Kryesore
Zëri i Amerikës, jehonë protestës kundër ndërtimeve tek Parku i Liqenit
Të shtunën në Tiranë, disa qindra qytetarë, studentë dhe veprimtarë të mjedisit zhvilluan një marshim proteste në mbrojtje të Parkut të Liqenit nga ndërtimet e reja që po bëhen atje.
Ata e nisën protestën para bashkisë, ku kërkuan ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe transparencë për projektet, që po shtrojnë atje platforma betoni për një kënd lojërash për fëmijët.
Më pas ata rrethuan kantierin e ndërtimit dhe shprehën revoltën e tyre ndaj punimeve, të cilat po e shkatërrojnë parkun, sipas tyre, në emër të gjoja një këndi lojërash.
Oratorët pohuan se protestat janë kundër betonizimit të parkut dhe arrogancës së zyrtarëve përballë këtij shqetësimi të qytetarëve.
Ata thanë se kryeqyteti po shpërfytyrohet me projekte betonizimi në mes të parkut nga klientë të qeverisë, që po u rrëmbejnë qytetarëve hapësirave publike
Protestat e veprimtarëve të mjedisit kundër këtij kantieri betoni në mes të parkut po vazhdojnë prej një muaji.
Ata janë përplasur disa herë me policinë, që ka bërë arrestime, ndërsa betonieret kanë vazhduar punën me shpejtësi natën.
Protestuesit thonë se janë në mbrojtje të Parkut, sepse ai është e vetmja hapësirë e gjelbër publike në Tiranë./VOA/
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu