Deri në vitet 70 fjala celular nuk kishte fare të bënte me elektronikën apo telefoninë.
Mes përdorimeve të zakonshme, përveç atyre referuar qelizave (biologjike), ishte ai i furgonit të policisë për transportin e të burgosurve.
Fjala filloi të përdorej për telefonin e lëvizshëm në 1979, kur “The Bell System Technical Journal”, një revistë që shkruante për zhvillimet teknologjike, publikoi një artikull të titulluar “Koncepti i celularit” nga V.H. MacDonald. MacDonald.
Aty përshkruhet skema e një rrjeti telefonik të lëvizshëm që përbëhet nga qeliza, me mekanizmat elektronikë të vendosur në një distancë precize nga njëri-tjetri.
Në këtë mënyrë sinjali qëndronte konstant edhe kur telefoni lëvizte.
Por shpikja e skemës kishte ndodhur më parë.
Që në 1947 Douglas H. Ring dhe W. Rae Young, inxhinierë në “Bell Labs” dizajnuan një rrjetë me mekanizma elektronikë që e quajtën “skema celular”, sepse çdo mekanizëm elektronik me zonën e vet të mbulimit i ngjante një qelize biologjike.
Një rrjet i konceptuar kaq mirë, në praktikë, lejonte që telefonatat të zhvendoseshin nga një qelizë të tjetra, duke ndenjur në të njëjtin kanal.
Kjo është arsyeja se përse në fund, telefonat e lëvizshëm që përdorin rrjetë pa tela, u quajtën celularë.
Telefonata e parë me celular u bë në rrugët e Nju Jorkut më 3 prill të 1973-it, nga Martin Cooper (në foto), shpikësi i telefonit të lëvizshëm “AT & T”.
Fjalët e para të asaj bisede ishin: “Joel, po të telefonoj nga një telefon celular, një telefon i vërtetë celular, një pajisje e lëvizshme që mbahet në dorë, një telefon celular prej vërteti”.
Për të bërë atë telefonatë që hyri në histori përdori një aparat “Dyna-Tac” të peshës 1,3 kg, i pajisur me një bateri që mbante vetëm 30 minuta.