Aktualitet
OSHEE, barku i madh i rropullive të rilindjes
Nga mapo.al
OSHEE është ndoshta korporata më e madhe në vend, ku ka një ndërthurje të madhe të të gjithë tipareve të rilindjes në këto 7 vite qeverisje. Shumë para, punë me mik, nepotizëm, përfitime, dhe abuzime.
Janë të njohura skandalet financiare të kësaj kompanie, të denoncuara nga opozita rregullisht, dhe të konstatuara edhe nga raportet KLSH. Mirëpo, duket se asgjë nuk ka ndryshuar me kalimin e kohës.
OSHEE vijon të ngelet barku i madh i rilindjes ku janë rrasur tërë rropullitë me tendera e me dorovitje shumash të çmendura.
Sot, deputeti Myslym Murrizi, solli në vemendje një fakt trishtues për publikun. OSHEE ka ndërmarrë siç thotë ai një operacion kriminal, duke ndërhyrë në sahatet e abonentëve, për t’i mbifaturuar ata, duke marrë ende gjak nga qytetarët, për të mbushur arkën bosh, sepse arka e ndereve dhe favoreve të parisë së rilindjes, duhet gjithnjë plot.
Dhe për të gjitha këto, është gjetur njeriu i duhur. Prej vitesh, ndërmarrjen e majme dhe më të madhen në vend, e drejton i njëjti person, Ardian Çela. Ikin e vijnë ministra, ndryshojnë konjukturat, e klanet e pushtetit, por ai ngelet.
Ende asnjë verifikim si duhet nga drejtësia, për këtë person që ka dhënë deri në 700 milionë lekë për dy javë trajnime.
Pak javë më parë, PD bëri një denoncim të fortë. Viti 2019, është mbyllur me një humbje prej 64 milionë eurosh nga OSHEE. Si mund të humbë kaq shumë para, një kompani që i merr paratë çdo muaj edhe më nevojtarëve. Një tarifë për të cilën Edi Rama nuk të fal, dhe nuk e vuri në diskutim as në kulmin e pandemisë.
Sigurisht, OSHEE, rilindja, dhe as Kryeministri nuk e sqaruan kurrë në publik, këtë bilanc monstruoz, nuk mbajtën asnjë përgjegjësi, sikur kjo të ishte thjesht puna e tyre, një çeshtje private. Ndërkohë që kemi të bëjmë me paratë, djersën dhe mundin e shqiptarëve.
Po këtë vit të humbjeve spektakolare, OSHEE ka tenderuar 75 milionë euro. Dhe ja ku vijmë te arsyeja kryesore, pse miliardat e dritave, bëhen rrush e kumbulla nga administratori Çela. Sepse, në prokurorimet, në tenderimet e tij, nuk ka garë. Nuk ka konkurencë, ku mund të kursehen para, pasi operatorë të ndryshëm mund të bëjnë të njëjtën punë me më pak financa, e kështu të shpëtojnë arkën e ndërmarrjes.
Tenderat aty janë të paracaktuar, dhe me një garues të vetëm, kryesisht.
Çfarë mund të kursehej nga paratë e shqiptarëve, shkon siç e do zakoni, taraf për shefat.
Kjo është e vërteta e OSHEE-së, që e di çdokush.
Vetëm shihni një zë. 11.4 milionë euro për vitin e kaluar, janë makina të marra me qira, rregullime zyrash, blerje lulesh apo karburanti, të gjitha këto shërbime të ofruara nga klientët e qeverisë.
OSHEE, barku i madh i rropullive të rilindjes, vijon të majmet e t’u kushtojë njerëzve.
Opozita e ka shpallur disa herë Çelën kampion të hajdutërisë. Por nëse do të vijë dita që të marrë drejtimin e vendit, auditi i duhur, i përpiktë për gjithë denoncimet që ka bërë, do të ishte një gur prove për të treguar se sa seriozisht do ta ketë PD luftën ndaj korrupsionit.