Për brezin e shqiptarëve të lindur pas viteve ‘90, Shqipëria komuniste mund të ngjallë kureshtje, por ata që kanë jetuar ato vite e dinë shumë mirë se çfarë kohe ishte.
Shqipëria e asaj kohe ishte një burim kurioziteti edhe për fotografët dhe të huajt, për të zbuluar vendin e izoluar.
Michel Setboun është njëri prej fotografëve që ka mundur të jetësojë disa momente. Në hapësirat e COD, Setboun sjell për herë të parë ekspozitën me 99 foto, “Fundi. Fillimi. Shqipëria 1981-1991”, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator.
Një prej këtyre fotove është realizuar në një dasmë në veri të Shqipërisë. Dalja e vajzës nga dera e shtëpisë së babait ka qenë një rit i shoqëruar me lot e trishtim nga njerëzit e shtëpisë teksa e përcjellin në shtëpinë e bashkëshortit. Këto imazhe aspak të zakonshme vijojnë të jenë interesante për publikun e huaj që kërkon të shohë zakonet shqiptare.
Në një tjetër foto shihet fytyra e gëzuar e një kooperativisti pas prishjes së kooperativave shtetërore.
Një tjetër foto na çon më 1981 Durrës. Kampi i pionerëve në plazhin e Durrësit, për moshat 8 – 14 vjeç. Kampi është i rrethuar me bunkerë.
Një tjetër foto tronditëse është ajo ku një burrë mban në duar kokën e ndonjë kafshe të therur. Fotoja është realizuar në Plug një fshat të persekutuarish gjatë regjimit komunist. Ish të përndjekurit e kishin të vështirë të gjenin ushqim në Shqipëri.