Opozitarizmi i fortë e shpërblen Albin Kurtin, drejt karriges së kryeministrit
Opozitarizmi i fortë ndër vite duket se më në fund e ka shpërblyer Albin Kurtin, duke e çuar drejt karriges së kryeministrit. Me mbi 94% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 194.780 vota, ose e përthyer në 25,71% të totalit të votave të numëruara. Me një rezultat të ngushtë është LDK me 189.771 vota, ose përkthyer në përqindje 25,05%.
Partia Demokratike e Kosovës është e treta dhe ka marrë 160.974 apo 21.25% të votave. Koalicioni AAK-PSD deri më tani ka marrë 87.720 vota apo 11.58%. Lista Serbe ka marrë 47.569 vota apo 6.28%. Koalicioni tjetër Nisma-AKR-PD ka marrë 37.419 vota apo 4.94%.
Ndërsa subjektet e tjera së bashku 76,773 vota ose 10.14%.
Në një garë dramatike, me një rezultat tepër të ngushtë me Vjosa Osmanin nga LDK-ja, Albin Kurti ia ka dalë të qëndrojë në krye.
Kurti shpalli mbrëmë fitoren dhe tha se ditën tjetër do të nisë punën për formimin e qeverisë, dhe u zotua se do të punojë fort për vendosjen e shtetit të Kosovës në binarët e drejtësisë.
“Lëvizja Vetëvendosje është fituese e këtyre zgjedhjeve. Pjesëmarrja masive bëri që ne ta vërtetojmë atë që e thamë në mëngjes. E shpëtuam Republikën nga kapja e shtetit. Çka ka ndodhur sot është një ndërhyrje e popullit tonë në skenën politike në mënyrë që drama të përfundojë, në këtë mënyrë ata e shpëtuan shtetin nga politikanët. Sot do të jemi në festë në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa prej nesër do të vijojmë me formimin e qeverisë, e cila do ta vendosë Kosovën në binarët e drejtësisë. Ne do të forcojmë shtetin tonë dhe do ta zvogëlojmë qeverinë, prandaj do shihni më pak pushtet dhe më shumë shtet”-tha Kurti, ndërsa iu bashku simpatizantëve të VV-së në podiumin e festës, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Albin Kurti erdhi në skenën politike në Kosovë, fillimisht si një OJQ duke sfiduar pushtetin nga jashtë e më vonë edhe si parti parlamentare. Por, edhe pse fitues, Kurti s’do ta ketë të lehtë ta bëjë qeverinë e re dhe të bëhet Kryeministër.
Puna e parë e Qeverisë së re do të jetë përballja me presionin ndërkombëtar për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe heqjen e taksës ndaj shtetit serb. Po ashtu mbetet të shihet nëse kjo sfidë do t’i takojë Kurtit si Kryeministër apo dikujt tjetër.
Kandidatja e LDK-së Vjosa Osmani, ka bërë thirrje të pritet rezultati përfundimtar.
Rrugëtimi i Kurtit drejt fronit politik
Sjellim ndërmend se në vitin 1997, Kurti u bë pjesë e Unionit të Pavarur të Universitetit të Prishtinës, që përmes protestave dhe mosbindjes civile kërkonte lirimin e ambienteve universitare nga okupimi i Serbisë.
Aty Kurti ishte një nga prijësit e demonstratave studentore. Kur kishte nisur lufta në Kosovë, Kurti ishte angazhuar si sekretar i zyrës së përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçit. Ai ishte në Prishtinë edhe gjatë bombardimeve të NATO-s, derisa policia e Serbisë e kishte arrestuar më 27 prill të vitit 1999. Pas arrestimit ai u dënua me 15 vjet heqje lirie. Pas presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua në dhjetor të 2001-it.
Pas çlirimit të Kosovës, Albin Kurti punoi si aktivist në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN), të formuar në vitin 1997, që u ringjall në konferencën “Drejtimet e reja” të mbajtur në Prishtinë nga 8-13 korrik 2003.
KAN ishte një lëvizje e aktivistëve të rinj, që kishin për mision ndryshimet shoqërore dhe krijimin e qytetarisë aktive. Aktivitetet përqendroheshin në tri fusha kryesore: çështjet e të drejtave të njeriut dhe drejtësia sociale, arsimi, kultura dhe arti. KAN përbehej edhe prej shumë anëtarëve ndërkombëtarë.
Më 12 qershor 2005 në muret që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut, aktivistët shkruan parullën Jo negociata, vetëvendosje, që solli në transformimin e KAN-it në Lëvizjen Vetëvendosje!
Shkrimi i parullave vazhdoi gati në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës, dhe pastaj lëvizja filloi me përdorimin e metodave tjera kreative e të pa dhunshme sikurse janë aksionet simbolike, bllokadat dhe së fundi edhe demonstratat masive.
Në vitin 2010, kur Lëvizja Vetëvendosje u bë subjekt politik, ai është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës.