Kryesore
Ruhuni nga Policia (e cila u ruhet banditëve)
Alfred Lela
Lajmet për dy vrasje të rinjsh janë kryqëzuar ditët e fundit në kronikat e lajmeve, duke e mpakur 8 dhjetorin, që përndryshe do duhejt të ishte edhe Dita e Rinisë, edhe ditë reflektimi për këto 30 vite në soctranzicion.
Një 26 vjeçar, Xhulio Prela, është vrarë në rrethana misterioze në aksin kombëtar që të çon drejt Lezhës, ndërsa një 25 vjeçar, është ekzekutuar nga Policia mesnatën e së hënës në Tiranë. Në të dyja rastet kemi përfshirje të policisë.
Në të parin i vrari është polic, ndërsa në të dytën vrasësi është i tillë.
Komunikata zyrtare dhe burime të tjera policore të dyja herët më shumë fshehin se sa zbulojnë apo zbulojnë atë që kërkojnë të fshehin.
I riu Prela është një viktimë që endet ende mes dy statuseve: dëshmorit të vrarë nën uniformën e shtetit dhe të vdekurit që shkon në botën tjetër pa adresë, apo më keq, shtyhet drejt adresës së gabuar.
Hetimet duhet të na thonë se pse u vra Xhulio Prela; për të mos kaluar edhe ai me lehtësinë me të cilën janë përcjellë kolegët e tij me uniformë: drejt harresës dhe paqartësive mbi statusin e vdekjeve të tyre.
Vonesat, spërdredhjet e informacionit, kontradiksionet e bëjnë edhe Policinë e Shtetit të dyshuar.
Siç është ajo e tillë sidomos në rastin e Tiranës. E dyshuar edhe për hartimin kontradiktor të komunikatës zyrtare. Ku jepej 25 vjeçari që ikte me vrap, të cilit i binte pistoleta në tokë dhe që më pas qëllohej për vdekje. Pyetja mund të bëhet fare e thjeshtë: dikush që ikën me vrap nga policia dhe i bie edhe arma, cilin rrezik paraqet që duhet neutralizuar nëpërmjet vdekjes?
Përveç burimeve policore dhe dëshmive të ndonjë prej të afërmve, mediat nuk kanë ndonjë mënyrë tjetër për të hetuar dritëhijet pas kësaj vdekjeje. Por vlen gjithmonë kontradiksoni në deklaratat e policisë, një gjë e thënë këtu që kundërshtohet nga një tjetër më tej e më vonë, dhe një variant i tretë, i katërt, e me radhë.
Po, policia është e dyshuar sepse ne e kemi parë publikisht, në mes të ditës e në mes të Tiranës, në disa raste, eksitimin e saj për të përdorur forcën dhe dhunën shpërpjestimisht. E kemi parë në protestat e opozitës, siç e kemi dëshmuar edhe në rastin e shembjes së Teatrit Kombëtar.
Policët, me uniformë apo jo, forcat speciale e krerë policorë, u angazhuan pa u stepur në një zinxhir dhune kundër gazetarëve, aktivistëve dhe qytetarëve krejtësisht të pambrojtur. Kjo dhunë u mbrojt me epsh në media, nga ministri Lleshaj dhe kryeministri Rama më shumë se askush, dhe me heshtje nga krerët e tjerë të policisë.
Një polici që vepron pa përmabjtje ditën, nën shtysa politike, siç ishte rasti i Teatrit Kombëtar është disa herë më e papërkufizueshme nga ligji, etika, morali dhe dhembshuaria, natën.
Kontradiksionet dhe nata i bashkojnë dy vrasjet e të rinjve në Lezhë dhe Tiranë. Njëri ishte polic dhe tjetri viktimë e policisë.
Vetëm ata dy shpirtra, që nuk janë më mes nesh, e dinë të vërtetën absolute të ngjarjeve. Ne na mbetet të pyesim policinë dhe ta dyshojmë. Fort. Me të drejtë. Pa prajtë. / Politiko.al