Kryesore
Trimi i mirë me armiqë shumë
Replikat e fundit në kongresin e PS-së, mes Koço Kokëdhimës dhe Gramoz Ruçit, nuk janë veçse derdhja e një gote që vlon prej kohësh. Pavarësisht se ato bëhen në emër të organizmit të partisë, “të dorëzimit” ose jo të Kokëdhimës në duart e Gjykatës Kushtetuese, ato kanë rrënjë më të thella. Që vijnë prej ditës kur pronari i 2K Grup vendosi të kandidojë për deputet në zonën e Vlorës.
Që nga kjo ditë ai vetëm mbledh mërinë e kolegëve që ka pranë.
Qeverisja e PS-së futet në luftë kundër kanabisit, Koço militon për legalizimin e tij; njëra palë kërkon përjashtimin e Tom Doshit, ai shndërrohet në negociatorin pro tij; disa e duan kongresin në datën e vendosur nga asambleja, ai kërkon shtyrjen; Rama thotë publikisht asnjë militant në punë për këtë shkak, ai del në studio dhe pranon se një drejtor tatimesh e ka punësuar ai; PS përgjërohet për ligjin e dekriminalizimit, ai thotë se do ta hedhë në Kushtetuese atë.
Por, Kokëdhima duke mbjellë “idetë” e veta, po korr edhe kundërshtarë individualë që i shtohen njëri pas tjetrit.
Kështu ai, për arsye të ndryshme është në konflikt të hapur me dy nga gazetarët më pranë kësaj qeverie, Mero Baze dhe Carlo Bollino; ai është në armiqësi me deputetët e qarkut të tij, Fatmir Toçi dhe Vali Leskaj; ai ka fituar mërinë e “besnikut” të Ramës, Gramoz Ruçi dhe të kanakarit të tij Erion Veliaj.
Po si shpjegohet kjo mëri ndaj Kokëdhimës? Pse në kaq pak kohë ai është shndërruar në një rrufepritës kritikash më shumë se askush tjetër? A ka lidhje kjo me lirinë pa limit që i ka dhënë Edi Rama, apo me sensin e protagonizmit të një njeriu që është katapultuar në parti, drejtëpërdrejtë nga biznesi privat?
Për të kuptuar më mirë këto pikpyetje është e nevojshme një kronologji e konfikteve të “beut të jugut” në PS.
“Eshtë bërë më keq se Ali Pashë Tepelena, ka thënë Fatmir Toçi vetëm pak javë më parë. Por ndërsa Aliu e pushtoi jugun, Koços po ja falin. Nuk e di se kush, por po ja falin”.
A është kjo tentativë për të marrë në dorë jugun që nxit xhelozi ndaj botuesit të gazetës “Shekulli”?
Pa dyshim që po. Me të fituar zgjedhjet, ai filloi të ngrejë një stukturë paralele brenda Partisë Socialiste. Dhe e majta nuk kish gëzuar ende frytet e fitores kur i plasi skandali i parë. Një anëtar i zyrës së Kokëdhimës u regjistrua duke i kërkuar seks një gruaje dhe vajzës së saj në këmbim të punësimit. Zhurma i kaloi përmasat e një skandali lokal.
Por Kokëdhima u përgjigj fare ftohtë.
Një nga gazetarët që qe investuar shumë për fitoren e Edi Ramës, qe nga të parët që e goditi sjelljen e Koços. Në gusht 2014 Mero Baze shkroi: “Meqë ai nuk po kërkon falje, meqë ai nuk po i thotë të miturës 14- vjeçare më fal që të lashë alternativë në këtë jetë perversin 60- vjeçar, po kërkoj unë ndjesë në emër të tij, si dikush që kam ndihmuar të vijë ai në pushtet. Po i kërkoj falje vajzës 14- vjeçare, e cila është më e vogël se djemtë e mi. Më fal zemër e vogël që të lashë në dorë të pushtetit personal të Koços se ishte diçka që nuk ma kishe kërkuar dhe nuk ta kisha premtuar. Pushteti i socialistëve ndoshta mund t’ia dalë të bëjë shtet serioz, por serioziteti i pushtetit personal të Kokëdhimës po e bën karagjoz”.
Ky pushtet i Kokëdhimës i kish treguar dhëmbët e tij që në fillim. Një nga emërimet e para të Edi Ramës, ishte një nga drejtorët e biznesit të Kokëdhimës, Endri Puka, që u caktua të krye të Albetrolit. Më pas, në kulm të fushatës kundër prishjes së ndërtimeve pa leje, hoteli i vëllait të tij në Qeparo, vazhdonte të ngrihej buzë detit, si një simbol ulëritës i selektivitetit dhe kotësisë së këtij aksioni.
Nuk do të zgjaste shumë dhe menjëherë pas një ndërhyrjeje, që socialistët do ta rendisnin si kryemedaljen e luftës së tyre për shtet ligjor, spastrimin e Lazaratit nga Kanabisi, Kokëdhima do të fillonte fushatën për legalizimin e kësaj bime.
Mero Baze shkruan sërish një editorial kundër kësaj ideje të krisur të Kokëdhimës:
“Problemi që prodhon Kokëdhima brenda së majtës, sidomos në Jug, është se ka një vendimarrje personale, së cilës i hapet gjithnjë rrugë nga Edi Rama si kryetar i Partisë Socialiste. I vetmi rast kur Rama ka folur kundër Kokëdhimës, ishte rasti Tom Doshi, kur Kokëdhima tentoi të bënte si negociator i Ramës, ndërsa ky i fundit e goditi publikisht, duke marrë kështu një plumb “rikoshet” dhe Kokëdhima.
Por, në rastet e tjera, Kokëdhima është një vendimarrës i papërgënjeshtruar. Ai ka krijuar struktura paralele të frikshme me Partinë Socialiste dhe qendrat e pushtetit, duke kontrolluar dhe emërimet më banale në zonat e veta dhe duke qenë një mbikqyrës i bizneseve dhe problemeve të tyre. Nuk them se është një gjobvënës i tyre, por ata nuk ndjehen aq të sigurtë nëse nuk kanë mbështetjen e tij”.
Rruga që Rama i hap vendimarrjes së Kokëdhimës shtrihet edhe në zgjedhjet e pushtetit lokal. Superdeputeti i jugut arrin të shmangë qoftë përmes drejtësisë, qoftë përmes kulisave partiake, dy nga kryebashkiakët që nuk i honepste dot, Shpërtim Gjikën e Vlorës dhe Stefan Çipën e Sarandës. Ai vë në të dy qytetet dy kandidatura ekskluzivisht të tijat. Jo më kot ish kryebashkiaku i Vlorës do t’i kujtonte së fundi, se si Koço i rripte socialistët në fushata, duke u vënë çmime marramendëse për billbordet e tij.
Eshtë pikërisht kjo mënyrë të vepruari që nxit mëri. Shumë deputetë që s’kanë ç’i bëjnë gomarit dhe i bien samarit. Në pamundësi të gricen me Ramën, ata targetojnë Kokëdhimën.
“Ti nuk bashkëpunon me ne, nuk hap telefonin. Ti edhe kur ke mbledhje te zona ime elektorale, nuk thua e nuk njofton”, i ka thënë në sy në një mbledhje të partisë në tetorin e shkuar, Vali Leskaj. “Ty more zotëri nuk të do njeri dhe këtë duhet ta kishe kuptuar prej kohësh edhe pse partinë e kemi vënë në dijeni. Ti e quan veten kryeministër të Jugut. Por me këtë mentalitet dhe mënyrë sjelljeje, ti po e merr në qafë Jugun”, e ka mbështetur një tjetër deputet i qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi.
Pikërisht në këtë kohë Koço u përfshi në një konflikt pushteti edhe me numrin 2 të PS, Gramoz Ruçi. Guri i provës se kush qe më i fortë u bë ideja e Kokëdhimës për shtyrjen e kongresit, që fillimisht ishte thënë se do të bëhej në janar.
Kokëdhima, që siç dihet ngadhënjeu më pas, mori këtë përgjigje nga Ruçi: “Vjen këtu para gjithë këtyre burrave dhe grave të nderuara dhe na thua se e kam bërë natën ditë, por koha nuk na del për të organizuar partinë dhe për ta mbledhur kongresin në janar, siç ka vendosur në unanimitet Asambleja Kombëtare. Kush je ti që del mbi vendimet e asamblesë?! Këtë që kërkon të bësh ti, nuk e ka bërë asnjë kryetar partie në Partinë Socialiste dhe asnjë deputet… Por nuk është vetëm kjo, më e rëndësishmja është marrëdhënia që ti ke vendosur në rajonin tënd. Ti vendos vetë, emëron vetë, përcakton vetë. Po fundja do të vijë kjo situatë, sepse ty të kanë bojkotuar të gjithë deputetët. Se ti deputetët nuk i bën pjesë të grupeve të punës”, i ka thënë ai.
Pikërisht që prej kësaj kohe burojnë kontradiktat që janë shpërfaqur sot, ato për organizimin e partisë në kongres dhe akuzat e Kokëdhimës se Ruçi po e shet tek gjykatësit kushtetues.
Pikërisht nga kjo mënyrë të vepruari, në darkën e fundit para kongresit, Kokëdhimës iu kundërvunë shumë nga hierarkët e PS-së së Jugut.
Kjo mani për kontroll dhe për gjithëpushtet, me sa duket e ka futur në grindje Kokëdhimën edhe me krahun tjetër të djathtë të Ramës, Erion Velinë. Kur ky i fundit u zgjodh kryebashkiak, natyrisht Koço çoi listën e re të punësimeve.
Një prej fatlumëve qe edhe Neritan Gjojdeshi që kapi vendin e drejtorit të ujësjellësit. Por ndofta se nuk përgjigjej atje ku duhet, ndofta se nuk qe i aftë, drejtori i ri, u shkarkua shpejt.
Dhe sipas mediave të majta hakmarrja e Koços nuk mungoi. Ja si e përshkruan Shqiptarja.com, botuesi i të cilës Carlo Bollino ka prishur ortakërinë me Kokëdhimën në “TV A1 report”, këtë ngjarje: “Gazeta “Shekulli” është hapur me një intervistë të një aktivisti që kundërshton ndërtimin e parkut të lojërave për fëmijë tek Liqeni Artificial. Sulmet vijnë pas shkarkimit të drejtorit të Ujësjellësit, Neritan Gjojdeshi, që njihej si njeriu i Kokëdhimës, pas abuzimeve me faturat e ujit”
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu