Nëse atë ditë nuk do të mbante kryq në trup një shirit kuqezi, askush nga ne s’mund ta dallonte dot Rakip Sulin, kryebashkiakun e ri të Kamzës. E folmja krahinore, si pjesa dërrmuese e atyre njerëzve që gjendeshin në zyrën e boshatisur të Xhelal Mziut, përzier me një ngathtësi, në të shprehur e veprim, portretizonte një qeveritar lokal shqiptar; një model që e njohim, nuk e pëlqejmë, por çfarë t’i bëjmë.
I lindur në Dibër, 54 vjeç, i ardhur në jetën publike si një produkt i “Rilindjes” së Edi Ramës dhe ku zgjedhja e tij nuk duhet parë si një aksident që të revolton, as si humor që prodhon pushteti provincial, por si një fenomen i rrezikshëm i degradimit moral, ku pjesa më e madhe e drejtuesve të pushtetit lokal po vazhdojnë të vijnë nga skalionet e botës së parellinjve shqiptarë, me aksiomën ende në fuqi: të blejmë vota për të vjedhur Shqipërinë dhe, vjedhim Shqipërinë për të blerë vota.
Dhe, e zëmë për një çast, nëse nuk do të ekzistonte kjo aksiomë e shprehur më lart, atëherë pyetja që do të shtrohej do të ishte disa herë më e dhembshme, e ndoshta pikërisht për këtë, për faktin se mund të ishte shumë më e dhembshme nga sa ç’mendohet, njerëzit të të gjitha shtresave dhe niveleve, po vazhdojnë ende të pyesin: se çfarë bëjnë këta njerëz në paradhomën e pushtetit të Edi Ramës? Pikërisht këta tipa që vetë ai dikur, nga nëntëdhjeta në dy mijën, konician siç shfaqej, i përbuzte me patos.
Për të gjithë ata njerëz që po jetojnë këtë periudhë, e që pretendonin se kishin kaluar nga një kohë tjetër, akoma më e egër dhe më e vështirë nga sa mendonin, pyetje të tilla tingëllonin shpesh naive dhe, e kundërta, naivet, ktheheshin në dramatike. E tillë do të ishte, për shembull, pyetja se çfarë ka ndryshuar te Rama? Pasi njerëzit ende po vazhdojnë të habiten sa për shijet parazitare në përzgjedhjen e emrave për përfaqësimin e “Rilindjes” në pushtetin lokal, aq sa edhe për mungesën e një pezmi për marrjen me dhunë të pushtetit vendor në Shqipëri.
Rrjedhimisht, pyetje të ngjashme do të shtroheshin për të gjithë ne, të cilët jemi të detyruar të shohim vendosjen e qeverisë socialiste në pushtet vendor dhe ku askush s’e konsideron antikushtetuese e antieuropiane, si në thelb po aq edhe në mentalitet.
Gjatë kësaj kohe nuk besojmë se ka pasur ndonjë shqiptar që nuk ka bërë, qoftë dhe një herë të vetme, hamendësimin se si do të vepronte Rakip Suli, në qoftë se do të jetonte në liri? Hamendjet me gjasë do të ishin të larmishme. Disa njerëz, edhe pse nuk kanë aspak besim te ndjeshmëria njerëzore e tij, prapë se prapë do të mendonin se dyert e institucionit nuk do i shqyenin me leva dhe hamej, për të prodhuar një pamje aq trishtuese dhe agresive sa ç’ishte ajo, gjer te shumica, e cila, duke mos shkuar deri aty, do të mendonte se, sido që të vinte puna, Rakip Suli s’do të kandidonte gjallë në botë përballë Xhelal Mziut, edhe pse i krimbur në para, nëse nuk do të kishte me vete forcën e pushtetit politik.
Ishte një pamje trishtuese e një njeriu ajo që shfaqej gjatë betimit të tij si kryebashkiak i Kamzës, ku disa njerëz që kishin ardhur nga Tirana dhe që s’kishin asnjë lidhje me Kamzën, por që ishin pjesë e pushtetit të Edi Ramës, e shtonin edhe më tepër neverinë e asaj dite, duke mos dashur aspak të përmendim fjalorin e cungët, ku përveç fjalës “betohem”, asgjë tjetër s’u mor vesh nga ç’tha.
Shumë nga ne, të cilët, edhe pse janë të detyruar të ndjekin herë pas here zhvillimet në Shqipëri, sidomos ato paraqitjet spektakolare nga Kuvendi i Shqipërisë, që shfaqen përmes ekranit të televizorit, çdo ditë dhe çdo orë, emrin Rakip Suli s’e kishin dëgjuar kurrë. Për ta vërtetuar këtë, faqja online e Kuvendit, paraqet një llojshmëri deputetësh, që në zhargonin e së përditshmes etiketohen si “honxhobonxho”, të cilët gjatë mandatit nuk kanë dëgjuar asnjëherë as zërin e tyre në seancë, por vazhdojnë të mbajnë në xhep e në bordero kartonin e deputetit, të votuar verbërisht nga militantët e partive, por edhe me fenomenin e blerjes së votës, në zona me komunitete të varfra.
Një prej këtyre deputetëve, ishte edhe Rakip Suli. Sipas faqes zyrtare të Kuvendit, rezulton se në pesë vite e ca, të dy mandateve si përfaqësues i “Rilindjes”, bën pjesë në listën e 39 “deputetëve mumie”, të cilët nuk kanë folur asnjëherë në Parlament. Rasti i vetëm që i është dëgjuar zëri ka qenë data 17 mars 2016, i detyruar nga Rregullorja e Parlamentit, kur opozita i kërkoi Kuvendit heqjen e mandatit të tij si deputet, pas akuzave për fondet publike të OSHEE-së, që ishin marrë në favor të biznesit të tij “Aurora Group”, nëpërmjet një kontrate të paligjshme.
Siç shihet në biografinë e këtij njeriu nuk ka asgjë që mund të mbash shënim. Ka zëra që flasin për një biznesmen të suksesshëm, por që ka një transparencë zero. Suksesin më të madh në politikë e ka arritur me korrjen e një rezultati shumë pozitiv në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në njësinë nr. 11 në Tiranë, e cila deri atëherë konsiderohej një bastion i pashembur i së djathtës në kryeqytet.
Duke qenë ende të sigurt për këtë, se emri i tij nuk mishëron asgjë në kulturën tonë kombëtare, ka shumë shanse se për njëfarë kohe do të flemë të qetë dhe, se portreti i tij nuk do t’na figurojë asnjëherë në kartëmonedhat shqiptare.