Kalo: Enver Hoxha pinte 80 cigare në ditë para infarktit
Rrëfimet e mjekut të ish-diktatorit Enver Hoxha, të ardhura në librin “Blloku” nga botimet UET PRESS, janë promovuar në një takim me lexuesit e qytetit të Pogradecit.
Lajmi për këtë aktivitet u shoqërua me incidente, që nisën me grisjen e posterave të aktivitetit.
Nën një bashkëbisedim me Ilir Shytën dhe Alda Bardhylin, Kalo rrëfeu para të pranishmëve jetën e tij si mjeku i një prej njerëzve më të rëndësishëm të vendit. Ai risolli në kujtesë dhe ditët e kaluara me Enver Hoxhën në Pogradec, ku bënte pjesë në grupin e mjekëve që e shoqëronin.
Ai kujtoi sesi njerëzit e këtij qyteti mbushnin rrugët duke brohoritur. Pogradeci ishte një ndër qytetet e preferuara të diktatorit.
I pyetur se si ishte Enver Hoxha pacient, Kalo tha se ai u diagnostikua si i sëmurë me diabet në vitin 1948-të dhe vetëm pas infarktit të pare, gati 15 vite më vonë ai do të kthehej në një pacient shembullor, duke ndjekur këshillat e mjekëve. Enver Hoxha para infarktit pinte 80-të cigare në ditë e bënte një jetë sendetare. Pas infarktit ai nisi të ecte duke bërë shëtitje në Pallatin e Brigadave.
Kalo hodhi poshtë zërat se ky libër është shkruar për të mbrojtur familjen Hoxha. Sipas tij ishte një detyrim moral i tij për të shkruar të vërtetat e tij.
Kalo tha se deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga familja Hoxha dhe nuk e di se si mund të jetë pritur libri dhe shumë analiza të tij në ish-Bllok.