Kryesore
Rama cakton Adrian Çelajn si koordinatorin e Durrësit për fushatën e PS-së
Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela do të jetë drejtuesi i fushatës së PS-së në qarkun e Durrësit, për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm.
Të paktën kështu raporton portali Politiko.al, i gazetarit Alfred Lela. Mbrëmjen e kaluar, kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje pranë ish-Bllokut në Durrës, ku morën pjesë koordinatorët e PS-së, mes të cilëve dhe ish kryebashkiaku Vangjush Dako, si dhe deputetë të qarkut.
Sipas portalit, Rama ka kërkuar që në Durrës të sigurohen 9 deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Kujtojmë se pas mbledhjes në Elbasan të grupit parlamentar socialist të 10 ditëve më parë, kryeministri Edi Rama mori përkohësisht drejtimin e fushatës në Durrës.
Koordinatori i ri Adrian Çela, mban pozicionin e administratorit të Shoqërisë OSHEE Sh.A, që prej muajit dhjetor të vitit 2014.
Kontrolli i Lartë i Shtet ndaj Çelës ka bërë një padi në Prokurori, për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera dhe ankande publike kur ky i fundit ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Durrësit dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Oferatave. Çela akuzohet se ka shkelur ligjin e prokurimeve publike që përkthehet në një dëm ekonomik prej mbi 7 milionë lekësh.