Kryesore
PEDAGOGU QË NUK MERR LEKË
Nga Edi Oga
Unë njoh një pedagog që nuk ka pranuar kurrë të marrë lekë nga studentët!
Një shok i imi i gjimnazit, bir në një familje arsimtarësh, zgjodhi të vazhdonte traditën e shtëpisë dhe u bë pedagog! Student i shkëlqyer, me një master dhe studimet e nevojshme doktorale jashtë shtetit, për t’u bërë pedagog!
U kthye nja dhjetë vite më parë. Punoi tre vite në një universitet shtetëror dhe u largua!
Provoi në një universitet privat por edhe atje nuk i bëri dy vite të plota.
Mbaj mend që u bëra kurioz dhe e ftova të flasim.
“Më hoqën, tha, edhe nga shteti, edhe nga privati për të njejtën arsye; nuk pranoja të merrja para nga studentët!”
Ai e kuptoi habinë time dhe vazhdoi:
“Vitin e parë nuk e kuptova, por më pas mësova se pedagogët, pothuaj të gjithë, merrnin para nga studentët për provimet. U skandalizova! Vitin e dytë më ofruan para edhe mua, fillimisht m’ua qasën njerëz të panjohur, të cilët natyrisht i përzura, më pas një koleg, dhe në fund, besoje apo jo, vetë dekani i fakultetit ku jepja mësim. Pasi refuzova me përçmim, gati rashë viktimë e një komploti. Dhashë dorëheqjen në fund të semestrit. Fakti që ky fenomen ishte kthyer në sistem, më dërrmoi. Pas ndonjë viti, fillova në një universitet privat. Më vjen keq të ta them, edhe atje, funksiononte pothuaj njësoj. Zhgënjim i madh”
Një nga dëmet më të mëdha që i është bërë këtij vendi, është dëmi që ka shkaktuar sistemi universitar dhe arsimi i lartë në përgjithësi!
Dëmi filloi që pas vitit ’90, kur lirive që fituam me aq mundim, i shtuam edhe lirinë për të kryer studimet e larta pa asnjë filtër. Mijëra të rinj, pavarësisht kritereve të kohës për t’u pranuar, u dyndën nëpër universitete. Kërkesa ishte më e madhe sesa mundësitë e kohës, prandaj me nxitim, u zgjeruan universitet, u shtuan fakultetet, ndërtesat, pedagogët. Ne Tiranë dhe në rrethe. Fillimisht, si vazhdimësi e traditës së mirë, universitetet e ruajtën seriozitetin, por në pak vite filloi një degradim i frikshëm i funksionit të tij. Dija dhe pasqyra e saj, diploma, pësuan një zhvlerësim të panjohur më parë.
Më pas erdhi epoka e universiteteve private. Të pakënaqur me cilësinë e universiteteve shtetërore ose të pamundur për të marrë një diplomë në to, prindërit u joshën nga ideja e universiteteve private. Në këto të fundit, të para si biznese interesante dhe fitimprurse, u investua rëndshëm politikisht, mediatikisht dhe financiarisht.
Rezultati:
Më shumë universitete seç na duhen. Më shumë të diplomuar sesa i nevojiten vendit. Cilësi e ulët mësimdhënieje dhe akoma më e ulët cilësia profesionale e studentëve të diplomuar. Sepse studentët kanë gjetur rrugën më të lehtë për të marrë një diplomë, atë të blerjes së provimeve me para në dorë. Natyrisht, ata që ua shesin janë mësuesit, të cilët shkelin rëndshëm mbi dinjitetin e tyre por aq u bën, “ky vend ka marrë fund”!
Herëpashere, arrestojnë ndonjë pedagog të korruptuar për të trembur të tjerët, por kjo nuk e shëron këtë sëmundje! Për fat të keq, vështirë se do të shërohet ndonjëherë, përsa kohë arsimi nuk është prioritet real i asnjë pushteti!
Sa për atë shokun tim, emigroi. Aplikoi për pedagog në një universitet andej dhe fitoi!