As gratë nuk mund ta shpëtojnë dot Partinë Socialiste në Shkodër
Ervis Iljazaj
Kryeministri Rama i ka kërkuar drejtorëve të Shkodrës të japin të gjithë dorëheqje nga posti, që mbajnë për t’i zëvendësuar ata duke i dhënë prioritet grave në emërimin e drejtorëve të rinj, ashtu sikurse u shpreh Kryetarja e Këshillit Bashkiak, edhe kjo grua ndër të tjera.
Në të gjithë këtë histori ka dy probleme. E para, shkarkimi kolektiv i të gjithë drejtorëve, pa bërë asnjë analizë të punës së tyre , në mënyrë plotësisht arbitrare. Dhe të gjithë drejtorët me rradhë, sipas ‘’ fermanit’’ dhanë dorëheqjen, pa as më të voglin diskutim. Është e kotë të thuash, që një gjë e tillë nuk ndodh në asnjë vend të botës, sepse ka një ligj, që parashikon si emërimet e si shkarkimet për drejtorat e administratës. Por, kjo mënyrë, kundër cfarëdo lloj parimi të administratës publike, tashmë është kthyer në normë dhe nuk përbën më asnjë habi për shoqërinë, për fat të keq apatike shqiptare. Përkundrazi, shkarkimet kolektive si rasti i Shkodrës për një pjesë të rëndësishme të qytetarëve shkaktojnë emocione pozitive, dhe këtë gjë Edi Rama e di mjaft mirë.
E dyta, lajmërimi, se drejtorët e rinj të Shkodrës do të jenë gra, është ndoshta mënyra më absurde, më populiste dhe më idioteske, që kam dëgjuar ndonjëherë. Me gjithë respektin që kam personalisht për gratë, dhe që pa diskutim duhen mbështetur të drejtat e plota të tyre, kjo nuk është mënyra më e mirë për ta bërë këtë. Nuk është mënyra më e mire, për faktin se nuk është një emancipim i merituar, por i dhuruar. Dhe, cdo gjë, që është e dhuruar dhe jo e fituar nuk është e vërtetë, por një fasadë. Emërimi apriori i drejtorëve të rinj të gjinisë grua shkel në mënyrë flagrante parimin e meritokracisë, mungesa e së cilës është problemi më i madh i shoqërisë shqiptare. Nuk kuptohet, se ku e gjen të drejtën kryeminsitri i Shqipërisë t’i heqë mundësinë e konkurrencës në administratën publike të gjithë burrave shkodranë, duke i diskriminuar në këtë mënyrë?
E megjithatë, zëvendësimi i drejtorave me gra nuk bëhet aspak për vlerësimin e madh, që kryeminsitri ka për to. Nëse do të ishte kështu, do të ishte disi me pranueshme. E gjitha kjo bëhet për për një arsye tjetër. Sa herë që Rama ndodhet në një vështirësi, sic është rasti i Shkodrës, që i plasi në dorë kësaj mazhorance, mënyra më e mirë për ta mbuluar atë është nëpërmjet një gjesti të tillë.
Edi Rama kujton, se bukuria do të shpëtojë botën, gjë e cila në disa raste mund të jetë edhe e vërtetë, por jo kësaj here. As gratë nuk mund ta shpëtojnë dot Partinë Socialiste në Shkodër. Socializmi në Shkodër është një gjë, që nuk mund të ngjizet për arsye kulturore, për arsye historike dhe për arsye të natyrës të atij komuniteti. Kyreministri shqiptar duhet të dorëzohet dhe ta lërë mënjanë ëndrrën për të marrë Shkodrën. Për ironi të fatit, edhe kësaj here, që Partia Socialiste nuk kishte asnjë kundërshtar, nuk e arriti dot.
Pjesëmarrja në Shkodër në votimet e 30 qershorit ishte tmerrësisht e ulët, pothuajse e papërfillshme, me gjithë përpjekjet e mëdha personale të Edi Ramës, duke dështuar kështu në mënyrë spektakolare. Fatura e dështimit të Partisë Socialiste në Shkodër nuk duhet t’i ngarkohet drejtorëve, por asaj ç’ka Shkodra përfaqëson ideologjikisht. Ideja, se gratë do të rrisin mbështetjen për Partinë Socialiste në Shkodër është një iluzion.
Shkodra është kthyer në simbolin e kazuës së opozitës dhe betejës së saj. Është pikërisht Shkodra, ajo që po vazhdon të mbajë ende gjallë frymën ‘anti 30 qershor’ të opozitës. Dhe, me të gjitha gjasat, do të vazhdojë të qëndrojë një fitil i ndezur për politikën shqiptare. /Gazeta Liberale