Kryesore
Basha publikon të dhënat: Qeveria fshehu gjysmën e viktimave të COVID-19
Kreu i PD-së Lulzim Basha, në emisionin “Opinion” publikoi disa të dhëna tronditëse, duke denoncuar se autoritetet po fshehin të dhënat me numrin e viktimave të shkaktuara nga Covid-19.
Sipas të dhënave të publikuara në një tabelë nga Basha, pretendohet se vdekjet janë 414 më shumë se ato të publikuara nga autoritetet deri në fund të muajit tetor.
“Autoritet shtetërore kanë fshehur numrin real të viktimave nga COVID-19. Fakti tronditës është bërë publik nga kryetari i opozitës Lulzim Basha, gjatë intervistës në emisionin Opinion në TV Klan.
Basha publikoi të dhënat zyrtare dhe ato reale ku rezulton se që nga marsi e deri tani janë 414 raste fatale që janë mbajtur të fshehura. Sipas të dhënave të publikuara nga Basha, autoritet kanë publikuar gjithsej për periudhën Mars-Tetor 2020, vetëm 509 raste fatale, ndërsa realisht janë 923 viktima nga COVID-19.
Situata edhe më e rëndë është gjatë muajit nëntor që ende nuk është mbyllur. Në 17 ditët e para të muajit janë raportuar 128 viktima, ndërsa shifrat reale tregojnë se numri i vdekjeve gjatë këtyre ditëve është më shumë se dyfish, plot 315 vdekje.
Data 9 nëntor rezulton si më tragjike sa i përket fataliteteve ku ministria e shëndetësisë ka raportuar numrin më të lartë të vdekjeve, 11, ndërsa shifrat reale sipas të dhënave të publikuar nga Basha, janë 26 viktima nga COVID-19”-tha Basha.
Kryedemokrati bëri thirrje që të hetohet numri i vdekjeve nga prokuroria pasi përbën një çështje të rëndësishme për situatën.