Lidhu me ne

Aktualitet

Rama, një fund plot frikë

Armand Shkullaku

Atë që opozita e Lulzim Bashës nuk po arrinte ta krijonte dot, pra frymën e besimit në një fitore të sigurtë në zgjedhjet e ardhshme, po ia mundëson vetë Edi Rama me sjelljet e tij të fundit. Për herë të parë në këto shtatë vite, frika e tij nga një ballafaqim elektoral është më shumë se e lexueshme.

Nëse deri më sot shumica dërrmuese e shqiptarëve ishte e bindur për dështimet e qeverisë dhe degradimin pa kthim të saj, gjithnjë një pyetje ka mbajtur pezull të ardhmen politike të vendit: A mundet opozita të rrëzojë më zgjedhje një regjim autokratik? Të vetëdijshëm për fuqinë e një pushteti që kontrollon gjithçka dhe luan kudo fijet e interesave, që nga bota e krimit e deri tek bizneset klienteliste, që nga mediat e deri tek instrumentat e drejtësisë, që nga paratë e koncensioneve e deri tek opozita fallco në Kuvend dhe po ashtu të vetëdijshëm për mungesën e një fryme entuziaste të opozitës që do duhej të përfshinte gjithë shoqërinë, qytetarët kanë qenë dyshues për mundësinë e largimit me votë të një regjimi.

Por lëvizjet e fundit të Edi Ramës, po heqin çdo dyshim se pushteti i tij mund të mbajë dhe një mandat të tretë. Kryeministri po luan gjithçka, duke rrezikuar edhe mbështetjen ndërkombëtare, për të sajuar një hibrid elektoral që t’i sigurojë avantazhe në tavolinë në mungesë të përparsisë tek shumica e shqiptarëve. Rama po kërkon edhe lista të hapura por edhe gjysëm të mbyllura, edhe prishje të koalicioneve edhe respektim marrëveshje, duke shpikur ca kritere që të kujtojnë ato të tenderave të qeverisë ku fituesit ishin përcaktuar më parë. Ai po kërkon me çdo kusht provokimin e opozitës, me shpresë të dëgjojë prej saj reagimin ekstrem: nuk futemi në zgjedhje. 

Mirëpo opozita nuk ka pse të prishë me duart e saj perceptimin si humbës që Rama po i krijon vetes, brenda dhe jashtë vendit. Përgjigja normale e pyetjes së përse kryeministri kërkon të sabotojë koalicionet parazgjedhore, si në Tiranë ashtu edhe në Berlin, është e njëjta: Ka frikë nga një humbje e sigurtë në zgjedhjet e ardhshme. Në vend që të provokojë një bojkot të mundshëm të opozitës, Rama po i dhuron asaj atë që nuk arriti ta krijojë vetë, idenë dhe perceptimin e fitores, të cilën pushteti po përpiqet ta pengojë me çdo mjet. Nëse deri dje, partnerët ndërkombëtarë i shihnin me rezerva akuzat e opozitës ndaj Edi Ramës, tentativat e tij për të futur duart në sistemin zgjedhor edhe me riskun e prishjes me ta, nuk lënë asnjë dyshim se ai bën pjesë në atë rracë politikanësh që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të mos e lëshuar pushtetin.

Asnjë kyreministër në Shqipëri nuk është shndërruar si ky i fundit në një karikaturë që deformohet sipas llogarive e frikërave të momentit. Njëherë del prerë kundër listave të hapura me zë dhe figurë, pastaj bën sikur dëgjon apelin qytetar, më vonë nuk i dalin hesapet me lista të hapura 100 përqind dhe i arnon ato, kërkon të ndalojë të tjerët të bëjnë atë që bëri kur erdhi vetë në pushtet, pra një sjellje politike që përkufizohet vetëm dhe vetëm nga mbajtja e pushtetit me çdo çmim. Aq e ekzagjeruar kjo, sa i ka lënë pa gojë edhe mbështetësit e tij më të flaktë që nuk dinë çfarë varianti të mbështesin më parë. Sepse Edi Rama jo vetëm që po i ndryshon në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës por e bën këtë nën trysninë e llogarive që mesa duket nuk po i dalin në asnjë variant.

Përpjekjet e tij janë bërë aq të lexueshme, sa që edhe brenda vetë Partisë Socialiste ka filluar të ndjehet ankthi i humbjes së afërt. Daljet e shpeshta me orë të zgjatura të kryeministrit për të argumentuar çorbën që po gatuan gjoja në emër të interesit të qytetarëve, dëshmojnë pikërisht pasigurinë e tij në përballje me kundërshtarët në një garë me rregulla të ndershme elektorale. Dhe në këtë qerthull ku e ka futur veten, është e sigurtë që do ta thellojë krizën politike dhe do t’i japë dorën e fundit portretit të tij si një lider autokrat që kërkon të eleminojë konkurrencën politike nëpërmjet lojrave me sistemin dhe makinacioneve proceduriale. Edi Rama e ka futur përfundimisht veten në specien e politikanëve që kur u afrohet fundi, mendojnë të bëjnë gjithçka për ta ndalur atë, ndërkohë që vetëm e shpejtojnë dhe e bëjnë më të sigurtë. Për opozitën kjo ishte ëndrra më e bukur e një nate vere. 

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix3 orë më herët

Rikthehet ‘Squid Game’ me sezonin e tretë dhe të fundit

Netflix ka publikuar trailer-in e sezonit final të “Squid Game”. Do të shfaqet më afër nga sa mendoni; më 27...

Mix3 orë më herët

Christian Bale: Të jesh i mërzitshëm është mëkat…

Aktori Christian Bale vitin e shkuar e gjeti veten duke xhiruar tre filma të ndryshëm, dhe ky fakt e bën...

Mix5 orë më herët

Ky truk marketingu i Coco Chanel do t’ju bëjë të dyshoni në rregullat e biznesit

Coco Chanel nuk kishte planifikuar të ndryshonte botën e parfumerisë. Në fakt, në fillim, Chanel No. 5 ishte një dështim....

Mix6 orë më herët

Mashtrimi që tronditi Australinë: Rikthehet historia e Belle Gibson në Netflix

Ishte një histori që preku miliona: një vajzë e re, e bukur dhe e vendosur, që pretendonte se kishte mposhtur...

Mix6 orë më herët

Florence Pugh rrëfen frikën gjatë xhirimeve të “Thunderbolts”

Florence Pugh ka rrëfyer se ishte e bindur se do të vdiste gjatë një skene të rrezikshme që realizoi për...

Radar9 orë më herët

“Berisha do dalë edhe më dobët se në 2021-shin, forcimi i partive të reja çon në shpërbërje të PD-së” – Juristi Spahiu

Juristi Kreshnik Spahiu parashikoi një humbje të thellë të PD-së dhe Sali Berishës në zgjedhjet e 11 majit. Duke komentuar...

Radar9 orë më herët

A i trembet Rama hakmarrjes së heshtur më 11 maj?

Shkruar nga Armand Shkullaku Pse e shqetësojnë Edi Ramën komentet mbi sondazhet, kur ato që kanë rëndësi janë shifrat elektorale?...

Mix1 ditë më herët

Mish i huaj në hundë, shkaqet, simptomat dhe faktorët e rrezikut

Polipet nazale ( mish i huaj në hundë) janë masa beninje jo të dhimbshme që rriten në mukozën e hundës....

Mix1 ditë më herët

Anemia, rrezik i fshehtë për shëndetin! Simptomat që nuk duhet t’i injoroni

Anemia është një gjendje shëndetësore ku trupi nuk prodhon mjaftueshëm qeliza të kuqe të shëndetshme të gjakut ose kur këto...

Mix1 ditë më herët

Pse Rare Beauty e Selena Gomez po zgjedh Substack në vend të Instagramit?

Rrjetet sociale janë të mbingarkuara me përmbajtje të shpejtë dhe të konsumueshme, aty kemi edhe Rare Beauty, marka e grimit...

Facebook