Lidhu me ne

Aktualitet

Edhe Mero Baze kritikon rilindjen: Mandati i dytë i Ramës ka hyrë në ngërç

mero baze ile ilgili görsel sonucu

Nga Mero Baze –

Sot në redaksi kanë ardhur dy njoftime për të njëjtën çështje. Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, thotë në një njoftim zyrtar se:

“Parlamenti grek ka ratifikuar ditën e sotme njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë”.

Cakaj shpjegon se kjo marrëveshje lehtëson lëvizjen e shtetasve grekë dhe shqiptarë, si dhe kursen kohën e tyre nga procedurat e zgjatura dhe paratë e shumta për pajisjen me leje drejtimi.

“Ratifikimi i kësaj marrëveshje është në frymën e përpjekjeve të diplomacisë shqiptare për të ndërlidhur objektivat madhorë të politikës së jashtme me çështjet ditore të shqiptarëve”, theksoi në mbyllje të postimit të tij Cakaj.

Paralelisht me të, ish- ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, poston me zë dhe figurë një tjetër komunikatë:

“Të dashur motra dhe vëllezër,

Parlamenti grek sapo ratifikoi marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Megjithëse një hap i vonuar, ky është një lajm i mirë pasi marrëveshja e firmosur që në 11 maj 2018, pjesë e paketës së çështjeve të pazgjidhura Shqipëri-Greqi, i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë dhe grekë…”

Që më në fund Parlamenti grek e ratifikoi pas dy vitesh atë vendimin për njohjen e patentave, nuk është arritje, por thjesht një procedurë burokratike, që Greqia e ka miratuar kur nuk kishte çfarë të bënte ndonjë gjë tjetër. Ka qenë një copë letër thuajse e harruar nga qeveria e mëparshme, për të cilën flet zoti Bushati, dhe për të cilën nuk ka ndonjë meritë as zoti Cakaj.

Aq banale është vonesa, sa as Parlamenti grek nuk meriton të falenderohet, se e ka bërë në limitet ekstreme, pa asnjë pikë dëshire. Por atyre nuk kemi çfarë t’u themi, se kanë punën e tyre.

E solla këtë shembull për të ilustruar një fenomen të shëmtuar që bie në sy në sjelljet e ministrave të Edi Ramës, kur janë në detyrë dhe pasi ikin nga detyra.

Ajo që e bën joserioz shtetin shqiptar, është vrapi i ministrave dhe ish- ministrave, që t’i referohen ndonjë arritje shtetërore, si meritë e tyre personale, dhe akoma më keq, lufta personale ndaj njëri- tjetrit, duke bllokuar shumë punë të shtetit që i ka nisur paraardhësi i tyre, qoftë ky ministër apo zyrtar i lartë.

E kam vënë re këtë jo vetëm tek sjelljet e Bushatit ndaj Cakajt, të cilat janë kthyer në argëtim mbarëkombëtar, por dhe të ish- ministrave të tjerë dhe ministrave në detyrë, për ndonjë projekt që ka nisur fjala vjen më 2016 dhe mbaron më 2019, për ndonjë vepër që ka nisur në mandatin e një ministri e përfundon në mandatin e ministrit tjetër, pale më pastaj për ndonjë tender që ka nisur në kohën e njërit e nuk mbaron kurrë pa u anulluar në kohën e tjetrit.

FIllojnë e deklarohen në shtyp të dy palët, a thua se secili e ka kontribut personal detyrën si ministër.

Kjo është po aq joserioze, sa lufta që çdo ministër i ri u shpall ministrave të vjetër sapo futet në zyrë, jo vetëm duke hequr njerëzit e tij, por duke stopuar çdo projekt dhe duke e rinisur nga e para. A thua se po ndërrohen regjime politike, dhe jo lëvizje brenda një partie në pushtet.

Mandati i dytë i Edi Ramës në këtë pikë, është një dramë e vërtetë, që ka hyrë në ngërç më shumë nga lufta e të vetëve me njëri- tjetrin, se sa nga molotovët e opozitës.

Falë këtyre hallakatjeve ne kemi sot projekte që janë stopuar dhe rishikohen me lupë, nga inati i pasardhësit, duke çuar në ekstrem vonesat e realizimit të tyre.

Cakaj gërmoi çdo emërim nepotik të Ditmirit, dhe gjithë arritjet e tij deri tani, janë heqje targash, pasaportash dhe një liste nëpunësish. Kjo nuk e bën Ditmirin pa faj për ato emërime, por akomë më shumë bën qesharake gjithë historinë e Ministrisë së Jashtme, kur dy ministra gëzohen në një ditë për një patentë.

Një shembull që ulërin është rruga Kardhiq- Delvinë e nisur më 2007 dhe që po kalon 2020, duke u hetuar nga çdo drejtor rrugësh, çfarë ka bërë i mëparshmi. Në fakt, askush s’ka bërë asgjë.

Nuk di kush do lavdërohet kur të mbarojë ajo rrugë, por Sokol Olldashi që e nisi, ka vdekur, Haxhinasto që e konservoi tre vjet me shpresë ta bënte PPP, nuk besoj se ka interes, Gjiknuri që me zor e aktivizoi, ju anulua, Balluku që u duk se e rinisi më në fund tunelin, hyri në luftë me drejtoreshën e saj dhe në fund e pësoi sërisht tuneli.

Drejtoria e rrugëve ka një vit që e zë dhe e lë, dhe një dreq e di ku do shkojë, fundi i të vetmes rrugë efiçente të Shqipërisë, që duhet të ishte në krye të gjithë rrugëve kot që bëhen, për t’i bërë ndere sekserëve pas tyre.

Nuk dua t’i zë gjithë Ministritë më radhë, por nga e para tek e fundit është po kjo histori. Historitë e tyre të kujtojnë atë sjelljen karagjoze të Lulzim Bashës, që pasi fjeti katër vjet në Bashki, kur fitoi Veliaj, dilte çdo ditë e thoshte ai të vazhdojë vizionin tim, se ja kam lënë gati.

Dhe jam i sigurtë se dështimet nuk i merr njeri përsipër. Dhe kanë aq pak balancë personale pas këtyre luftërave idiote, sa ndodh si kjo puna e patentave në Greqi, që edhe pse Parlamenti grek na ka fyer në palcë me vonesën për ratifikim, kemi dy deklarata triumfi brenda ditës, pa llogaritur kryeministrin, që është realisht dhe ministër i Jashtëm.

Ai na ka shtuar dhe lajmin për patentat me Gjermaninë. Shpresoj që kur kjo marrëveshje të marrë jetë, kryeministër do të jetë dikush tjetër pas Edi Ramës, por Edi Rama nuk besoj se do postojë video me zë e figurë, dhe të na mburret që e nisi ai këtë punë historike.

Kjo është mendësia e njerëzve që mendojnë se shteti është i ministrave dhe jo që ministrat janë thjeshtë zyrtarë të shtetit.

Gazeta “Tema”

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix39 minuta më herët

Çfarë ndodh në organizëm nëse nuk hani sheqer për 10 ditë

Sheqeri ka një efekt shkatërrimtar në organizëm dhe nxit shfaqjen e shumë problemeve dhe sëmundjeve shëndetësore siç janë: diabeti i...

Mix45 minuta më herët

Faktori që ndikon në shtimin në peshë – Këshillat që ju duhen

Ushqyerja e keqe dhe shtimi në peshë janë pjesë e një cikli vicioz që rrezikon shëndetin jo vetëm të të...

Mix47 minuta më herët

Përfitimet e pafundme nga lëngu i mandarinës

Kjo është stina e mandarinave. Ky frut i shijshëm pak më i vogël se portokalli mund të hahet në formën...

Mix49 minuta më herët

Speci djegës – Si ta përdorni për shëndetin e zemrës

Speci i kuq djegës është përdorur prej mijëra vitesh kundër disa problemeve shëndetsore. Këtu përfshihet urthi, kllapia, sëmundjet e stomakut,...

Radar1 orë më herët

-Hej, Siri, a mund të më gjesh një mik të besueshëm?

Nga Ornela Çuçi “Popujt zakonisht i këndojnë virtyteve që nuk i kanë” më tha kolegia ime nga Kosta Rika në...

Mix1 orë më herët

Spotify publikon listën me këngët më të dëgjuara në historinë e saj

Aplikacioni muzikor Spotify ka ndarë një listë të 10 këngëve më të transmetuara në historinë e tij. Spotify është bërë...

Mix2 orë më herët

Andrea Toska, 14-vjeçari shqiptar që u shpërblye nga Samsung pasi zbuloi defektin në softuerin e tyre

Andrea Toska është një 14-vjeçar shqiptar, i cili ka arritur të zbulojë një defekt në softuerin e telefonave celularë Samsung...

Mix2 orë më herët

Qumështi i shtrydhur me pompë më pak i shëndetshëm sesa ushqyerja direkt nga gjiri?

Qumështi i gjirit i shtrydhur me pompë mund të mos jetë aq i shëndetshëm për fëmijët, sa qumështi i dhënë direkt nga...

Kioske2 orë më herët

Nëse nevojën për politikanë të rinj opozitarë do ta kishte përmbushur PD …

Nga Indrit Vokshi Partitë e reja Lulëzuan sepse degradoi PD-ja. Në raport me to, Fevziu, Sandri, Carlo, Vjollca, Irfani, Ylli,...

Mix3 orë më herët

Arsyeja absurde pse Mark Zuckerberg eliminoi fact checking nga Facebook

Lajmi për eliminimin e verifikimit të fakteve nga palët e treta nga rrjetet sociale Meta ka ngjallur jo pak komente...

Facebook