kjo bëhet me synimin që sa më shumë njerëz të bien në këtë rrjetë dhe të largohen nga debatet reale.