Kryesore
Një popull që ka humbur paratë, nderin dhe guximin
Klementin Mile
Vigjilja e festave të fundvitit na gjen me disa fakte që nuk japin kurrfarë arsyeje për të festuar. Fundviti i gjen shqiptarët më të varfër se më parë. I gjen më të papunë se më parë. I gjen më të vjedhur se më parë. I gjen më të pashpresë se më parë.
Kushdo që i dyshon këto fakte, le t’i hedhë një shikim xhepit të vet. Pastaj të shohë raportin e KLSH-së për shpërdorimet dhe abuzimet me buxhetin e shtetit. Pastaj të shohë shifrat zyrtare të papunësisë në vend. Pastaj të shohë sa kohë ka që zgjat kriza politike, sa skandale i kanë shpërthyer ndërkohë qeverisë dhe sa është numri i atyre që duan të largohen nga Shqipëria sa më parë.
Po pse këtij populli i ofron shërbime publike skandaloze, i nëpërkëmben të drejtat, nuk i jepet fare llogari dhe vidhet nga të gjitha anët? Çfarë tipari, ndoshta tipik i shqiptarëve, i bën ata pre e lehtë për abuzuesit me pushtetin, për të zhvilluar korrupsionin dhe, si pasojë e këtyre, për t’u përkeqësuar dhe rrezikuar jetën?
Gëte ka një poezi të famshme, në të cilën përvijon disa gjëra të rëndësishme për jetën e njeriut. “Para ke humbur?/Diçka ke humbur”, thotë Gëte. Padyshim, kjo është një humbje që duhet marrë në konsideratë, por, siç thotë poeti, është një humbje e vogël në krahasim me të tjerat që vijnë më pas. Si pasojë e politikave kundër interesit publik, por edhe e korrupsionit masiv, shqiptarët e gjejnë veten sot pa para, më të varfër se më parë. E megjithatë, ky nuk mund të jetë shkaku për nivelin e mjerë të shërbimeve publike që u ofrojnë, për shkeljen e të drejtave, mospërfilljen prej shtetit dhe vlerën e ulët të jetës së tyre. Po të mos jenë problemet e tjera, ky i parave është i zgjidhshëm. “Duhet të mendosh/të tjera të fitosh”.
Situata bëhet më e rëndë kur ke humbur nderin. “Nderin ke humbur?/Shumë ke humbur”. Por ashtu si një individ, nderin mund ta humbë edhe një popull. Kështu, shqiptarët e kanë humbur nderin më shumë se një herë. Ata e kanë humbur nderin kur pranuan zgjedhje lokale të llojit monist; e kanë humbur nderin përgjatë viteve ndërsa e kanë shitur votën e tyre për një thes miell, një copë rrugë, një telefon, ose një dorë para; e kanë humbur nderin teksa kanë duartrokitur hajdutë dhe kriminelë si përfaqësues të tyre. Për indivin, Gëte e jep një zgjidhje, paçka se humbja e nderit është shumë e rëndë. “Duhet famë të fitosh/mendimin e të tjerëve ta ndërrosh”. Një individi mund t’i duhet thuajse gjithë jeta për ta fituar famën e nevojshme. Një populli, nga ana tjetër, mund t’i duhen disa jetë (pra shekuj) për ta rifituar nderin e humbur. Jo më kot kultura ndryshon aq ngadalë.
Por nuk ka më keq se të humbësh guximin. “Guximin ke humbur?/Gjithçka ke humbur”. Një popull ka tri mënyra për të reaguar ndaj qeverisë së vet: të ikë, të ulë kokën, ose të ngrejë zërin. Populli që ka humbur guximin arrin të shohë dhe praktikojë vetëm dy mundësitë e para. Sot gjysma e shqiptarëve duan të ikin prej këtij vendi, kësaj qeverie dhe këtij shteti. Gjysma tjetër ul kokën dhe kyç gojën përballë padrejtësive dhe korrupsionit me të cilat ndeshet. Me gishtat e dorës numërohen të guximshmit, ata që ngrenë zërin për të drejtat e tyre. Humbja e guximit nuk është problem, por katastrofë. Sepse për të, qofsh individ apo popull, nuk ka zgjidhje. “Të jesh i bindur/Do ishte më mirë të mos kishe lindur”./Gazeta Liberale