Kryesore
Sot, përvjetori i 15-të i fillimit të Luftës së Natos në Kosovë.
Pandeli Majko, kryeministri shqiptar asokohe, ka kujtime të vyera për zgjidhjen e krizës së shqiptarëve të Kosovës. Shumë kohë më parë në një intervistë dhënë prej tij, Majko ka rrëfyer se në ditët kur në Shqipëri u dyndën qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës, vetë ai flinte përtokë, për të vuajtur njësoj si ata.
Por sot në 15-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s, Majko e kujton kështu:
“Një ditë e vështirë për t’u kujtuar si çdo fillim Lufte. Ajo ka pamjen e shqiptarëve nga Kosova të dëbuar, të heshtur, kokëulur dhe pashpresë të cilëve ju refuzohej ekzistenca.
Sot, përvjetori i 15-të i fillimit të Luftës së Natos në Kosovë. Perëndimi i doli në krah shqiptarëve duke përcaktuar historinë e tyre të re. Amerikanët, britanikët dhe të tjerët u rreshtuan në krah të shqiptarëve të masakruar.
Një ditë për të kthyer kokën dhe kuptuar kush ishin miqtë e ditëve të vështira. Ditë e shënuar me dhimbje kur koha filloi të ndryshonte kahje dhe të punonte për shqiptarët.
Mirëmëngjes Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Ferizaj… Sot, 15 vjet më parë ishte një ditë me bomba. Po flitej shqip… Ju përshëndes nga Tirana.”
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu