Prof. Në universitetin Amerikan / Middle East University
Zgjedhjet më të fundit në Kosovë dhanë mesazhin e qartë të një shteti ndryshe nga ai amë.
Një shtet i brishtë në dukje, por i fortë në brendinë e tij.
Një vend i vuajtur, i traumatizuar që në gjenezë, u tregoi të gjithëve që do jetë risia më e bukur e viteve në vazhdim.
Pas muzikës dhe futbollit, Kosova ‘godet’ sërish.
Ndoshta ky ishte goli më i bukur që na dhuruan. I thane “Jo” ndarjes, izolimit, dhe nënçmimit ndaj vetes.
I thanë “Jo” të konsideruarit e vetes fajtor në një luftë që vetëm faj nuk kishin. Ndërkohë i thanë “Po” Kosovës sovrane dhe të pacënueshme nga askush.
I thanë “Po”, zhvillimit, integrimit, shtetit të së drejtës. I thane “Po” të gjithë skeptikëve që dyshonin në shtetin e Kosovës apo në njerëzit e Kosovës. Për këtë, meritë kryesore kanë këta njerëz, që me kokën pas nga e shkuara e afërt, larguan shumë paragjykime.
Nuk mund të lihet pas merita e paçmueshme Albin Kurtit, që nuk rreshti nga kauzat e tij. U percmua, u nënqesh, u burgos, u izolua nga të vetët dhe të huajt, por ai prapë nuk e la Kosovën e tij.
I konsideruar i cmenduri normal i shoqërisë shqiptare, arriti pas kaq shumë vitesh t’i shpërblehej sakrifica e mundi. Sigurisht e gjithë kjo është një fitore e vogël, përballe “luftës’ së madhe që e pret.
A do jetë Albini, po kaq i mirë në pozitë aq sa në opozitë? Apo do jete modeli i politikës shqiptare?
Jeta e tij tregon të kundërtën e nje lideri klasik shqiptar, koha do tregojë në cilën anë do jetë./Podiumi.com