Kioske
4 leksione biznesi nga miliarderi i kozmetikës, Leonard Lauder
Të gjitha rrugët e kanë çuar Leonard Lauder, te biznesi i familjes. Që kur ishte fëmijë, -shkruan Lauder në librin e tij të kujtimeve, “Company I Keep”, kishte parë të ëmën (në krah të të atit, Joseph) të ndërtonin markën e produkteve kozmetike, Estée Lauder, që synonte t’i bënte femrat të ndiheshin të veçanta.
“Jemi më shumë një sipërmarrje familjare” – tha Joseph për “New York Times” në vitin 1958, 12 vite pas themelimit zyrtar të shoqërisë. “Jemi një familje në botën e biznesit”. Estée ka zhvilluar produkte – në fillim kremra, më pas produkte për trukun dhe parfume, duke bindur vazhdimisht dyqane si Saks Fifth Avenue për t’i shitur. Babai dhe vëllai i madh dhanë ndihmën e tyre me paketimin, shpërndarjen dhe logjistikën.
Kur erdhi momenti që më i vogli i fëmijëve, Leonard, të shkonte në universitet, i ati e këshilloi të studionte farmaci (“përgatit kremrat” – i tha të birit). Por Leonard kishte plane të tjera. Pasi studioi ekonomi e pas disa viteve në marinë, u bë pjesë e kompanisë në vitin 1958, duke e shndërruar në një kolos multimiliardësh. Ai ka qenë presidenti i Estée Lauder nga viti 1972 deri në vitin 1995 dhe CEO i saj nga viti 1982 deri më 1999 kur dha dorëheqjen.
Sot, 29 marka, ndër të cilat MAC, Bobbi Brown dhe Clinique janë nën zotërimin e Estée Lauder, produktet e së cilës shiten në 150 vende. Konglomerati i bukurisë, i cili kuotohet në Bursën e Nju Jorkut, zotërohet pjesërisht nga gjashtë pjesëtarë të familjes Lauder, të gjithë miliarderë, falë aksioneve në shoqëri. Vëllai i Lauder, Ronald, është presidenti i Clinique. Vajza e madhe e Ronald, Jane, është presidentja globale e Clinique, vajza më e vogël, Aerin, është drejtuese stili dhe imazhi në Estée Lauder. I biri i Leonard, William, është presidenti, dhe djali më i vogël, Gary, i cili nuk i ka ndjekur gjurmët e të atit, është një venture capitalist me seli në Silicon Valley.
Në librin e tij të kujtimeve, Leonard Lauder i shoqëron lexuesit në një udhëtim në shumë breza, nga vitet ’40, kur zgjuarsia dhe strategjitë e marketingut të Estée (shumë mostra falas) bënë që klientët dhe partnerët e biznesit të rriteshin deri në 2020, kur Forbes vlerëson se pasuria e Leonard, ka një vlerë neto prej 21.3 miliardë dollarësh. Kjo është një histori e sektorit të produkteve kozmetike në evolucion të vazhdueshëm, si dhe një biznes që sot vlerësohet në 14,3 miliardë dollarë (të ardhurat në vitin fiskal deri në qershor 2020) që ndihmuan në formësimin e tij. Libri i tij është një udhëzues strategjik për gjithë ata që synojnë të bëhen sipërmarrës.
Më poshtë janë disa këshilla nga libri i ri i Leonard Lauder…
1.Zgjidhni njerëzit me të cilët punoni me urtësi dhe sigurohuni që në tavolinë te ketë një grua
“Bota është plot me njerëz më inteligjent se unë dhe nuk duhet të jem personi më inteligjent në dhomë për të pasur vlerë” shkruan Lauder. “I thashë vetes që kur të përfundoja marinën, puna ime do të ishte të kërkoja e të punësoja këta njerëz. Dhe në vend që të ndihesha i kërcënuar prej tyre, do t’i mirëprisja dhe t’i përqafoja”. Por Lauder paralajmëron: mos punësoni miqtë tuaj më të mirë apo shokët e shkollës, pasi në një rast të tillë nuk mund t’i pushoni nga puna. “Miqësia është miqësi, por biznesi është biznes”. Një ndër njerëzit më të mirë që ka punësuar? Jeannette Wagner, e cila iu bashkua Estée Lauder në mesin e viteve ’80 për të ndihmuar në zgjerimin e markës në mbarë botën. “Mos merrni kurrë një vendim të rëndësishëm pa një grua në tavolinë” thotë ai.
2.Kritikoni, por jini edhe mirënjohës dhe falënderoni
Leonard Lauder thotë se një nga qëllimet kryesore si drejtues ishte t’u jepte mirënjohje punonjësve të tij, ose atë që ai pëlqen ta quajë “rrezen e tij të diellit “. “Në fund të fundit, duke qenë kaq të mirë në punën e tyre, këta njerëz e bëjnë më të thjeshtë jetën tënde “, shkruan ai. I njohur për dërgimin e falënderimeve punonjësve në të gjithë vendin, Lauder thotë se kjo u hapi rrugë më vonë dërgimit të kritikave konstruktive. “Mendoni para se të kritikoni, – shkruan ai, – dhe lavdëroni gjithnjë para se të kritikoni”. Dhe kur jeni ju ai që ka gabuar (“dhe kjo mund të ndodhë shpesh!”), mos kini frikë ta pranoni.
3.Mos e ‘shpërndani’ markën tuaj
“Nëse jeni në segmentin e produkteve luksoze – thotë ai – qëndroni aty. Për ata që shpresojnë të fillojnë një biznes në botën e luksit, ai këshillon të “synojnë lart dhe të qëndrojnë në krye”. “Nëse hidheni në treg, – shkruan ai, – do të jetë gjithmonë dikush që do të shesë për më pak se ju”. Nga ana tjetër, pothuajse të gjitha produktet e Estée Lauder nuk shiten në farmaci si Walgreens.
4.Krijoni mundësi të reja
Leonard Lauder i këshillon sipërmarrësit të mbajnë mendjen të hapur për mundësi të reja dhe të lënë imagjinatën e tyre të fluturojë, gjithsesi duke qëndruar me këmbë në tokë.
Lauder thotë që kur donte të blinte një kuotë prej 51% të markës MAC në vitin 1994, që sot është tërësisht në pronësi të Estée Lauder, pati një “kundërshtim 100%” nga ana e drejtuesve të tjerë. Sot MAC shitet në 120 vende dhe është një ndër filialet më të mëdha të kompanisë. “Jemi të gjithë autorë të së ardhmes sonë” – shkruan ai. “Ëndërroni shumë”.
Burimi: Forbes