Kryesore
U akuzua për plagjiaturë, deputetja Evis Kushi që do të zëvendësojë Shahinin nxjerr foton nga Universiteti: Do të bëj gjithçka të nderoj PS-në dhe kryeministrin tonë!
Ditën e djeshme me fillimin e vitit të ri shkollor u bë publik në mënyrë të befasishme edhe dorëheqja e ish-ministres së Arsimit, Besa Shahini dhe emërimi i deputetes së Elbasanit, Evis Kushi në postin e saj.
Teksa ministrja e re, Evis Kushi pret të mandatohet në detyrën e re, e ka cilësuar këtë të fundit si një sfidë tepër të vështirë dhe me përgjegjësi të jashtëzakonshme.
Megjithëse nuk shkruan asnjë fjalë lidhur me artikullin shkencor të saj të publikuar nga studiuesi Vladimir Kola, ku thuhej se 70% është plagjiaturë, Kushi ka treguar për arsimimin e saj në Staffordshire University në Britaninë e Madhe, ku ka publikuar edhe një foto gjatë diplomimit.
Me anë të një postimi në Facebook, Kushi kërkon ndihmën edhe të kolegëve të saj në mënyrë që detyra të kryhet me sukses dhe në fund të dalin faqebardhë.
“Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë. Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë”, shkruan Evis Kushi.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Ju falenderoj pamasë për mesazhet tuaja inkurajuese në këtë moment kaq sfidues për mua! Më keni gëzuar, por nuk më keni lehtësuar! Përkundrazi, mesazhet tuaja më bëjnë të ndjehem edhe më e ngarkuar se sa dje kur kryeministri më shprehu vendimin e tij, me barrën e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme.
Kur mora doktoraturën në Stafforshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh! Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë.
Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit. Një pedagoge dhe qytetare në shërbim të përulur ndaj komunitetit të madh të dijedhënësve.
Faleminderit shumë edhe njëherë të gjithëve!