Kryesore
Rama – qeni që pret gazetarët
Cinizmi dhe fyerja publike e kryeministrit ndaj gazetarëve sot theu një tjetër rekord.
Nga Denis Dyrnjaja
Cinizmi dhe fyerja publike e kryeministrit ndaj gazetarëve sot theu një tjetër rekord. Ndërsa një qen lihte gjatë inspektimit të Ramës në Kashar, ai iu thoshte banorëve se ai leh se pret gazetarët.
Fyerje më të turpshme më depersonalisuese dhe diskriminuese se kjo nuk mund të ketë në një kohë që e gjithë media dhe gazetarët janë me mision çdo ditë e natë pa ndalim për informimin e publikut në këtë situatë të emergjencës kombëtare.
A ka të meta dhe gabime në raportimet e gazetarëve? Apsolutisht që po.
Por çdo raportim i gabuar i çdo gazetari, nuk është më i rëndë se një leje ndërtimi e gabuar dhe e korruptuar që rrezikon jetën e njerëzve. Nuk është kurrë gabimi i një gazetari më i rëndë se papërgjegjshmëria e qeverisë që nuk kishte marrë asnjë masë pas tërmetit të 21 shtatorit dhe asnjë strukturë nuk ishte në gatishmëri ndërkohë që u paralajmërua në vazhdimësi se aktiviteti sizmik në vend dhe rajon është në nivele të larta.
Nuk është gabimi i çdo gazetari më i rëndë se përgjegjësia penale dhe civile e çdo kryebashkiaku të djeshëm dhe të sotëm, qeveritari të djeshëm dhe të sotëm që kanë lejuar me veprime ose mosveprime që sot të gjendemi në këtë situatë ku pallatet këputen në dysh, e njërëzit kanë mbetur mes katër rrugëve, ku burrat qajnë si fëmijë para kamerave e grave e nënave s’u del lot nga sytë nga shoku i pësuar, sepse nuk mund të jetojnë me propagandë dhe me kurajo banale me batuta “o më mirë eee…?
Njerëzit kanë nevojë për dinjitet, jo për sfidën e forcës personale të sypatrembësisë së kryeministrit që iu thotë se ai vetë nuk lëviz nga krevati në ‘bunkerin’ e vet kur bie tërmet.
****
Nga faqja e autorit në Facebook