Lidhu me ne

Kryesore

Kurti i dorëzohet presionit amerikan

Vetëm një ditë pas mesazhit të Sekretarit të Shtetit, Pompeo, kryeministri i Kosovës lajmëroi heqjen  e taksës 100 përqind për lëndën  e parë që vjen nga Serbia.  Megjithëse ky ishte një hap i parë për të testuar gatishmërinë e Serbisë në ndërprerjen e fushatave kundër njohjes së Kosovës dhe  ndaj BE-së për liberalizimin e vizave, opozita vendase e ka kritikuar ashpër për këtë hap, ndërsa nismëtari i taksës, ish  kryeministri Haradinaj do ta quante mashtrues.

Fundjava ishte afati që Përfaqësuesi i Posaçëm Grenell i kishte vendosur qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe.  Megjithëse lajmi nuk ishte zyrtar, por  i raportuar nga mediat vendase përmes burimeve,  presioni amerikan do të theksohej përmes mesazhit të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo gjatë takimit me presidentin Thaçi,  dy ditë më parë. Sipas zëdhënëses së DASh, Sekretari Pompeo do të shprehej se ShBA

pret që Kosova të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, në mënyrë që popujt e të dy vendeve të kenë përfitimet maksimale ekonomike dhe tregtare. “Një hap ky jetik për të rifilluar bisedimet për normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve”,  do të shprehej Pompeo, duke i bërë thirrje Kosovës të shfrytëzojë momentin e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve që synojnë krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit, i nxitur nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Grenell, i cili pak ditë më parë ishte në Uashington së bashku me  ambasadoren Yuri Kim dhe zv/ndihmës sekretarin e shtetit Reeker, ku zbuluan se po koordinonin veprimet për një zgjidhje në Ballkan.

Në më pak se 24 orë nga mesazhi i Sekretarit amerikan të Shtetit, kryeministri Kurti i gjendur përballë presionit për heqjen e taksës që me marrjen e detyrës, do të dilte në një konferencë për shtyp.

Kurti, i cili pas fitimit të zgjedhjeve do të fliste për reciprocitet, në vend të  taksës 100 përqind, tha dje se nga 15 marsi Kosova do të heqë taksën për lëndën  e parë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Kjo, do të shtonte kryeministri kosovar, ishte  shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.

Ai i bëri thirrje Serbisë të zotohet se do t’i japë fund fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të nisë heqjen e barrierave tregtare jo tarifore ndaj Kosovës.

“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jo tarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifat për importet nga Serbia dhe Bosnja”, do të vijonte më tej Kurti, i cili pak ditë më parë do t’i kërkonte Prokurorit të Shtetit hetim ndaj presidentit Thaçi për nënshkrimin e një marrëveshjeje sekrete me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rassmusen më 2013-n, përmes së cilës pretendon se ka  shkelur Kushtetutën.

Kryeministri i ri i Kosovës, i cili do të jetë në krye të negociatave për dialogun me Serbinë, do t’i bënte thirrje edhe Bashkimit Europian, për të marrë në konsideratë vendimin e qeverisë së tij për heqjen e taksës duke i ofruar liberalizimin e vizave. Megjithëse Merkel dhe Macron prillin e kaluar i kërkuan kryeministrit Haradinaj heqjen e taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe, gjatë takimit të Berlinit me liderët e Ballkanit Perëndimor, nuk pati asnjë premtim për liberalizimin e vizave. Më i zhgënjyeri nga ai takim do të dilte presidenti Thaçi, i cili deklaroi se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të rifillonte pa rolin e ShBA-së dhe se Kosova po diskriminohej me mosliberalizimin e vizave.

Thaçi madje atëkohë do të mbështeste taksën ndaj mallrave serbe si vendim i drejtë dhe legjitim, megjithëse kryeministri Haradinaj  do të deklaronte në media se kish pasur  presion ë të madh për heqjen e taksës nga presidenti i Kosovës dhe kryeministri shqiptar, Rama.

Kurti do të kërkonte liberalizimin e vizave nga BE para samitit të Zagrebit, në maj të këtij viti.

Megjithëse përtej lëshimit të parë që Kurti  do të bënte ndaj tarifës së vendosur në nëntor të 2018-s  nga Haradinaj, pasi Serbia vendosi veton për futjen e Kosovës në Interpol,  ai ka vendosur kushte për ta rikthyer situatën siç është prej datës 1 prill e për të nisur zbatimin gradual të parimit të reciprocitetit.  Parim ky që kërkon nga Serbia të njohë targat dhe patentat e Kosovës.

“Nëse Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të qeverisë së Kosovës për eliminimin e barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës duke filluar nga 1 prilli do të fillojë zbatimin e gradual të parimit të reciprocitetit, fillimisht në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike”, do të thoshte Kurti, duke i lënë një periudhë 90 ditore reflektimi qeverisë serbe dhe në rast të kundërt, nga 15 qershori do të rikthejë tarifat për importet nga Serbia.

Ish-kryeministri Haradinaj, i cili me dorëzimin e detyrës i bëri thirrje Kurtit të mos e hiqte taksën, do të reagonte menjëherë dje duke e quajtur kryeministrin e ri “mashtrues”.

“Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!”, shkruante Haradinaj, i cili nuk sheh asnjë garanci se heqja e taksës 100% për produktet e Serbisë do të sjellë  Marrëveshjen Finale për njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Ashtu siç ka këmbëngulur prej më se një viti se taksa do të hiqej kur Serbia të njihte Kosovën si shtet,  Haradinaj do të vijonte me thirrjet ndaj kryeministrit të ri që taksa të mos hiqej pa njohje.

“Nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta kesh përkrahjen time dhe të Aleancës. Nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar, do të të mbajmë përgjegjës për pasojat”, shkruante Haradinaj pak ditë më parë.

Edhe presidenti serb Vuçiç, për mediat vendase do të thoshte se në fund të vitit pritej të merrnin një propozim për ofertën, të cilën nuk do të ishin në gjendje ta refuzonin.  Nga Moska, ministri i Jashtëm Lavrov, do të thoshte se Rusia ishte për arritjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, porse  kjo e fundit do të duhet të njihte komunat serbe. Megjithëse Kurti është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve, duke e parë si hapjen e kutisë së Pandorës, në një intervistë të disa ditëve më parë do të thoshte se projekti ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur.

Pas muajsh ngrirje të bisedimeve, që u fol se po çonte drejt një marrëveshje për korrigjim territoresh mes dy vendeve, të cilat Thaçi do t’i quante korrigjim të padrejtësive, dy vendet po afrohen përmes marrëveshjeve të nxitura nga ShBA, si ajo e linjave ajrore dhe hekurudhore, ndërsa heqja e taksës do të çojë në një tjetër hap për rinisjen e dialogut, ndërsa Amerika kërkon arritjen e marrëveshjes finale duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë përmes përfaqësuesve të posaccëm në Ballkan.

Sekretari i Shtetit Michael Pompeo i bëri thirrje Kosovës të heqë tarifat ndaj mallrave serbe.

Sipas njoftimit të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus, gjatë takimit me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi të mërkurën, Sekretari Pompeo i bëri thirrje Kosovës të shfrytëzojë momentin e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve që synojnë krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Sekretari i Shtetit, sipas zëdhënëses, ripohoi partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe mbështetjen për një Kosovë të pavarur dhe sovrane.

Sekretari Pompeo përshëndeti zgjedhjet e fundit dhe formimin e qeverisë së re, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik për begatinë e Kosovës.

Thaçi pas takimit me Pompeon: SHBA, interesim i ri për Kosovën

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha pas takimit me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo në Departamentin e Shtetit se politika kosovare, partitë politike dhe qeveria duhet të orientohen dhe të marrin vendimet që i përkasin kultivimit të partneritetit strategjik me SHBA.

Duke komentuar për Zërin e Amerikës menjëherë pas takimit, ai tha se “është qëndrim i qartë i SHBA që Kosova ka nevojë të prodhojë argumente pozitive për të lehtësuar mbështetjen e SHBA-ve për zhvillimet në Kosovë, për zhvillimin e saj ekonomik”.

Ai tha se nuk është i arsyeshëm konfrontimi me dikë për të lënduar raportet strategjike me SHBA, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. “Por para së gjithash ne jemi të bekuar me këtë interesim të ri dhe konkret të SHBA për Kosovën,” tha Presidenti i Kosovës.

Zoti Thaçi tha se i kërkoi Sekretarit Pompeo që roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë. Ai tha se kishte marrë zotimin e tij e në të njëjtën kohë kishte shfaqur edhe zotimin e Kosovës “që të jemi sa më shpejtë pjesë e Nato-s, sepse kemi një ushtri profesionale dhe multietnike.”

Zoti Thaçi komentoi edhe për kritikat e kryeministrit Albin Kurti për atë që ai e quan shkelje të Kushtetutës nga zoti Thaçi kur ishte kryeministër lidhur me marrëdhëniet e FSK-së me NATO-n. Presidenti i Kosovës tha: “Kosova është e bekuar që ka Naton në Kosovë dhe ky partneritet vetëm sa do të avancohet derisa të jetë Kosova pjesë e Natos. Shqetësim për Kosovën është paranoja për NATO-n dhe jo prezenca e NATO-s”. Presidenti Thaçi u prit gjithashtu me ceremoni në Departamentin e Mbrojtjes.

Veseli reagon për heqjen e taksës: Po del që është i padijshëm, i dobët dhe mashtrues

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas paralajmërimit të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe, ndërsa ka theksuar se Albin Kurti duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa kanë pritur të tjerët.

Lideri i opozitës ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Albin Kurti po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht.

“Asgjë e re nga Albini! Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar.

Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq Qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët.

E mendonte veten si më të mençurin dhe më të fortin; sikur të ishte vetë Kosova. Po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht”, shkruan Veseli.

MË TEPËR

Sport1 ditë më herët

Kriza e mbrojtjes te Reali, 55 dëmtime në tri sezone

Dëmtimet e fundit të Rydiger, Ferland Mendi dhe David Alaba plotësojnë shembjen përfundimtare të mbrojtjes së Realit të Madridit. “Muri...

Mix1 ditë më herët

9 qytetet më të lira dhe më të bukura në Evropë, ja ku renditet Tirana

Të gjithë e dimë që mundësia për të gjetur oferta të mira gjatë verës është e pakët në destinacione të...

Mix1 ditë më herët

Simon Sinek, nga TED Talk në fenomen global

Simon Sinek është një mendimtar modern, një autor dhe folës publik që ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si liderët dhe...

Mix1 ditë më herët

Metabolizmi dhe plakja e trurit

Mark P. Mattson Plakja manifestohet si një rënie e pakthyeshme e funksionit të të gjitha sistemeve të organeve për shkak...

Mix1 ditë më herët

8 alergjitë më të rralla ushqimore!

Alergjitë ushqimore variojnë nga të lehta deri në ato që rrezikojnë jetën. Nëse ju keni një alergji ekstreme ushqimore, ju...

Mix1 ditë më herët

Mark Zuckerberg zbulon dietën dhe rutinën që kanë kontribuar në suksesin e tij

CEO i Meta, Mark Zuckerberg, ka habitur publikun me rrëfimin e fundit për stilin e jetesës së tij. Në një...

Mix1 ditë më herët

Punët që do të zhduken të parat ndërsa Inteligjenca Artificiale po pushton vendet e punës

Artikulli më i fundit nga Forbes i shkruar nga Jack Kelly më 25 prill 2025, me titullin “The Jobs That...

Mix1 ditë më herët

Labubu – lodra e çuditshme që po pushton botën

Labubu është një personazh lodër që ka fituar zemrat e shumë njerëzve në mbarë botën. Ajo është krijuar nga ilustratori...

Mix1 ditë më herët

Lyst publikon listën e 10 markave më të kërkuara të modës për fillimin e vitit 2025

Lyst, platforma globale e kërkimit të modës, ka publikuar renditjen e saj të përmuajshme për tremujorin e parë të vitit...

Mix1 ditë më herët

Nga viti 2005 deri më sot: këto janë videot që bënë histori në YouTube sipas shikimeve

“Me at the Zoo”, ky ishte titulli i videos së parë të ngarkuar në YouTube. Jawed Karim nisi atë që...

Facebook