Letersi Poezi nga Bilbil Beqiri Bilbil Beqiri Brirë tymi Poezi Vëllimi poetik “Brirë tymi” Autor: Bilbil Beqiri Redaktor: Agron Tufa Tiranë 2012 Poezia Në ëndërr lindim e zgjohemi në jetë. Vargjet ndizen më për t’mos u shuar. Të zeza na kaplojnë në zhgjëndërr retë: ne poezinë e mbysim, ja, me këto duar. Do ta ketë një ndëshkim dhe ky krim; nëse jo sot, nesër patjetër do të vijë: do çahet korraca e shpirtit në shpërthim dhe vargu i pathënë, më fort do të shndrijë. Dremitje Turma të shkujdesura si milingonat para shiut. Si pëllumbat që presin thërrime, të hallakatura, të zgjidhura, si tespihet. Njerëz mbathur me çizme t’pluhurosura. Në verë, në dimër, çizme balte. Ajër pa oksigjen thithin mushkëritë e bukosura. Asfalti si rërë shkretëtire që shpirtin kall. Dëgjohet një këngë diku në mëhallë. Një zë këndon të mbajë shpresën gjallë. Dëshmorit Në betejë ai u hodh i pari në sulm… Shigjeta në zemër ia prishi këtë rregull; kaptoi shtatë qiej… kur mbërriti në kulm, kurmin e përgjakur ia lau një engjëll. “Gjallë jam”, thotë, “pse po derdhni lot”? E netësh të kthjellta shndrit si meteor. Dhe që prej asaj dite e deri më sot – Për vdekjen e tij, s’di gjë ky qiellor . Syrgjyn Shiu i mbrëmjes qan me dënesë e ti, si vesë e patretur në harresë, m’i pushton viset e mendjes mes trishtimit dhe haresë. Piklat e shiut rrëshqasin mbi qelq, si lot e lumturia plakë nga shpirti s’të shkul dot. Po fryn era brenda meje e rrebeshet syve s’u marrin leje. I pashtëpi yll endacak tërë qielli ishte i yti pas dritës çmendurak drita të mbyti natën kishe jetë me dritën që të vrau mbete i dashuruar Kuvendim me mend Të ngremë dolli për dashuri; jo për ato që fati na dhuroi, për ato që fati na ndryshoi. Skëterra e shpirtit Lot ,lot pa pushim në mesnatën e errët për të shuar llavën e alltë të skëterrës. Mes lotësh shkon mesnata pendimesh papushim, për ta shuar llavën, kraterin e shpirtit tim. Furur Vendi im, një hap para, një hap prapa. Vetëm njerëzit s’janë si qëmoti. Në kafene, në pijetore, në shkëlqim të rremë – fryrë si deshë këmbore, bëjnë qyfyre kot së koti, Flenë pa kënduar urata Dhe zgjohen me “Dhëntë Zoti”. Etje Det i dashurisë e kishte magjepsur, etjen e madhe s’e mbante dot fshehur. Që etjen ta shuante piu e piu nga deti, piu, por etja ju shtua gjersa vdiq i shkreti. Pa shpresë Në shkëmbin e brymtë ngrihej ndërtesa e zymtë ku drita s’hynte, e mallkimi frynte. Korbat ndillnin kob e zi: një djalë i ri bëri veten fli; s’i duronte njerëzit e hirtë, jetën në burg, gjoja liritë, donte të dashuronte dashurinë. S’ia kishte ënda të bëhej murg, as të martohej me vetminë. Jashtë Nga maja e malit nisej rrëke e gjatë, rridhte ditë e natë. Ëndërronte, ngulmonte në det të tretej, të bëhej valë e aty të mbetej. Dikur, në kthetrat e mallit, rrëke e gjorë Zuri të vajtonte. Kthjelltësinë kishte humbur. Malin kërkonte. Humbje U njohëm atëherë… Të humba kot. U largove atëherë… Të kujtova sot. Në sy mbin një lot… Lot i zjarrtë-valë. Lot krejt pa fat… S’e lan atë mëkat Orë rëre Ditën që linda një orë rëre m’u dha. Ditë për ditë rritem, rrjedh rëra ca nga ca. Ndiz e fik dritën si xixëllonjë – çdo rrahje zemre shkruan nga një shkronjë. Syri ç’më pa, ç’më desh dora bëra, dhe mendjen më s’e çova te rëra. Por ime më zuri të vajtonte “unë e mjera”: një qivur i kuq qëndronte te dera. Vrapova të shihja sa rërë kishte mbetur: S’kisha si ta shihja… A sheh një i vdekur? * * * Manushaqe e bukur plot hijeshi, Lule ngjyrashumë, sa një ylber! Sa dehëse aroma që shpërndan ti, kur më derdhesh shpirtit pikëvrer. Edhe ty puhizë ta dua fshehtësinë, që me butësi gjithë afsh ledhaton. Muzgjesh kur gjethet fëshfërijnë stuhinë e natës ti vjen e më kujton. Sikur shtatin ma ngjeth një korrent tre fazë Dhe si i lojtur bëhem për një çast. Ti në gishtin e hollë mban një unazë dhe grushtat shtrënguar pas murit përplas. Ti me dhe fjalën e madhe jo më larg se dje. Me thuaj, të lutem, mos është ajo lojë Ku unë jam Mexhnuni dhe ti je Lejla? Mexhnuni pa Lejlën s’mund të jetojë. Eh, dreqi të marrtë dhe ty, o djall i mallkuar! Dashurisë udhëmirë s’di pse i ngrite pusi. Të brishtën zemër ma shkule nga këto duar Dhe me një tjetër, më mizore, bëre tregti. Kërkesë Erë e mallkuar pse sillesh vërdallë? Këtu, cung, do të rri deri në mëngjes. Sillma aromën e saj të mbaj shpirtin gjallë, të jetoj edhe pak… edhe pak të pres. Nëse do të vish Eja thjesht, si njeri, pa trastat mbushur plot, pa flori, pa stoli, trokit në derë me dashuri, e portat e sarajeve të shpirtit do t’i hap dy kanatesh për ty. Po nëse do vish, me një trëndafil, pa dashuri ujitur, me një rrugë, pa dashuri stisur, a si njeri, pa dashuri rritur – kurrë mos eja të më gënjesh: të gjitha portat e sarajeve të shpirtit, deri në fund… të kyçura do t’i gjesh. Mbase Ujëvarë xanxare, bëma këtë nder! Si uji, që në fund të shkëmbit prahet, Nga maja zbrit pa poterë e bjer… Mbase sorkadhja vjen e lahet… Shpërfillje Toka s’është e sheshtë si një arë me grurë – shpalli DIJETARI, zbulimin e pafat. Mblodhën turrën e madhe me dru, ndezën për të ziun zjarrin bubulak. Tokën e rrumbullakët përpara TIJ, njëmijë e dinin, por u mungonte guximi. Ç’e do? Kishin të gjorët gra dhe fëmijë… Për një copë tokë, s’bëhej kush hero! Acar Si karvan i gjatë mbuluar nga retë gri, zverdhen gjeth’ i vjeshtës duke ndjellë vetmi. E unë kur nga cila re s’e di zbritur kam këtu, mu si një pikë shi. Drejt teje vjen mbrëmja, shtigjeve ulet, pishat e moçme koten, përroi përgjumet. O Mali im, le të mbështetemi shpinë për shpinë, t’i ngrohim shpirtrat që sonte mërdhinë nën hënën-kandil, deri në agim… Poezia e gjyshit Më erdhi keq vërtet për lepurin e mjerë. Kjo s’është fabul, por ndodhi e rrallë: e zuri iriqi, të shkretin, në ferrë. Nuk vraponte dot, se ishte në hall. Duroi sa duroi, por e zbrazi mërzinë: iriqit në vesh i tha dy-tre fjalë: “Po të mos kisha hijen e shqiponjës mbi shpinë, iriq, ti mua do të më haje kakërdhinë”. Gjahtare yjesh Shigjetën drejt qiellit lëshoj deri në kupë. Ngreh shenjë dhe yjet i vras një nga një, të bien nga lartësitë me shigjetë në trup; të bien në det ato zogj të vrarë, pa zë, në pragun tim kupa e qiellit të shuhet… dhe toka e paanë me meteorë të mbushet. Perëndim i kuqërremtë Jeta me vuajtje, e gjatë sa koha me diell në mesditë. E fundi, qepalla që mbyllen në paqe, shpejt e lehtë – perëndim i kuqërremtë. E shpirti braktis kurmin Ëmbël, si uji grykën e shtëmbës. Në stacion në stacion pret pa fjalë me dy duar që dridhen e gishërinj të zverdhur nga duhani i dredhur i jetës tradhtuar nga fuqia syri veshi tradhtuar nga flokët e zinj korb krehur mënjanë me vizë në të majtë në stacion pret pa fjalë trenin për në botën tjetër Pavdekësi në ekspozitë u ndala te një portret me dy sy të bukur të mëdhenj që më shikonin si të ishin të vërtetë sy që s’puliteshin e rrëmbeva larg në pyll e fsheha te rrënjët e një peme në varrin që gërreva si luani me putra e futa e mbulova me dhe më vonë aty mbiu lulja e re Shpërblim dje mësyu theqafas ma rrëmbeu dashurinë sot ecën këmbadoras qorras Kohë Zemra e hekurt na la diku larg, iku. Përditë vetmia pak nga pak e ndryshku. Gjallë njeriu shuan uri etje me këngë të bekuara mëkuese prej shpirti e mendje Syçelët shpirti e syri dy të dashuruarit jetë e mot s’e lënë botën të mbytet në mort Mëdyshje Një përqafim i harlisur në krahërorin e ngrohtë. Një mendje më thotë: “ik”, zemra “rri”, më thotë. Drejt derës – dy tre hapa… Sa shpejt miklohem! E kthehem rish prapa, për ikjen pendohem. Mikpritje Ham e ham e ham qentë. I zoti i shtëpisë me një frymë del jashtë. Sa mirë! Nga qyteti – mysafirë. Kundërmojnë qytetërim… Kanë ardhur me harxhime, çamçakëze 20 lekësh, të rrumbullakët, për bukuri: fëmijët mbllaçiten, plot gëzim e lumturi. Ka e ka e ka zonja e shtëpise përvëloi një kokosh. I fundit ishte i shkreti, për miqtë nga qyteti. Mish, zemër e muhabet, në tokë shtrohet një dyshek; fle i zoti i shtëpisë. Pyet gruan: u kënaqën vallë? Do kënaqen në të dalë: një thes arra, miell misri, mish, vezë, djathë, gështenja sa t’ua ketë ënda. E zbrazi shtëpinë ky fshatar derëzi: të gjitha 20 lekë, sa çamçakëzët. Ditën e mirë ju presim të na vini përsëri Rutinë punë pa mbarim shitje pa çmim ikje pa kthim tre vakte ushqim shikim rrëmbim falsifikim zhgënjim trishtim çdo çast telash shpejt avash i njëjti avaz jetë me maraz jetë e shkurtër jetë e gjatë fli çdo natë nata e artë ëndrra e gjatë ndërtesa e lartë bukë e brumë jeta lumë gëzim shumë i njëjti llum ulërimë kotje përlotje zhdukje lutje vuajtje kohë plot rrimë kot e shkuar e harruar dy tre të ftuar një për të martuar tokë për të punuar ndere qerasje rrahje përplasje jeta film fillim e mbarim Pasqyrë e thyer Lulet tashmë i kam harruar. Nga cili kopsht i zjarrtë fryu kjo erë? Zbriti nga qerpikët e një udhëtari të moshuar. Një shi pushon, një tjetër zë të bjerë. Një pasqyrë e thyer, në dorë koha u mplak. Një vaj, një kujë dëgjoj pa pushim. Pranvera endet rrugëve, shesheve fillikat. Ku vajti, ku humbi kjo stinë plot kundërmim? Ngjyrat kanë ikur larg, ëndrrat janë të vyshkura. Si degë çdo gisht i imi në këtë dorë. Fole ngrenë qyqet e braktisura. Pranvera mërgoi, mbulomëni me borë. Bota e çudirave Eja të lozim ëndrrash si fëmijë Të lozim të lirë pa frikë pa nderoje Ku gabimet tona s’i ndëshkon njeri Pasi janë ëndrra dhe lojë Eja të dashurojmë ëndrrash si të rinj Ëndrrave tinëzare ku s’na gjen askush Larg syve të botës mbytur në xhelozi Ëndrrat le të digjen le të bëhen prush Jeta është ëndërr sa ëndrra vetë Jetojmë në një cast fëmijë e të ri Duam në ëndërr të jetojmë përjetë Por ëndrrën e brishtë e këput një shi Mall Në shpirt – angushtia, brenga – në zemër. Oxhaku i dhimbjes punon e djeg vitet. Shpresa e vetme – gënjeshtër pa emër: në gropë të gjoksit lulja e mallit rritet. Për shpirtin pranvera a sjell ndopak dritë? Një pishtar funddimri zemra rrëmben. Këtu një mall… atje vlojnë dashuritë, dhe zemra zemrës legjenda i rrëfen. * * * O potkua që mban mbi shpinë kalin papushim, që çon trimin betejash, ti, sandalle dishepujsh që ec ditë e natë dhe të mjafton pak besim, dhe ti, çizme e ushtarit në llogore, që shekujsh pret vdekjen të vijë! Dhe ti, këpuca gojëhapur migjeniane, me trishtimin të lartë sa një minare; dhe ti, këmbë cullake, mërgimtare e plakur, thomëni: t’ju bëj kurorë apo përkrenare? Rrugëtar Dallëndyshet kështu vallë ku venë? Në ç’vise shtegtojnë për në pranverë? Fatin e kanë shkruar me krahët si penë, jeta pa mërgim për to qenka humnerë. Si dallëndyshe shtegto në kaltërsi, ku qielli i shpirtit emrin tënd mban. Mes shtegtarëve të thirresh edhe ti në bregun e të dashuruarve, në ndonjë liman. Ikur Ujërat u tërhoqën pak nga pak. Prapa mbetën shkëmbinj të myshkur; tërhiqet drejt gjirit deti frikacak, anija e kujtimeve të del e ndryshkur. Ngarko erërat të marrin rrugë, të humbin horizonteve velat e bardha dy lopata. Perdet e diellit të hapen me zhurmë, valët e detit le të mbesin prapa. Darë Aty ku malli kërrus shpirtin si pasha hamallin aty ku zemra ndalon ritmin ku për të vdekur qajnë të gjallin aty ku lodhja e sfilitur çlodhet pa shpresë… Katër pa një Ajo pranverë ishte tjetër pranverë. Një lule të rrallë ajo ma solli; shpirti mori krahë e u bë erë, era lulen me krahë e mbështolli. Këto pranverëza jete s’ma heqin mërzinë. Pse si ato lule nuk po çelin më? Tani vitin e kam me tre stinë, pranverën koprrace e mallkoj nën zë. Gjethe e gjëmba Ankohen pishat me potere: “Pa gjethe tërë jetën këtu në mal! S’na u hoqën qafe gjembat njëherë! Më mirë shelg në moçal!” Flet shelgu me zë të egër: “Pisha ju vraftë e mira, ju katër stinë jeni gjelbër, e unë moçaleve mbledh këllira!” Requiem ma vranë shpirtin miq sonte ma vranë shpirti shkoi e vdiq unë mbeta muranë shpirtin tim të ri miq sonte e vranë ju ndizni qirinj unë një shandan Llogari Dita në kthetrat e natës dorëzon shpirtin pa u ndjerë. Ti hedh një rreth përqark datës, kur shpirti qau si ngaherë. Prapë këtu Në lulishten ku u takuam dikur, tani po ndërtohet një pallat. Pa llaç, pa tulla, pa gurë, pallatin e ëndrrave e ngritëm kat më kat Besë Ndahen anijet, heshtin portet, hija ujërave zvarritet me fshehtësi. Mjaft i vështrove ashtu horizontet! Do të vijnë anijet, do kthehen përsëri. Ku… Ku gjumi mbi gjumë fle gjer në mëngjes Ku ëndrra mbi ëndërr jeton e vdes Ku hija mbi hije frikë ndez Ku uji mbi ujë kthehet në djersë Ku bari mbi bar zgjohet me vesë Ku shiu mbi shi pa pushim dënes Ku reja mbi re çahet në mes Nga rrezja e diellit që pres Më vjen një shpresë… Erë e keqe Mjaft dimër, s’ka lezet! Pranvera lehtas psherëtin: “shumë ndenje sivjet, s’ka një lule në lëndinë. Njerëzia po më pret, ik të lutem, bashkë me ngrinë”. E dimri si nuk u bind, pranverës nervat i ngriti, u tërbua, u bë xhind, dhe një lule jashtëqiti. Erë e keqe anembanë kutërboi e kutërboi. Iku dimri, më s’u panë, se ku humbi, se ku shkoi… Pranvera si magjistricë qesh nga gëzimi ha-ha-ha! S’mbeti borë, s’mbeti ngricë, Po kutërbimi nuk iu nda. Anije e humbur Ti grua, unë burrë, loznim “shpiash” pa vetëdije. U rritëm. Humbëm. S’u pamë më kurrë. Kujtoj veç ato lojëra fëmijërie. Ranë gjethet, iku vjeshta. si ariu në shpellë tërhiqem vetmie. Zbardh bora nëpër kreshta, e unë kujtoj ato premtime fëmijërie. Të ftohtët mua prore më struk në nostalgji. Më zë një lemzë dimërore: mos kujtimesh të njëjta humbe dhe ti? Kulla Në krah të majtë të përroit mbahet madhështore kulla e moçme dykatëshe me çardak, që dikur gjyshi e ngriti dora-dore, me djersë në ballë, me duart me gjak. Çatinë prej dërrase bora si kupolë e mbulon dimrit, deri në pranverë. Si brirët e demit dy oxhakë të hollë. Një ferrë si merimangë ka mbirë në derë. Në fund të oborrit shekullor – një lis. Për zjarr e prush sëpata prerë e kish. Kur binte dëbora e bardhë si plis, në prushin e tij dikur piqej mish. Më tutje shartuar si brirë dreri një mollë, ku në degët e saj vareshin tre këmborë. Edhe pse ndryshkur, i marr në dorë, nxjerr ca tinguj të trashë e të hollë. E kam të pamundur në prag të kësaj shtëpie të mos ligështohem, të rri pa qarë, të qaj me lot, me ngashërim fëmije, në atë prag ku qava për herë të parë. Lidhje Mos më mbaj mëri do të vij te ti sa të dalë hëna se rrugët e qiellit s’i di Amësi si klloçkë vdekja ngroh vezë mortje i vdekur më duket vetja nga vdekja jote Bardhë e zi Sa shumë gjëra deshëm në këtë jetë, sa i deshëm aq u larguan. Sa pak gjëra urryem në këtë jetë, sa i urryem aq u afruan. Punojmë deri në frymën e fundit me djersë e gjak dhe mësojmë të jetojmë pak, fare pak… Vetmi Shkretëtirë pa fund kujtimet e mia, mbuluar dallgë-dallgë nga rëra e murrmë. Shpirtin ma merr me tallaz mërzia, ma çon shumë larg, pa lënë farë gjurmë. Testament Sa shikime premtime, sa e sa… I dha hëna detit, deti hënës i dha. Deti i lutet hënës nga qielli të zbresë, hëna i lutet detit t’i kaplojë lartësitë. Për dashurinë e tyre a ka ndopak shpresë? Në gjumë pa gjumë Pranë shtratit tim një dritare shkallmohet nga tallazi dimëror. Strukur në mendime, s’ndjehem fare. Vetëm zemra rreh në kraharor. Mendimi erës i bëhet hije e s’i ndahet sonte nga pas. Si me mamuzë goditur në ije diku në një dritare kokën përplas. Shtatzania e ndërprerë Dhjetë shegë Rënduan një degë Të njoma të tëra Ende të pabëra Për të mos thyer degët I këputën shegët Me shpresë Loti syrit nuk i mpaket, dita ditës veç gufon. S’është i ftohtë, as i vakët – Lot qiriu, që përv’lon. Është lot zemërate që nuk pret të mëshiruar. Shpirti im prej ikjes sate? I prangosur këmbë e duar. E i vjen si një shkëndijë shpirtit tim ndihma hyjnore, lëndën krejt t’ia përtërijë buzë gremine, zënë për dore Fat dikush uritur nga malli yt e dikush vdes për oreks Dictum Atë që s’e bëri lumi, e bënë besa e burri. Shigjeta dhe vargjet Si nga harku i Longfellout, një shigjetë u këput. Përshkoi qiejt e largët, mu si një vetëtimë… Me dorën strehë mbi sy vështroj qysh u zhduk dhe mes buzëve vetiu më del një fërshëllimë. Me harkun e shpirtit ca vargje lëshova. Ku shkuan? S’e di. Ndoshta fushat i morën e thurën me to poezi, por ja, e gjeta dikur shigjetën në zall të një lumi, të thyer… Sall shigjetën… se vargjet e shpirtit, lumi i kishte rrëmbyer. Në fokus:bilbilbeqiridashuriefilozofikepoezi Lajmi i rradhës Thënie për arsimin Mos humbisni Pse libri ” Sekreti ” i Rhonda Byrne, ka fuqinë të ndryshojë jetën Vazhdo leximin Mund të pëlqeni Kuturu – Poezi nga Timo Flloko KJO ËSHTË POEZIA QË LASGUSH PORADECI E SHKROI KUR VUANTE NGA SËMUNDJA E RËNDË “Gjysmë komandanti, humb ushtria” ‘Poçari’ e Dritëro Agollit– Poezia për dashurinë e atdheut që rrëqeth çdo zemër Poezi prekëse për nënën. Me siguri do t’ju emocionojë pamasë! ” Pse e dua Shqipërinë? ” Sejfulla Malëshova ( Lame Kodra )