Aktualitet
Leja mjedisore, mjet super zhvatës.
Në një deklaratë të papritur, Agjencia Kombëtare e Mjedisit komunikoi se nuk ka patur asnjë kërkesë nga Bashkia e Tiranës për ndonjë leje mjedisi për punimet e parkut të lojrave, në Parkun e Liqenit. Disa orë me vonë “dikush” pranë bashkisë saktëson se leja mjedisore nuk është kërkuar për arsyen e thjeshtë se nuk do të ishte e nevojshme për atë vepër.
Shpesh, kompleksiteti i ligjeve, të nevojshme për të rregulluar çështje teknike, shfaq aspekte paradoksale, megjithatë lajmi se, për ndërtimin e çfarëdolloj objekti në një park, nuk nevojitet asnjë lloj miratimi mjedisor është i tepërt.
Si të gjithë, duke u shndërruar në juristë amatorë, konsultojmë bazën ligjore dhe zbulojmë se për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve urbane ose rurale (mbi sipërfaqe) apo ndërtimin dhe rindërtimin e ujësjellsave dhe kanalizimeve (nën tokësore), por edhe për projekte sistemimi e mbjellje pyjesh, nevojitet një leje mjedisore për të mos folur më vonë për ata që duan të mbjellin drurë frutorë.
Por, leja mjedisor është e nevojshme edhe për të hapur një lavazh makinash, apo një furrë buke dhe më së fundmi, edhe për të hapur një rrobaqepsi ose një treg fruta perimesh. Natyrisht, kjo vlen për të gjitha aktivitetet, mjafton të mendosh se diçka e tillë nevojitet edhe për grumbullimin e plehrave urbane në emër të bashkisë dhe dërgimin e tyre një pikë grumbullimi të autorizuar.
Për ta përmbledhur, për ligjin shqiptar, çdo gjë e ndërtuar nën tokë, mbi sipërfaqe apo mbi tokë duhet të jetë e pajisur me një formë autorizimi mjedisor. Qoftë diçka e domosdoshme (si furrë buke, grumbullim plehrash, ambulancë, ujësjellës apo kanalizime); qoftë diçka ambientalisht e nevojshme (si mbjellja e pemëve apo drurëve të pyllit); qoftë një domosdoshmëri private (si përpunim frutash, paketim uji nëpër shishe, prerje dhe qepje e rrobave), gjithmonë do të nevojitet një leje e lëshuar nga autoriteti mjedisor.
Kështu, një legjion i tërë funksionarësh dhe inspektorësh publikë vijnë vërdallë në vendin më të ndotur në Europë duke kërkuar të famshmen leje mjedisore, e duke ndëshkuar qytetarë e biznese, fast-foode dhe lavazhe, me gjoba marramëndëse për ata që ende nuk kanë marrë një të tillë.
Të njejtit njerëz ose më mirë kolegët e tyre të zyrave qendrore, vështirësojnë dhënien e lejes së famshme, e shumë herë e refuzojnë në qoftë se nuk është përgatitur nga “konsulenti” i duhur. Mjafton të shohësh listën që publikohet në faqen e Ministrisë së Mjedisit për të verifikuar se kjo leje u refuzohet herën e parë pothuajse të gjithë bizneseve të huaja.
Por, kjo nuk ndodh për atë park lojrash që po betonizon brutalisht të vetmin park të Tiranës. Jo, për atë ndërtim nuk nevojitet miratim mjedisore dhe kjo sepse ligji nuk citon shprehimisht “park lojërash”, midis atyre objekteve që duhet të pajisen me leje.
Që për ndërtimin e tij nevojiten gati 900 metër kub beton, aq sa do mjaftonin për të ndërtuar një pallat, kjo nuk do të thotë asgjë; që për të vendosur parkun e lojrave duhen më tepër se 4 000 metër kub gërmime në një hapësirë prej 2 500 metrash katrorë (të deklaruar nga Bashkia) ku sipas bashkisë ka një pemë çdo 7 metra katrorë, edhe kjo nuk do të thotë asgjë.
Me pak fjalë, sipas juristëve të qeverisë dhe bashkisë, ligji që rregullon mjedisin nevojitet vetëm për lavazhet dhe fast foodet; këto po që janë rreziqe të vërteta për mjedisin, mbi të gjitha në qoftë se nuk paguajnë për të marrë lejen mjedisore.
Ndërkohë, që sipas manipulatorëve më të mëdhenj të opinionit publik të qeverisë dhe bashkisë, për të gërrmuar dhe betonizuar të vetmin park të Tiranës nuk nevojitet leja mjedisore, asnjëri prej tyre nuk kujtohet se sipas ligjit për një ndërtim si ky që po bëhet në Park do të duhej diçka akoma më komplekse: vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe kosultimi me publike. Gjë që, natyrisht, nuk është bërë për këndin e lojrave.EXIT
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu