Aktualitet
“Poeti Laureat”
Shokë,
Revolucioni në rrezik. Po duan të na e shkojnë ujin nën rrogoz. Armiqtë e brendshëm në bashkëpunim të ngushtë me armiqtë e jashtëm po duan të na rrëmbejnë pushtetin e marrë me gjak.
Sytë katër. Natën ditë ta bëjmë. Të marrim masat e duhura sa s’është vonë.
T’i vrasim me metodën më të suksesshme që njohim dhe të vetmen që dimë, pas shpine. Vrasja të kryhet përgjatë një shtegu ku askush nuk e di ku të çon sepse asnjeri nuk e di ku ndodhet. Ky shteg është Poezia.
Konkretisht: Të organizojmë marrjen e çmimit “Poeti Laureat”. Për këtë, të zgjidhen zagarët nga zinxhirët. T’i jepet prioritet armës sonë të preferuar, ushtrisë së spiunëve poetë dhe poetëve spiunë për të cilët kemi investuar pa hesap dhe jemi lodhur aq tepër. Pra atyre që, duke qenë krejt të pandjeshëm, me Poezinë s’kanë absolutisht asnjë lidhje, por kanë aftësi për shkarrashkruarje dhe janë nuhatës të hatashëm për kombinacione dhe dallavere mbijetese. Janë ata që mbahen me të madh se kanë shkruar libra të këllirshëm për punëtorët, minatorët, montatorët, barakat ku flenë, groshët që hanë, morrat që kruajnë.
Emrat e kandidatëve të preferuar nga Partia dhe Sigurimi, në vazhdim të vënies në zbatim të mësimeve të paçmuara të shokut Kurvi, u renditën me kujdes dhe përkushtim nga Besnik Helmi i Institutit të kuçedrës Nexhmije, në bashkëpunim me Çark Miun e Sigurimit të Shtetit.
Të bëhet kujdes që nga këta emra vendin e parë ta fitojë, dhe shpërblimin përkatës ta marrë, një qen bir qeni, ai më plehu, ai më i ndyri, më shpirtkatrani e zemërziu, një aq i fëlliqtë sa nga masa e përbindshmërisë të mos ketë të dytë në botë ta konkurrojë.
Ja, nga më të shquarit te më të merituarit, lista paraprake e emrave me kandidatët për marrjen e çmimit “Poeti Laureat” për vitin 2020:
Kurvi
Lenka Çuko
Kadri Hazbiu
Simon Stefani
Themie Thomai
Feçor Shehu
Ver Llapa
Partizani Meke
Gzim Kulufi
Zija Shkurti
Heroi Heshtanak
Heroina Squku
Qen Lehu
Zagar Zorraxhiu
Bushtër Buçja
Zhabë Nëpërka
Skile Zagari
Morr Llozi
Gëlbazë Këllira