Aktualitet
Testi Nikolla, “shkëlqejnë” arsimtarët e fshatit
Dy muaj pas testimit për 17 mijë e 613 mësues e drejtues shkollash në rrethe, pjesa dërrmuese kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme, ndërsa vetëm çereku i mësuesve mund të thuhet se janë të plotësuar. Ndërsa 12% e totalit kanë nevoja të domosdoshme për përmirësim.
Zhvillimi profesional e planifikimi i një ore mësimi janë fushat ku mësuesit shfaqin mangësi të theksuara. Etika e komunikimi është fusha ku ata paraqiten më mirë, ndonëse rezultatet janë ende larg pikëve maksimale e vlerave që duhet të demonstrojë mësuesi në shkollë në marrëdhënie me nxënës, prindër e kolegë. Analiza e të dhënave ka përmbysur idenë se shkollat e fshatrave janë më të prapambetura.
Përkundrazi, mësuesit e shkollave të fshatit kanë marrë më shumë pikë në test se ato në qytet. Drejtoritë arsimore me rezultate më të larta janë Berati e Shkodra, ndërsa të fundit në listë qëndrojnë Dibra e Vlora. Bazuar në profilin e lëndës, mësuesit e gjuhës së huaj, gjuhës shqipe, matematikës e biokimisë kanë marrë rezultate të larta.
Më të dobëtit janë profilet lëndore të shkollave social-kulturore, pasuar nga arsimi profesional dhe ai parashkollor. Vjetërsia në punë dhe kualifikimi duket se nuk ndikojnë në dijet e më- suesve. Në testimin e ministrisë rezultuan më mirë mësuesit me përvojë pune 5-20 vite. Po ashtu, rezultatet treguan se nuk ka lidhje mes kategorisë së kualifikimit dhe vlerësimit të mësuesve.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu