Kryesore
Kronika e plotë të infektuarve të deritanishëm në Shqipëri
Nga Exit News
Harta e koronavirusit në Shqipëri, 11 mars 2020.
Prej 9 marsit Shqipëria është në hartën botërore të vendeve të prekura nga koronavirusi me të paktën 12 raste të raportuara, ku një prej të infektuarve ndërroi jetë sot.
Exit News sjell të përmbledhur raportimet që prej ditës së parë.
9 mars – 6 të infektuar
Mjekët diagnostikojnë 2 personat e parë me koronavirus në Shqipëri: babë e bir, 54 vjeç dhe 28 vjeç, rezident në Tiranë.
I riu, i konsideruar pacienti zero, mendohet të ketë infektuar babain pasi është kthyer nga Firence më 26 shkurt. Ai u kthye në Shqipëri duke udhëtuar me makinë nga kufiri me Malin e Zi në Murriqan, ku nuk u kontrollua.
Mjekët vunë në izolim të afërmit dhe nisën testimin e tyre nëse ishin infektuar edhe ata.
Në mbrëmje u diagnostikuan edhe 4 të tjerë, tre të afërm të pacientit zero dhe një 31-vjeçar, gjithashtu rezident në Tiranë, i cili nuk kishte lidhje me të infektuarit e parë.
10 mars – 10 të infektuar
Tre të afërm të tjerë të pacientit zero dhe një 73-vjeçare në Durrës diagnostikohen me koronavirus. E moshuara ishte kthyer nga Italia ku kishte vajtur për t’u mjekuar nga sëmundjet e zemrës.
Nga të infektuarit autoritetet shëndetësore thanë se vetëm 2 ishin të sëmurë dhe të shtruar në spital, ndërsa të tjerët po mbaheshin të izoluar.
11 mars – 1 viktimë, 11 të infektuar
Mjekët diagnostikuan 2 raste të reja me koronavirus, një të afërm të pacientit zero dhe një 78-vjeçar në Lushnjë.
Autoritetet thanë se 3 pacientë ishin të shtruar në spital, 7 të tjerë po mbaheshin në izolim, ndërsa rreth 104 të tjerë u është kërkuar të vetë-izolohen në shtëpi pasi nuk kanë shenja sëmundjeje.
Më vonë, pacientja 73-vjeçare në Durrës ndërroi jetë pak përpara se të dërgohej në Spitalin Infektiv në Tiranë.
Që prej vënies në gatishmëri prej koronavirusit në muajin shkurt, autoritetet shqiptare kanë kryer 157 teste, kanë izoluar si të dyshuar disa nga të afërmit e 3 pacientëve, si raste që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Për t’u informuar më tepër rreth koronavirusit mund të lexoni:
– 9 pyetjet më të shpeshta rreth koronavirusit (kliko këtu)
– Kur duhet të shqetësohemi për koronavirusin (kliko këtu)
– Kush dhe si duhet të vetë-karantinohet? (kliko këtu)
– Masa më e efektshme për parandalimin e prekjes nga koronavirusi (kliko këtu)
– Të gjitha masat e qeverisë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit (kliko këtu)