Radar
Manipulimet, shtirja dhe hipokrizia në një lidhje
Dr. Adem Harxhi
Shëndeti dhe kënaqësia seksuale arrihen më mirë, kur dy partnerët e trajtojnë njëri-tjetrin si të barabartë, kur janë mendjehapur dhe të kujdesshëm.
Manipulimet, shtirja dhe hipokrizia nuk janë shprehje e respektit dhe mirësisë.
Manipulatorët janë egoistë, që i fshehin dhe shtrembërojnë qëllimet dhe dëshirat e tyre të vërteta. Në çdo marrëdhënie ata përpiqen të arrijnë gjerat që atyre u pëlqejnë: seksin, egoizmin, pushtetin dhe kontrollin.
Djemtë dhe vajzat që shfrytëzojnë të tjerët, për të plotësuar nevojat e tyre, nuk përjetojnë emocione të çiltra dhe miqësi të forta.
Ata, me pretekste fallco mund ta “vjedhin” një marrëdhënie, por ata dikur nuk do të ndjehen mirë as me veten. Ata do të ndjehen të vetmuar dhe të hidhëruar. Sjellja e tyre nuk lëndon vetëm viktimat, por edhe ata vetë.
Seksi, kurrë, nuk duhet të jetë një detyrim.
Në qofte se dëshironi të bëni seks me një person që e doni, shprehjani atij dëshirën tuaj. Mos prisni që ai të ndjejë atë që ndjeni ju. Mos përdorni kurrë shprehje si kjo : ” Në qoftë se më do me të vërtetë, ti duhet të bësh seks me mua”. Këtu dëshira ngatërrohet me detyrimin.
Që të tregoni se jeni të kujdesshëm dhe të ndjeshëm, gjuha që përdorni, duhet të jetë plot dhembshuri. Kur ju përdorni moralizime me tepri, ju e keni humbur dhembshurinë. Për shembull, është krejt pa ndjeshmëri dhe shkatërruese, po qe se i etiketoni si “kurva”, “kurvarë”, ”bredharakë” dhe me terma të tjera të papërshtatshme, ata që bëjnë më shumë seks nga ju.
Përpiquni të jeni vetja juaj, që të gjeni mënyrën më të mirë për të vepruar sëbashku. Nuk është as e shëndetshme e as tërheqëse, kur përpiqeni të bëheni si dikush që nuk jeni.
Mos e gjykoni e mos e krahasoni veten me të tjerë. Vlera juaj unike, nuk qëndron në ngjashmërinë me shokët, ose me yjet e medias. Ju do të dukeni kallp, po qe se imitoni të tjerët dhe nuk paraqiteni si vetia juaj.
Që të jeni vetia, ju duhet të ndjeni e të dini se kush jeni në të vërtetë. Përqendrohuni në përsosjen dhe lartësimin e personalitetit tuaj. Vetëm kështu, do të bëheni më interesantë dhe më specialë. Për të qenë të ndershëm dhe të dashur me të tjerët, ju duhet të jeni të ndershëm me veten dhe ta doni veten tuaj. Ju duhet të jeni të vërtetë me veten, që të jeni të vërtetë me të tjerët.
Është me rëndësi të jeni të ndershëm, por duhet të tregoni simpati e dhembshuri për shokët e shoqet.
Në qofte se djemtë i trajtojnë vajzat si të barabarta…
Në qofte se djemtë i trajtojnë vajzat si të barabarta, shoqërisht dhe ekonomikisht, vajzat do të inkurajohen për më shumë seks, madje, për seks më të mirë. Me këtë dua të them se vajzat duhet të jenë po aq të lira sa edhe djemtë, për të filluar marrëdhënien. Barazia i bën më të përshtatshëm kufijtë fizikë dhe emocionalë midis djemve dhe vajzave.
Kjo ndihmon që pëlqimi të jetë i ndërsjelltë. Kur vajzat dhe djemtë ndjehen mirë dhe të barabartë me njëri-tjetrin, e kanë më të lehtë të zhvillojnë Diskutimin Para Seksit, që është i domosdoshëm, përpara se ata t’i thonë “po” ose “jo” uverturës seksuale.
Në të gjitha llojet e marrëdhënieve që mund të keni, seksi, duhet t’u ndihmojë të përmirësoni cilësinë dhe kuptimin e marrëdhënies. Të kënaqesh me seks, nuk është e pamoralshme. Ata që nuk bëjnë seks, nuk janë më të moralshëm nga ata që e duan seksin.
Po qe se e trajtoni njëri-tjetrin si të barabartë dhe jeni të ndershëm, të hapur, të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, seksi nuk ka si të jetë imoral.
Pse Suedia është më pak violente
Studimet në të gjitha kulturat e botës tregojnë, sa më represive të jetë një shoqëri lidhur me seksin, aq më shumë inkurajohet frustrimi, agresioni dhe violenca seksuale. Suedia është më pak violente, nga ç’janë shumë vende të tjera. Pse? Sepse në Suedi ka më shumë mbështetje për kënaqësinë seksuale dhe për edukimin seksual.
Nuk është e shëndetshme e as normale, që kënaqësia seksuale të kufizohet e të shtypet, ose të censurohet. Për të vendosur në se duhet të jeni seksualë, ju duhet të vini në peshore faktet pro dhe kundrat. Do të ishte gjë e mençur, që ju t’i bënit vetes këto pyetje:
-
” A dëmtohet dikush nga që unë bëj seks?”,
-
“ A do të përfitoj unë dhe i dashuri im i mundshëm, prej seksit ?”
-
“ A më bën të lumtur kjo marrëdhënie seksuale?”