Kryesore
Fjalimi i Sokol Olldashit një mesazh i fuqishëm dhe sot
Fjalimet e ish-ministrit të ndjerë të Transportit, Sokol Olldashi, vijojnë të përcjellin mesazhe të forta edhe sot, shtatë vite pas ndarjes së tij nga jeta.
Më poshtë, po risjellim një ndër fjalimet e tij që sot në këtë 8 dhjetor është një nga qendrimet më koherente dhe të papërsëritshme për demokratët dhe shqiptarët. Olldashi theksonte se detyra e opozitës nuk ishte që të priste qeverinë që të binte, por duhet që ta rrëzonin dhe sipas tij, kjo duhej bërë në Parlament.
Ne deklaratat e tij, Olldashi thoshte se Partia Demokratike ka mision t’i rrëzojë një ditë e më parë, me të gjitha mjetet demokratike që njeh sistemi.
“Detyra jonë si opozitë nuk është që ne të presim që ata të bien, detyra jonë është që t’i rrëzojmë. Ky është misioni ynë dhe këtë duhet të bëjmë në Parlament. Ne nuk kemi kohë të rrimë në opozitë, nuk kemi kohë të presim zullumet e këtij koalicioni që ka ardhur në pushtet. Partia Demokratike ka mision t’i rrëzojë një ditë e më parë, me të gjitha mjetet demokratike që njeh sistemi. Në vitin 1992 ne kemi fituar vetëm. Në vitin 2005 kemi fituar vetëm, në 2009 fituam vetëm dhe ne do të fitojmë në përballjen e parë elektorale me ta, që nuk është 2017-a, por zgjedhjet lokale 2015. Ne duhet të fitojmë pas dy vjetësh” deklaronte Sokol Olldashi.
Gjithashtu ish ministri i ndjerë nënvizonte se ‘Duhet një betejë e tmerrshme opozitare në parlament, por me një strukturë të balancuar, të vënë edhe nën përgjegjësi, edhe mbi stimul dhe të inventarizuar me kontributet e gjithsecilit, në mënyrë që partia të jetë e drejtë me gjithsecilin’.
“Ne nuk mund të presim që ata të bien vetë nga pushteti. Ne nuk mund të presim të humbasë Edi Rama. Jo, ne nuk do të presim. Ne do ta rrëzojmë Edi Ramën. Por që të rrëzojmë Edi Ramën duhet domosdoshmërisht të bëjmë disa ndërhyrje : Duhet një betejë e tmerrshme opozitare në parlament, por me një strukturë të balancuar, të vënë edhe nën përgjegjësi, edhe mbi stimul dhe të inventarizuar me kontributet e gjithsecilit, në mënyrë që partia të jetë e drejtë me gjithsecilin. Këto ndërhyrje e bëjnë Partinë Demokratike dinamike, e bëjnë dominante në terren, e bëjnë absolutisht një makineri që nuk ka asgjë që ta ndalë. Dhe në qoftë se mekanizimi do të funksionojë dhe ne, që në ditën e pare do të bëjmë një betejë të jashtëzakonshme opozitare në parlament, unë jam i bindur që ne rikthehemi fitues në përballjen e parë elektorale që kemi me kundërshtarin tonë, në zgjedhjet lokale të vitit 2015.Kundërshtari ynë në bllok është ish Partia e Punës, ndërsa Partia Demokratike është shtëpia e opozitarëve.” shprehej Olldashi.