Pagat e reja të gjyqtarëve e prokurorëve kanë bërë xhelozë deputetë e ministra, por nga ana tjetër peshojnë rëndë edhe në xhepat e shqiptarëve. Deri në vitin 2021, ato do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit më shumë se 46 milionë euro, duke përbërë edhe zërin kryesor të shpenzimeve për gjithë sistemin e drejtësisë.
Në analizën e shpenzimeve të Ministrisë së Drejtësisë për periudhën 4 vjeçare deri në vitin 2021 bie në sy dyfishimi i shpenzimeve për pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, bashkë me shërbimet mbështetëse në raport me vitet e mëparshme.
Diferenca e fortë bie në sy duke nisur nga 1 janari i vitit 2019, ku shpenzimet për paga në sistemin e drejtësisë kërcejnë në rreth 12 milionë euro, nga afërisht 5 milionë euro në 2018-ën apo vitet pararendëse.
Një diferencë kaq e fortë i detyrohet hyrjes në fuqi të pagave të reja për gjyqtarët e prokurorët nga 1 janari i vitit 2019.
Nëse më parë, paga mesatare për gjyqtarët dhe prokurorët shkonte nga 100 deri në 130 mijë lekë në muaj, pas 1 janarit 2019, paga mesatare kërceu në 280 deri në 380 mijë lekë në muaj.
Kjo i bëri magjistratët edhe zyrtarët më të paguar në administratën publike.
Kjo pasi, sipas disa deputetëve, duke llogaritur shtesat për vjetërsi pune, përqindjen për çdo fëmijë nën 18 vjeç, shtesën prej 40% të pagës për delegimin, vështirësitë etj., paga e një gjyqtari dhe prokurori i afrohet kuotës së 400 mijë lekëve në muaj.