Kritike
Stop! Masakrimit të gjuhës shqipe
Përmbi shqipen tonë,
Po bëhet masakër,
Ah që nuk jam Zoti,
T’i korrja me drapër!
Të korrja bastardët,
Që këtu frymojnë,
Që shqipen e shenjtë,
Po e masakrojnë!
Është gjuha shqipe,
Gjuha e perëndive,
Në shekuj e ruajtëm,
Si dritën e syve!
Një gjuhë për Zota,
Ka qenë vërtetë,
Ka, që nga Rilindja,
Dëshmorët e vetë!
Dy dëshmorë të saj,
Besoj se i dini,
Njeri Dhaskal Todri,
Tjetri Petro Nini.
Në kohë të Enverit,
Gjuha jonë amtare,
U vendos në shina,
Me normën letrare!
Kongresi i drejtshkrimit,
Këtë e ka vulosur,
Po deti i gjuhës,
Është i përsosur!
Atentat i rënd,
Mbi gjuhën e nënës,
Këtu më së pari,
Janë tekstet e këngës!
Në fund na e solli,
Made in Elvana,
Një karikaturë:
Me tana, me tana!
Fillon gegërisht,
Vijon toskërisht,
Dhe në fund produkti,
Del një mutërisht!
Halli i vetëm s’janë,
Mostrat që këndojnë,
Shumë nuk dinë të shkruajnë,
Dhe as të lexojnë!
Jo njerëzit e thjeshtë,
Që në llaç punojnë,
Po edhe pushtetarët,
Që vetëm drejtojnë!
Si çdo vlerë shqiptare,
Që për turp u zhgrye,
Dhe analfabetizmi
Sërish na u kthye!
Mbi shqipen e shenjtë,
U bë batërdi,
Dhe kjo gjëmë na ndodhi,
Në demokraci!
Arben Duka