Lidhu me ne

Letersi

Flauta e shtyllës kurrizore

vladimir-mayakovsky-206x300

Për të gjitha ju

Që më keni pëlqyer ose më pëlqeni përherë,

Ikona të ruajtura në shpellën e shpirtit,

në tavolinën e dollisë, si një kupë verë,

Ngre kafkën e mbushur plot vargje.

 

Mendoj gjithë e më shumë –

A nuk është më mirë

T’ia vë pikën vetes me një plumb në fund.

Sot unë

Me sa do mund

Do jap një koncert lamtumire.

 

Kujtesë!

Mblidhi prej trurit në sallë mizëri

rradhët pa fund të të dashurave.

Të qeshurën rrëkëlleje nga syri në sy.

Rreshto të moçmet netët të dasmave.

Harenë t’ia përcjellë trupi-trupit.

Askush mos e harrojë këtë natë mizore.

Unë sonte do t’i bie flautit

Të shtyllës sime kurrizore.

 

                  1

 

Vjorsta rrugësh grin hapi inatçor.

Ku t’i fshihem këtij ferri t’harbuar!

Cili Hofman qiellor

Të sajoi ty, o e mallkuar?!

 

Shtrëngatë hareje të ngushta janë rrugët.

Kremtimi i festarëve gjithçka rrok.

Mendoj.

Mendime, gulfa gjaku të mugët,

Të sëmura e të mpiksura, vërshojnë në kokë.

 

Unë,

çudibërësi i çdo gjëje festive,

nuk kam me kë t’i gëzohem festës.

Do marr tash të shembëm përmbys

Dhe kokën ta përplas pas gurëve të Nevës!

Ja si kam blasfemuar.

Bërtisja se Zot nuk ka,

Po Zoti poqi një grua të tillë nga furrat e thellësive,

Sa para saj të tranden vargmale të mëdha,

Ma nxorri e m’dha urdhër:

dashuro!

 

Zoti i kënaqur duket.

Poshtë qiellit në çengel

Njeriu i dërrmuar tërbohet e zhduket.

Zoti fërkon duart dhe del.

Mendon Zoti:

Vladimir, merre me nge!

Ai pra, ai, vetë,

Që mos t’ia qëllojë, kush je,

Të sajoi një burrë të vërtetë.

Dhe notat njerëzore vuri në rojal.

Nëse në derë të dhomës së gjumit të ndal,

kryq të bëj mbi ty me rrobën e shkopsitur,

E di –

Lesh i djegur do kundërmojë n’ajri,

Dhe mishi i djallit do tymoset i gjallë.

E unë, deri sa plas drita,

tmerruar, që të morën të bësh dashuri,

përpëlitesha

dhe në vargje skalisja britma,

tashmë argjendar gjysmë i shkarë.

Me letra të kisha luajtur!

Me verë

fytytit të tharë t’i bëja gargarë.

 

Kjo s’të duhet ty!

Nuk dua!

Gjithësesi

E di,

Së shpejti do ngordh.

 

Nëse është e vërtetë, që ti ekziston,

O Zot,

O Zoti im,

Nëse me qylimin e yjeve që zbukuron,

Nëse me këtë sfilí,

Të shumëfishuar përditë,

Prej teje e kam këtë torturë, perëndi,

Vishe pra togën e gjyqtarëve.

Prite vizitën time.

Jam i përpiktë,

Nuk do vonoj as një orë.

dëgjo,

o më i larti inkuizitor!

 

Do t’i qep buzët e mallkuara.

s’do lëshoj asnjë klithmë

Prej buzëve të kafshuara.

Pas kometave,

si pas bishtave të kuajve lidhmë,

dhe grimë,

Duke më shqyer pas dhëmbëve të yjeve.

Apo dhe më rëndë:

Kur të shpërngulet shpirti im,

Do të dalë në gjyqin tënd të nderuar,

ti,

duke ngrysur vetullat me tërbim,

Rrugën e Qumshtit duke kaptuar,

mua, kriminelin merrmë dhe varmë.

Bëj çfarë të duash.

Po desh, në katërsh çamë.

Unë, o i Madh, s’kam ankime.

Veçse –

dëgjo! –

hiqma atë të mallkuar,

që e bëre të dashurën time!

 

Vjorsta rrugësh grin hapi inatçor.

Ku t’i fshihem këtij ferri t’harbuar!

Cili Hofman qiellor

Të sajoi ty, o e mallkuar?!

 

 2

 

Dhe qielli,

Që në tymra ka harruar kaltrinë e sfondit,

Dhe retë, të leckosura si refugjatë në kufi,

Do t’i projektoj në dashurinë time të fundit,

flakëruese, si një turbekular n’agoní.

 

Hareshëm maskoj klithmën

E fajkoit

Që humbi luksin e shtëpisë së vet.

Njerëz,

Ju flas!

Dilni nga transhetë.

Do të luftoni më pas.

 

Madje dhe nëse,

Si një Bakus, që e ka zënë gjaku,

Beteja e dehur vazhdon ende –

Fjalët e dashurisë prapë s’do jenë plakur.

Gjermanë të dashur!

E di dhe vetë,

Ju keni në buzë

Grehten e Gëtes.

Francezi,

Vdes buzagaz mbi bajonetë,

piloti i qëlluar copëtohet me ëndje,

nëse ndërmend

o Traviata

puthjen tënde.

 

Por nuk më prek tul’ i trëndafiltë i pemëve,

Që mbllaçisin shekujt gojëshqyer.

Sot gjunjëzohuni para këmbëve të reja!

Ty të këndoj,

o flokëkuqe

e lyer.

 

Ndoshta prej këtyre ditënetësh,

të tmerrshme si maja bajonetash,

kur mjekrra e shekujve e zbardhur të jetë,

do të mbesim

ti

dhe unë,

që të ndjek qytet më qytet.

 

Do të jepesh përtej detesh,

Të fshihesh në zgavra netësh –

përmes mjegullës së Londrës do vij të të puth

Me buzë të zjarrta fanaresh.

 

Në zheg të shkretëtirës

do të zgjasësh karvanet,

Ku vigjëlojnë luanët,-

nën pluhurin, nën erën që çohet të ulërasë,

ty

të vë faqen e nxehtë të Saharasë.

 

Do të shtrosh gazin në buzë,

Të shohësh –

Ç’toreador të themi!

Dhe befas, shpuzë

Xhelozinë e flak në shtrat

si një sy të mrrolur demi.

 

Do ta shpiesh mbi urë hapin e dyzuar –

Do mendosh herëdokur,

Se sa mirë do jetë poshtë!

Do jem unë

Sena që rrjedh nën urë,

që të thërras,

Me të kalburën ngërdheshje dhëmballëve.

Me tjetrin do të djegësh në zjarrin e troktheve

Shigjetën e ndërrimit të binarëve.

 

Ai që jam ngjituar aq lart, jam unë –

Hënë lënguese, në pritje dhe cullake.

Vetëm i fortë

u hyj në punë

urdhërojnë:

bëj në luftë vetëvrasje!

I fundit do të jetë

Emri yt,

I mpiksur në buzën e zhvoshkur nga gjylja.

 

I kurorëzuar do mbaroj?

Shën Elenë?

Duke shaluar dallgët në shtrëngatën e jetës,

unë – kandidat – njëlloj

dhe për mbret të gjithësisë,

dhe për

pranga.

 

Mbret të jem ma ka taksur perëndia –

Për fytyrëzën tënde –

Popullit i jap urdhër:

Në arin diellor të monedhave të mia

stampojeni!

Ndërsa atje,

Ku bota zhytet në tundër,

Ku me erën e veriut bën lumi tregti,-

Në pranga do gdhend emrin tënd Lili

Dhe prangat do t’i puth mes territ në qeli.

 

Dëgjomëni pra, ju që harruat se i kaltër është qielli,

Qimefurçë,

Si bisha të forta!

Kjo ndoshta është mirëfilli,

Dashuria e sprasme që ka njohur bota

E shprehur prej një turbekulari flakërues.

 

3

 

Do të harroj vitin, datën, ditën e pritur.

I vetëm do të mbyllem me një fletore.

Krijohu, me vuajtjet e fjalës së përndritur

O magji jonjerëzore!

 

Sot, sapo hyra tek ju, në shtëpi

ndjeva –

prishjen.

Në fustanin e mëndafshtë diç fshihje ti.

Përzishëm temjani përhap erëmimin.

Je e kënaqur?

E ftohta

“shumë”.

Trazimi i shembi barierat e arsyes.

Rrëmbimthi po mbledh ethshëm dëshpërimin.

 

Dëgjo,

ti e di vetë

kufomën dot s’e maskon.

Fjalën e tmerrshme nxirre prej kresë!

çdo muskul i yti

Si një trumbetë

Edhe ashtu

trumbeton:

vdiq, vdiq, vdiq!

jo,

m’u përgjigj.

Mos gënje!

(si mund të marr mbrapsht kështu?)

 

Gropat e dy varreve

mihin në fytyrën tënde sytë.

 

Thellohen varret.

Nuk ka fund aty.

Duket,

nga trikëmbëshi i ditëve kam për t’u gremisur.

Shpirtin mbi humnerë kanatëhapur rri,

xhonglerova me fjalë, u rrëmbeva shtjellash,

Dashuria e kishte shqyer egër.

Mërzisë ia qëlloj prej kaq e kaq shenjash.

Rinoje veten në shpirtin tim.

Rinjihe festën e trupit në zemër.

 

E di,

Secili paguan për femrën.

Ani,

Nëse tash ty të vesh

Në vend të luksit të fustaneve pariziene

Me tym duhani.

Ty dashurinë time të vetme,

Si një apostull në kohërat e qëmotit,

të bart nëpër njëmijë e njëqind rrugë.

Ndër shekuj të kanë gatitur një kurorë nderi,

Dhe në kurorë ke fjalët e mia –

Konvulse ylberi.

 

Ashtu si elefantët me lodra e pajime

Që i dhanë fitoren Pirros,

trurin ta dërrmova me gjeninë time.

Mëkot.

Ty nuk të shkul dot.

 

Gëzohu,

gëzohu,

e shpartalluar rri sus!

Tani

Ky mall,

Më shtyn të vrapoj deri në kanal

Dhe kokën në çatajtë e ujit ta fus.

 

Buzët m’i dhe.

Sa vrazhdë sillesh me to.

T’i fshik dhe ngrij.

Mu sikur puth me buzë të penduara

Një manastir të skalitur mbi shkëmbinj.

 

Përplasën

dyert.

Hyri ai,

me harenë e rrugëve spërkatur.

unë

si një klithmë u këputa më dysh,

i brita ashpër:

“Mirë!

Do iki!

mirë!

Tënden e paç.

Veshe me zhele atë mish,

Flatrat e drojtura majmen në mëndafsh.

Shih, mos të të ikë.

Për gurë gruas

vari një gjerdan perlash në qafë!”

 

Ah, kjo

natë!

Dëshpërimi mblidhet më i fortë se vreri.

Nga dënesjet dhe gajasjet e mia

Surrati i dhomës përçudnohet nga tmerri.

 

Fytyra që ta mora me vete u kthye vegim,

Në tapetin e tij sytë e mi po stamponin,

si një tjetër Bjalik, që po gdhend me tjetër skicim

Rrezëlluesen mbretëreshë hebraike të Sionit.

 

Në torturë

Para asaj që u dorëzova,

në gjunjë bie vetë.

Qytetet

që Mbreti Albert

dha pa zhurmë,

për mua janë një dhuratë ditëlindjeje e zbehtë.

 

Prarohuni në diell, lule dhe barishte!

Pranverohuni me jetën në çdo stihi!

Unë dua vetëm një lloj helmi –

Të pi e të pi poezi.

 

Ti që ma vodhi zemrën me mashtrime,

Duke ma mohuar krejt,

Që shpirtin ma torturove në jerminë time,

Merre dhuratën time, o e shtrenjtë,

Më shumë se kaq, s’mundem të sajoj.

 

Datën e sotme ngjyroseni festë.

Ngjashëm

me kryqëzimin

përmbushu o magji e vjetër.

Shiheni vetë –

me gozhda fjalësh

jam gozhduar në letër.

 

1915

Përktheu nga origjinali rusisht: Agron Tufa

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar1 orë më herët

Emër për emër: Cilët janë deputetët e PS që do jenë në listë të mbyllur, ja kandidatët që mbledhin votat

Ndërsa afrojnë parlamentaret e 11 majit, Partia Socialiste po përgatit listën finale të kandidatëve për deputetë. Duke analizuar formulën e...

Kryesore1 orë më herët

Cilët do të jenë kandidatët e PS dhe PD në 11 maj? Emrat që përfliten në 12 qarqet e vendit

Rama-Berisha Ja emrat më potencialë nga dy partitë kryesore… Sali Berisha dhe Edi Rama kanë futur në ankth deputetët aktualë,...

Kryesore23 orë më herët

“Rama u shndërrua në argat të Vuçiçit”, Berisha: Asnjë arritje në 12 vite, i kanë mbetur në gojë zhabat

“Ne paraqesim një projekt që Shqipëria nuk e ka njohur kurrë më parë”. Kështu u shpreh kreu demokrat Sali Berisha...

Radar23 orë më herët

“Kanadaja nuk do jetë kurrë amerikane” – Do të zëvendësojë Trudeau si kryeministër, kush është Mark Carney

Partia Liberale e Kanadasë ka zgjedhur me shumicë dërmuese Mark Carney si kryeministër të ri të vendit, teksa ish-guvernatori i...

Mix1 ditë më herët

Këto 5 shenja horoskopi janë magnet për suksesin

Disa njerëz duket se kanë një aftësi të lindur për të tërhequr fatin dhe suksesin, ndërkohë që të tjerët përpiqen...

Mix1 ditë më herët

Natalie Portman në një romancë dashurie

Natalie Portman  është në lidhje me muzikantin francez Tanguy Destable, konfirmoi People të premten. Media franceze Voici ishte e para...

Mix1 ditë më herët

Penelope Cruz: Jeta nis 50 vjeç!

Sapo ka kaluar pragun e gjysmë shekulli dhe duket se aktorja spanjolle nuk ndalet drejt qëllimit për të prekur të...

Aktualitet1 ditë më herët

Linda Rama në Samitin e Forbes në Abu Dhabi: “Shqipëria ka mësuar nga pësimet”

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Abu Dhabi u zhvillua samiti prestigjioz “Forbes 2025”, një ngjarje që mbledh...

Temporal1 ditë më herët

Çfarë është një intelektual?

Çfarë është një intelektual? Për këtë pyetje, nuk ka nevojë të endemi midis përkufizimeve të pranuara. E tëra çfarë ju...

Kioske1 ditë më herët

Opozita, akoma larg një projekti për rrotacionin e pushtetit

Shkruar nga Preç Zogaj Elita e partisë u la jashtë primareve. Një absurditet që goditi qysh në krye parimin e...

Facebook