A është vërtet i shqetësuar për traumën që shkaktoi te qytetarët lajmi i rremë i së dielës, apo po e shfrytëzon politikisht situatën për të kaluar projektligjin famëkeq antishpifje?
Portali Pamfleti i njohur për gjuhën e ashpër kritike, shkruan se kryeministri Edi Rama po e përdor situatën e krijuar të dielën për përfitim politik.
“Nën moton se “çdo e keqe ka një të mirë prapa” dhe duke mos u shqetësuar shumë për traumën që shkaktoi ndaj qytetarëve të Tiranës, Durrësit e Elbasanit, të cilët afër mesnatës, nga frika e “tërmetit” dolën nga shtëpitë, Rama nxitoi ta përdorë këtë lajm për përfitim politik.
Ndonëse ka pasur në dispozicion dy muaj të tërë për të arrestuar “krye-lajmëtarin” e rremë për “tërmetin apokaliptik” Ilir Metën, qeveria ka zgjedhur të godasë pikërisht gazetarët e thjeshtë, duke urdhëruar Arta Markun të hapë urgjent një procedim penal ndaj tyre. Madje kjo Marku kërkon nga Prokuroria Tiranë, vlerësimin e menjëhershëm ligjor etj” – shkruan portali.
Sipas tij, dalja e këtij lajmi të rremë i ka ardhur shumë për ‘voli’ Edi Ramës, që ka një inat të hershëm ndaj të gjitha portaleve në Shqipëri.
“Duke qënë se një pjesë nuk i komandon dot, Rama ka kohë që ka depozituar në Kuvend një projektligj që parashikon dënimin me burg të të gjithë gazetarëve që botojnë në portale lajme të rreme. Pavarësisht se ligji i shpifjes dhe i lajmeve “fake news” është kundërshtuar nga shoqatat e medias por dhe nga OSBE dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë, si një tentativë për të mbytur fjalën e lirë, Rama pritet ta shfrytëzojë “tërmetin” e rremë për ta kaluar këtë ligj. Pas kësaj, njeriu që do të përcaktojë se kush është lajm i rremë, kush është shpifje, apo kush është lajm i saktë do të jetë Rama me njerëzit rreth tij. Gazetaria përfundimisht do të vdesë” – shkruan portali.