Shumë nga udhëheqësit më të mëdhenj në histori, kanë qenë të fiksuar pas detyrës së tyre. Uinston Çërçilli, ia dedikoi jetën postit të tij kryeministror gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke pushuar vetëm 8 ditë gjithësej në 6 vitet e atij konflikti botëror. Po çfarë e bën vërtetë një lider të madh? Historia na ka mësur leksionet e mëposhtme:
Aftësia për të planifikuar dhe përshtatur situatave
“Planet janë të pavlera. Planifikimi është gjithçka”, shprehej dikur ushtaraku i famshëm amerikan Duajt Ajzenhauer. Shpesh harrohet fakti, që një nga planet më të suksesshme të luftës në historinë moderne, Blitzkrieg-u i Adolf Hitlerit kundër Perëndimit, që arriti pushtimin e Francës, Belgjikës, Luksemburgut dhe Hollandës në vetëm 6 javë, nuk ishte origjinali. Plani fillestar ra rastësisht në duart e Aleatëve, vetëm pak ditë para se të niste sulmi. Gjermanët hartuan një plan të ri, që parashikonte shmangien e vijës mbrojtëse franceze Mazhino, dhe që rezultoi i befasishëm për francezët.
Një kujtesë të shkëlqyer
Çërçilli, kishte një memorie fantastike. Ai kalonte deri në 30 orë duke mësuar përmendësh fjalimet e tij, dhe i rishikonte vazhdimisht ato. Edhe perandori francez Napoleon Bonaparti, kishte një kujtesë të shkëlqyer, edhe pse për shumë gjëra angazhonte shefin e tij të kabinetit, Marshallin Bertie.
Fat
Para se të emëronte marshallët e tij, Napoleoni mësonten paraprakisht nëse gjeneralët e tij kishin qenë me fat. Pasi fati luan padyshim një rol të madh në drejtimin e një beteje. Në fakt, roli i rastësisë dhe determinizmit në histori, është i denjë për një libër më vete.
Kuptimi i ndjenjës së publikut
Presidenti Frenklin Ruzvelt, mund të ketë dashur ta fuste SHBA-në në Luftën e Dytë Botërore më herët sesa ndodhi realisht. Por ai e kuptoi shqetësimin dhe ankthin e publikut, dhe në presidencialet e vitit 1940, u premtoi prindërve amerikanë se “djemtë tuaj nuk do të dërgohen në ndonjë luftë të huaj”.
Ide
Abraham Linkoln ishte një udhëheqës i spikatur i luftërave. Intuita e tij e pabesueshme, mbi atë që do të pranonte politikisht Unioni, se kur do ta pranonte atë, dhe gatishmëria e tij për t’u përballur me krizat politike, dhe arritur kompromiset e nevojshme, largoi nga detyra gjeneralët e dobët apo të pabindur.
LEXO EDHE: Si po rikthehet ISIS-i
Të qënit i paarsyeshëm në kohën e duhur
Mbretëresha britanike Elizabeta I, nuk pranoi të emërojë pasardhësin e saj, megjithë nxitjen e vazhdueshme nga këshilltarët e saj. Në këtë mënyrë, ajo e mbrojti vendin se saj nga rreziku i luftës civile. Ndërkohë, ajo refuzoi të ratifikojë Traktatin e Edinburgut, që në fillim të mbretërimit të saj, derisa ra ndjeshëm kërcënimi që vinte nga Duka i Guizës.
Nerva të forta
Stalini pësoi një krizë nervore, kur u njoftua për pushtimin e vendit nga Gjermania naziste më 22 qershor 1941. Ai u tërhoq në vilën e tij për ditë të tëra, teksa Ushtria e Kuqe dhe forcat ajrore sovjetike po dërrmoheshin në çdo front. Por në mesin e tetorit, kur gjermanët ishin në portat e Moskës, gjendja e tij u përmirësua, dhe ai organizoi më pas rezistencën.
Qëndrueshmëri frymëzuese
Ndërsa luftërat fitohen nga fituesi i betejës së fundit, aftësia për të frymëzuar humbësit në betejën e parafundit është jetike. Këtu vlen të përmendet rasti i Xhorxh Uashingtonit. Përveç evakuimit nga Bruklin në gushtin e vitit 1776, Uashingtoni pati pak suksese në vitet 1775-1776. Por ai i frymëzoi kolonët amerikanë të rezistonin, dhe kjo çoi në triumfin e Revolucionit Amerikan.
Ndjeshmëri
Të kuptuarit e psikologjisë së të tjerëve, është një pjesë e rëndësishme e udhëheqjes. Aleksandri i Madh, Jul Çezari, Napoleoni, Çërçilli, dy Ruzveltët dhe Xhon Kenedi, kishin një ndjenjë të fortë empatie, që i motivonte ushtarët dhe qytetarët nga çdo lloj prejardhje. Aftësia për të bashkuar, është shumë më e rëndësishme, sesa origjina klasore e dikujt.
Vetëdije politike
Udhëheqësit duhet të kenë një shqisë të gjashtë për politikën. Si për shembull nuhatjen se kur rrezikohet të ndodhë një grusht shteti, ndjenjën e kohës, aftësinë vëzhguese, apo dhuntinë për të parashikuar sjelljen e mundshme të kundërshtarits në skenarë të ndryshëm./ Time