Lidhu me ne

Kryesore

Trarët që po zbrazin xhepat e shqiptarëve


Qeveria vjel nga taksa e qarkullimit prej shqiptarëve më shumë se sa dërgon për të ndërtuar rrugë dhe për mirëmbajtjen e tyre. Madje ajo ka marrë edhe miliona euro kredi për mirëmbajtjen dhe ndërtimin. Por sikur të mos mjaftojë kjo, ekzekutivi kërkon të vendosë taksë për përdorimin e disa prej akseve më të rëndësishme në vend. Lëvizja ka shkaktuar shumë zemërim. Flasin për MAPO Ornela Liperi, Klodian Tomorri, Pano Soko dhe Gjergj Erebara.

Nga Adi Darsi

Në vitin 2017 sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nga taksa e qarkullimit mbi karburantet janë marrë rreth 130 milionë euro. Ndërsa në vitin 2018 taksapaguesit shqiptarë çuan në arkën e shtetit 159 milionë euro. Paratë e vjela nga rrugët në të dyja vitet, janë përkatësisht shumë më tepër se ato që kanë shkuar për ndërtime të reja rrugësh dhe për mirëmbajtjen e tyre. Por si të mos mjaftonin këto shuma të mëdha, qeveria që prej vitit 2016 po punon mbi një plan, i cili parashikon që kalimi në 9 akset kryesore të vendit të bëhet me pagesë. Vitin e kaluar plani nisi të materializohet me koncesionin e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, ndërkohë që këtë vit pritet të mësojmë se sa do të jetë pagesa edhe në aksin Durrës-Tiranë. Me pagesë do të jetë edhe Rruga e Arbrit, e cila tashmë është në fazën e ndërtimit me një kontratë PPP. Por të ardhurat nga taksat edhe nga trau i vendosur tashmë në Rrugën e Kombit, nuk janë të vetmet para që rrjedhin në emër të rrugëve. Qeveria ka marrë miliona euro të tjera kredi për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e tyre.

Taksat dhe rrugët

Sipas shifrave të tatimeve në vitin 2018 janë grumbulluar 159 milionë euro taksa direkte për rrugët. Nga shuma e mësipërme 146 milionë euro u paguan nëpërmjet taksës së qarkullimit rrugor dhe mbi 4 milionë euro të tjera janë paguar taksa direkte nga rruga e Kombit (arkëtimet për rrugën e Kombit janë përllogaritur nga të ardhurat vjetore që përllogarit kompania në kontratë rreth 13 milionë euro). Ndërkohë sipas shifrave zyrtare të buxhetit të shtetit qeveria shqiptare ka harxhuar nga fondet e brendshme buxhetore për ndërtimin e dhe mirëmbajtjen e rrugëve dhe gjithçka që ka lidhje me to 123 milionë euro. Nga kjo shumë 8,1 miliardë u përdoren për të ndërtuar rrugë, 2,1 miliardë lekë u përdoren për rikonstruksion dhe pjesa e mbetur u përdor për të mbuluar emergjencat, për sinjalistikë, siguri etj. Siç shihet nga të dhënat zyrtare, të ardhurat nga taksat e drejtpërdrejta nga rrugët ishin 19 për qind më të larta se shpenzimet nga fondet e brendshme në rrugë. Por kjo nuk është një dukuri që ka ndodhur vetëm në vitin 2018. Situata e njëjtë ka qenë edhe në 2017, ku po sipas të dhënave të tatimeve nga taksa e qarkullimit janë grumbulluar rreth 130 milionë euro, ndërkohë që te rrugët kanë shkuar më pak. Vlen të thuhet se nga taksa e qarkullimit mbi karburantin tatimet marrin 10% të të ardhurave që ata grumbullojnë në një vit. Shifra është gjithmonë më e lartë se ajo që financat destinojnë për rrugët. Këtë raport të zhdrejtë mes asaj që paguhet dhe asaj që shkon te rrugët e ka vënë në dukje edhe Komisioni Europian nëpërmjet programit IPA. Në një raport të hartuar në vitin 2016 thuhet shprehimisht se “shpenzimet aktuale buxhetore për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar janë më të ulëta se, pagesat e përdoruesve të mbledhura nga taksat”.

“Trau në rrugë”, si një pagesë e dyfishtë

Qeveria pasi ka marrë edhe asistencën e ndërkombëtarëve ka vendosur që 9 nga akset kryesore të vendit të bëhen më pagesë për kalimin e çdo automjeti. Strategjia shqiptare e  taksimit të rrugëve e hartuar nga BERZH-i përllogarit që tarifat që duhet të paguajnë përdoruesit e automjeteve do të shkojnë nga 0,5 euro cent në 3,5 euro cent për kilometër. Strategjia e ka nisur aplikimin e saj në tremujorin e fundit të vitit që shkoi, kur nisi aplikimi i pagesës në Rrugën e Kombit ku sipas asaj që vendosën autoritetet në kontratën me koncesionarin tarifa për përdorimin e rrugës është e përshkallëzuar sipas llojit të automjeteve. Ndërkohë plani vijon edhe për këtë vit. Sipas rekomandimeve të bëra në strategjinë e sipërpërmendur për zbatim të menjëhershëm kërkohet vendosja e taksës në rrugën Tiranë-Durrës, Tiranë- Elbasan dhe Rruga e Arbrit që ende nuk ka përfunduar. Sipas tarifave të propozuara nga BERZH-i dhe llogaritjeve për koston minimale dhe maksimale të kalimit, një makinë pa TVSH që të përshkojë aksin Tiranë-Durrës duhet të paguajë 0,17 euro sipas tarifës minimale dhe 1,19 euro pagesa minimale. Për rrugën Tiranë- Elbasan, tarifat që llogariten variojnë nga 0,135 euro cent në 0,945 euro cent. Në Rrugën e Arbrit që ende nuk ka përfunduar, tarifat e taksimit për koncesion variojnë nga 0,375 euro cent në 2,625 euro cent. Në vijim në një fazë të dytë propozohet tarifimi për rrugën Levan-Vlorë dhe Durrës-Fier. Kostot e kalimit në rrugën Levan –Vlorë variojnë 0,121 deri 0.847 euro cent, ndërsa në rrugën Durrës- Fier pagesat variojnë nga 0,341 në 2,387 euro cent. Për zbatim në fazën e tretë rekomandohet taksimi për rrugën Elbasan- Kapshticë dhe Tiranë –Hani i Hotit..

Kredi edhe për mirëmbajtjen e rrugëve

Ndërtimi i rrugëve me kredi, shumë prej të cilave nga institucionet financiare ndërkombëtare ka qenë mënyra kryesore e financimit të tyre. Akset më të rëndësishme ashtu siç kanë përmirësuar transportin kanë “kontribuar” ndjeshëm edhe në rritjen e borxhit të jashtëm. Por që prej viti 2017, edhe pse në emër të rrugëve mblidhen 160 milion euro në vit, kreditimi është përdorur edhe në mirëmbajtjen e tyre. Bëhet fjalë për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore të Bazuar në Rezultate, ku kontratat janë nënshkruar në muajt e parë të 2017-s dhe katër kompani kanë marrë përsipër të mirëmbajnë 1335 kilometra rrugë për një afat 5-vjeçar. Aktualisht asnjëra prej tyre nuk ka bërë ndonjë ndërhyrje domethënëse në akse. Në këtë projekt ku përfshihet edhe konsulenca Banka Botërore ka dhënë një kredi prej 80 milionë dollarësh. Në total, vlera e projektit është mbi 156 milionë dollarë, ku pjesës së bankës i shtohet edhe kontributi i qeverisë. Por ecuria e projektit nga vetë donatori në një raport të prillit 2018 vlerësohet si “lehtësisht jo i kënaqshëm”. “Përgatitja e projektit dhe punët rehabilituese janë vonuar. Kontratat aktuale zbatojnë aktivitetet që lidhen me mirëmbajtjen për të siguruar një nivel minimal shërbimi për sigurinë dhe mirëmbajtjen e rrugëve” – thuhet në raportin e Bankës Botërore e cila njoftoi se për katër kompanitë e kontraktuara deri më tani ka disbursuar 9.18 milionë dollarë.

Ku shkojnë paratë?

Qeveria ka tagrin që me paratë e taksave të ndërtojë një buxhet, dhe t’i dërgojë ato atje ku e shikon të nevojshme. Pra, nëse paratë e rrugëve nuk shkojnë të gjitha atje këtë e vendos qeveria. Por duket se në këtë rast taksat për rrugët vetëm sa kanë emrin, pasi në mirëmbajtjen e tyre po angazhohen gjithnjë e më shumë pagesat direkte dhe kreditë. Atëherë ku shkojnë paratë e taksave? Asnjëherë nuk është problem shpenzimi i tyre, aq më tepër nga qeveritë shqiptare. Në buxhet për shembull nuk është parashikuar një pagesë prej më shumë se 100 milionë euro që qeveria duhet të paguajë pas një gjyqi të humbur së fundmi në arbitrazh, përballë një sipërmarrësi italian. Më shumë se dyfishi i asaj shume është fatura e një tjetër arbitrazhi të humbur me kompaninë çeke të energjisë CEZ. Dhe paratë përveçse nga buxheti nuk kanë se nga dalin tjetër. Faturat e gjobave janë vetëm njëra nga vrimat e zeza që thith paratë e buxhetit, që ndryshon rëndom destinacionin e tyre. Ka edhe një tjetër burim të madh humbjesh që në rastin e rrugëve është më i ndjeshëm se kudo: korrupsioni. Rasti i tenderimit të 2 km rrugë në Unazën e re të Tiranës për 40 milionë euro është treguesi se në çfarë mënyre flagrante fondet e rrugëve gërryhen edhe nga brenda. Ka edhe një tregues tjetër. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës në “Raportin e Monitorimit 2018” shpenzimet faktike për ndërtimin e rrugëve ishin rreth 15 miliardë lekë nga të cilat rreth 9 miliardë lekë financimin i brendshëm dhe 6.3 miliardë lekë financim i huaj. Shifrat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës tregojnë se për të njëjtën kategori rruge, kosto e financimit me fonde të brendshme është 10 herë më e lartë se me fonde të huaja. Shifrat konfirmojnë për korrupsion të pastër me paratë e taksave.

Nëse nuk hiqet taksa e qarkullimit, qeveria do i vjedhë qytetarët e saj

Ornela Liperi

Shqiptarët paguajnë sot çmimin e naftës me prej rreth 1.43 euro/litër, që është i 13-i më i shtrenjtë në botë, sipas të dhënave të Global Petrol Price (të përditësuara në 13 maj), në nivel të njëjtë me shtete si Suedia, Zvicra, Hon Kongu, që kanë të ardhura për frymë shumë më të larta sesa ne. Një nga arsyet kryesore lidhet me taksat e larta që ngarkohen mbi naftën, të cilat reflektohen në çmimin final.

Sa herë që blejnë një litër naftë, shqiptarët paguajnë 32.4 lekë si taksë qarkullimit, ose rreth 18% e çmimit final që sot paguajmë për karburantin. Në vitin 2018, vetëm nga taksa e qarkullimit buxheti ka arkëtuar rreth 160 milionë euro, që duhet të ishin përdorur për mirëmbajtjen e rrugëve. Destinacioni i kësaj takse nuk është bërë asnjëherë i ditur dhe transparent, pasi ai kryesisht përdoret për nevoja të tjera.

Të ardhurat që mblidhen nga kjo taksë janë të mjaftueshme të mbulojnë shpenzimet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve. Për të njëjtën periudhë qeveria shqiptare ka harxhuar nga fondet e brendshme buxhetore për ndërtimin e dhe mirëmbajtjen e rrugëve dhe gjithçka që ka lidhje me rrugët 15,4 miliardë lekë (123 milionë euro), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës. Nga kjo shumë 8,1 miliardë u përdorën për të ndërtuar rrugë, 2,1 miliardë lekë u përdorën për rikonstruksion dhe pjesa e mbetur u përdor për të mbuluar emergjencat, për sinjalistikë, siguri etj.

Ndaj është emergjente që qeveria të bëjë transparencë se ku kanë shkuar këto taksa që ajo prej vitesh po i mbledh përmes taksës së qarkullimit dhe nëse do të vendosë që rrugët të bëhen me pagesë, duhet të heqë këtë taksë, përndryshe kemi të bëjmë me një vjedhje të hapur të qytetarëve të vendit.

Koncesioni Tiranë-Durrës, zero transparencë nga qeveria

Gjergji Erebara

Ne e kemi të vështirë të gjykojmë mbi të mirat dhe të këqijat e një kontrate koncesionare për Autostradën Tiranë-Durrës për shkak se qeveria shqiptare zakonisht ka transparencë zero.

Ky aktuali i prezantuar në media është një plan tërësisht jotransparent pa kurrfarë llogaridhënieje dhe pa kurrfarë mundësie për të gjykuar mbi kostot dhe përfitimet e taksapaguesve. Në rastin e parë, atë të rrugës së Kombit, e vërteta është se kontrata ka klauzola sekrete, të cilat nuk janë bërë publike, dhe për të cilat ne nuk jemi në gjendje të gjykojmë nëse kontrata sjell apo jo përfitime publike. E vetmja gjë që na mbetet të bëjmë në situata të tilla është që të besojmë ose të mos besojmë se qeveria na e do të mirën. Pra, nëse kontratat mbahen sekret, dhe kostot e përfitimet mbahen të panjohura për ne, neve na duhet të mbështetemi te supozimi se qeveria është shumë e ndershme dhe bën çdo gjë në të mirën tonë.

Është anormale që kontrata të tilla afatgjata të mbahen sekret dhe është normale të dyshosh se taksapaguesi do të jetë i humbur nga kontrata të tilla sekrete. Për më tepër, nuk është se jemi vetëm ne si qytetarë që dyshojmë se kontrata të tilla janë të dëmshme. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, që është një institucion me ekspertizë të lartë në këto punë, kërkon që Shqipëria të mos japë kontrata të tilla koncesionare.

Pastaj në rang teorik ne mund të diskutojmë pa fund mbi të mirat dhe të këqijat e rrugëve të privatizuara apo rrugëve me pagesë. Teoritë aktuale sugjerojnë se privatizimi i rrugëve apo objekteve të tjera të infrastrukturës kyçe nuk sjell të mira për shkak të konfliktit të brendshëm mes interesit afatshkurtër të privatit për maksimizimin e fitimit dhe interesit afatgjatë të shoqërisë për zhvillim të qëndrueshëm. Shih p.sh., kontratën e koncesionit të aeroportit të Rinasit. E vërtetë, Shqipëria mori një terminal të ri. E vërtetë gjithashtu, interesi normal i koncesionarit për të maksimizuar fitimet e veta ka penalizuar të gjithë zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

Shqipëria ka problem kryesor korrupsionin e gjithëpërhapur në çdo qelizë të administratës publike. Në këtë nivel korrupsioni, është e paarsyeshme të harxhojmë kohë duke shqyrtuar të mirat apo të këqijat hipotetike të një kontrate koncesioni.

Koncesioni “Tiranë-Durrës”, po gatuhet një aferë

Klodian Tomorri

Katër vjet më parë qeveria shqiptare pajtoi një kompani të njohur greke për të hartuar Strategjinë Kombëtare të Rrugëve me Pagesë. Për 6 muaj Egnatia Odos studioi të gjithë rrjetin rrugor të Shqipërisë dhe në fund dorëzoi raportin, në të cilin listoheshin akset potenciale për t’u bërë me pagesë si dhe tarifat përkatëse, që duhet t’u ngarkoheshin qytetarëve. Sipas raportit, niveli i tarifave të kalimit në rrugë duhet të varionte nga 0.01 euro për kilometër deri në 0.035 euro për kilometër. Kjo e fundit është gjykuar nga konsulenti si nivel maksimal i tarifës së kalimit që mund të përballojnë qytetarët shqiptarë. Pra, e thënë ndryshe kompania konsulente i sugjeroi qeverisë që në një rrugë me gjatësi 100 kilometër, tarifa e kalimit për automjetet duke përfshirë dhe tatimin mbi vlerën e shtuar nuk duhet të ishte më e lartë se 3.5 euro në rastin më të keq.

Por rekomandimi u thye që herën e parë. Në koncesionin e autostradës Milot-Morinë, një segment me gjatësi totale 116 kilometër, qeveria e vendosi tarifën e kalimit 5 euro, pra 25 për qind më të rëndë se sa niveli maksimal i përballueshmërisë që sugjeroi konsulenti. Vendosja e tarifës mbi nivelin e përballueshmërisë, çoi në zemërimin e qytetarëve kuksianë. E gjendur përballë protestave, qeveria lehtësoi tarifat e kalimit për përdoruesit e shpeshtë të rrugës, por koston e transferoi sërish në buxhet duke ua ngarkuar të gjithë qytetarëve.

Skenari i Milot-Morinë po përsëritet, madje këtë herë edhe më i rëndë. Pak ditë më parë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaroi se në vjeshtë qeveria do të nisë procedurat për të bërë me pagesë aksin më të rëndësishëm rrugor të vendit, Superstradën Tiranë-Durrës.

Në fakt, ideja për të bërë me pagesë rrugën Tiranë-Durrës, është lakuar që nga vitet 2000. Por gjatë gjithë kësaj kohe, ajo ka qenë thjesht ide dhe asnjëherë qeveritë që kanë qenë në pushtet, nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap konkret për ta realizuar. Situata ndryshoi vitin e kaluar.

Në kulmin e valës së koncesioneve rrugore, diku nga fundi i vitit të kaluar në Ministrinë e Infrastrukturës mbërriti një propozim i pakërkuar për të marrë me koncesion rrugën Tiranë-Durrës. Propozuesi ishte një kompani indiane e quajtur Kanoria, por pas saj qëndrojnë edhe dy kompani shqiptare; Albstar dhe Trema Inginiering. Sipas ofertës së pakërkuar të koncesionit, ky konsorcium do të investonte një shifër rreth 150 milionë euro për ta zgjeruar rrugën me dy korsi shtesë dhe në këmbim do të vendosej një tarifë kalimi nga 2 deri në 5 euro për çdo automjet, në varësi të madhësisë së tij. Rruga Tiranë-Durrës është 34 kilometra e gjatë në total. Sipas propozimit të konsulentit tarifa maksimale e kalimit në këtë rrugë nuk duhet të ishte më shumë se 1 euro për kalim në të gjithë distancën e saj, por tarifa e kërkuar nga kompania private ishte të paktën 2 herë më e lartë se sa niveli maksimal. Pavarësisht tarifës së kripur qeveria u vu në lëvizje. Por e vënë nën presion nga FMN dhe publiku për valën e koncesioneve rrugore, qeveria u detyrua që të bëjë përkohësisht një hap pas duke miratuar një draft, i cili rrëzon automatikisht çdo ofertë të pakërkuar pas datës 1 korrik. Projektligji pritet që shumë shpejt të kalojë edhe në seancë plenare duke rrëzuar ofertën e pakërkuar për rrugën Tiranë-Durrës.
Përballë këtij ngërçi, qeveria po e ringjall projektin përmes një manovre tjetër. Ajo që ka lindur si ofertë e pakërkuar nga privatët, tani po shpallet si thirrje e vetë shtetit. Gjasat janë që koncesioni i rrugës Tiranë-Durrës të përfundojë në duart e ofertuesit të pakërkuar, dhe po me të njëjtën tarifë kalimi, 2 euro për automjetet e thjeshta dhe 5 euro për autobusët dhe mjetet më të rënda. Një tarifë të paktën 2 herë nga niveli më i rëndë i propozuar nga konsulenti, që do u ngarkohet qytetarëve në kurriz, përmes një koncesioni që i bie ndesh edhe Kushtetutës. Shqiptarët paguajnë 160 milionë euro në vit si taksë qarkullimi te karburantet, mbi këtë do të paguajnë tarifa kalimi në akset me kyç të vendit. Pra, 2 pagesa për të njëjtin shërbim, edhe pse Kushtetuta e ndalon qeverinë të taksojë dy herë të njëjtën gjë.

Dhe ky është një biznes marramendës. Në rrugë kalojnë 50 mijë mjete në ditë, që do të thotë se janë të paktën 50 milionë euro në vit të ardhura të garantuara për privatin.

Pano Soko: Po vuajmë pasojat e keqqeverisjes

Flet për Mapo, ekonomisti dhe aktivisti i njohur

Kur paguajmë 160 milionë euro në vit taksa për rrugët, vendosja e traut të pagesave a nuk përbën një taksim të dyfishtë?

Vendosja e një pagese për rrugët e ndërtuara me kontribut publik, për të cilat gjithashtu paguhen taksa për mirëmbajtjen e tyre, gjithmonë përbën taksim të dyfishtë. Ekziston një parim në programimin buxhetor, sa herë që kemi vendosjen e një takse të re, specifikohet nevoja e fondit pse po vendoset taksa – ku do përdoren këto lekë dhe sasia e fondit e projektuar në kohë (pra, jo thjesht për një vit, por për një periudhë afatgjatë). Kur u vendos taksa e qarkullimit, u vendos me qëllim rritjen e fondit që përdorej për mirëmbajtjen e rrugëve, pasi taksa e regjistrimit që mblidhej deri në atë kohë (taksa që paguajmë tek kolaudimi i makinës çdo vit) nuk siguronte të ardhura të mjaftueshme. Dhe aty u analizua projeksioni sesi taksa e qarkullimit do të mbushte me fonde nevojën për mirëmbajtje në periudhë afatgjatë. Sa më shumë do të rritej numri i makinave, aq më shumë do rritej sasia e karburantit të përdorur, aq më shumë lekë do mblidheshin nga taksa e qarkullimit, duke mbuluar nevojat për mirëmbajtje rrugësh pa pasur nevojë për shtesë taksash të reja. Vendosja e një takse të re shkel parimin buxhetor dhe vendos një taksë të dyfishtë për të njëjtin shërbim, çka është një shkelje në dëm të qytetarëve. Qytetarët i kanë paguar një herë lekët e mirëmbajtjes së rrugëve. Është detyrë e qeverisë t’i menaxhojë ato. Çdo keqmenaxhim është përgjegjësi. Qytetarët nuk duhet të paguajnë, duhen gjetur problemet dhe përgjegjësit.

A është e nevojshme taksa (trau) në kushtet kur qeveria për ndërtim dhe mirëmbajtje rrugësh harxhon më pak?

Në asnjë mënyrë qytetarët nuk duhet të paguajnë më për mirëmbajtjen e rrugëve. Janë rreth 200 milionë Euro që paguajnë çdo vit për mirëmbajtje, 160 milionë te Taksa e qarkullimit dhe 40 milionë te Taksa e regjistrimit. Ato e tejkalojnë disafish sasinë e fondeve që nevojiten për mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve në Shqipëri, që në rastin më të keq shkon në rreth 8 miliardë lekë të rinj ose rreth 60 milionë Euro, sipas studimit që vetë qeveria së bashku me Bankën Botërore ka bërë me këtë rast.

A është e drejtë që paratë e marra nga taksapaguesit për rrugët të mos shkojnë në destinacionin e tyre?

Çdo lek që përdoret jashtë destinacionit për të cilin është gjeneruar, është shkelje e parimit të mirëmenaxhimit buxhetor. Dhe si e tillë qeveria duhet të marrë masa për rregullim. Absolutisht nuk duhet ndryshuar destinacioni. Të marrësh lekët e mirëmbajtjes së rrugëve dhe t’i përdorësh për pagesën e PPP-ve, pastaj t’iu kërkosh lekë shtesë qytetarëve për rrugët duke ua bërë me pagesë është politikisht imorale.

A ka lidhje ky ndryshim destinacioni të parave të taksave edhe me faturat e kripura të gjyqeve të humbura në arbitrazh, siç ishte ky i fundit me pronarin italian të një televizioni?

Faturat e gjyqeve është njëra nga komponentet e devijancave në destinacionin e taksave. Përveç tyre janë edhe PPP-të, deficiti i skemës së fondeve speciale dhe më konkretisht ai i skemës së pensioneve që po rritet për shkak të largimeve masive të rinisë etj. Në thelb të gjitha janë pasoja të keqqeverisjes.

A është i drejtë taksimi, kur nuk ka rrugë alternative si në rastin e Rrugës së Kombit?

Rasti i koncesionit të Rrugës së Kombit është një rast flagrant në shkelje të Kushtetutës, pasi aty shkelet parimi i lëvizjes së lirë të shtetasve brenda territorit të vendit. Fakti që nuk kemi sot një Gjykatë Kushtetuese ka pamundësuar rrëzimin e kësaj nisme, por që në momentin e parë që Gjykata Kushtetuese do të ngrihet, ajo iniciativë do të rrëzohet pa diskutim./Mapo.al

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix2 orë më herët

“Kush guxon të flasë kundër sistemit e pëson” – Influencerit Andrew Tate i sekuestrohen 3.4 milionë dollarë

Policia britanike mund të sekuestrojë afro 2.7 milionë paund (3.4 milionë dollarë) nga influenceri AndrewTate dhe vëllai i tij Tristan...

Radar2 orë më herët

Mandarina shqiptare bllokohet nga BE

Sistemi Europian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria. Përgjatë javëve të fundit, Kroacia,...

Mix2 orë më herët

VIDEO/ Parashqevi Simaku shfaqet me një pamje të tjetërsuar, çfarë surprize po përgatitet?

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka rrëmbyer vëmendjen e medias dhe të qytetarëve. Tashmë videot e saj janë virale...

Mix2 orë më herët

Video / Donald Trump shfaqet me model të ri flokësh

Një video që tregon presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, me një model flokësh dukshëm të ndryshëm, është bërë...

Radar2 orë më herët

Evi Kokalari hedh dyshime: Gjithë historia e Parashqevi Simakut, është inskenuar nga Fevziu dhe Elton Ilirjani

Evi Kokalari ka reaguar për videon virale të këngëtares Parashqevi Simaku, e cila më pasu u kthye në temë e...

Radar2 orë më herët

Lufta e Tretë Botërore ka nisur, ajo po zhvillohet në Ukrainë!

Shkruar nga Eva Hartog Sot, trupat në të dyja anët e vijës së konfliktit komunikojnë në spanjisht, nepalisht, hindu, somalisht,...

Mix24 orë më herët

Këto janë 3 shenjat më “tradhtare” të Horoskopit

A duhet të mos u besoni? Në internet qarkullon një studim sipas të cilit këto janë shenjat “që mund të...

Radar1 ditë më herët

Humbëm të gjithë nga pak në cirkun e klikimeve

Zallamahia që pushtoi hapësirën virtuale të shqiptarëve kudo ku jetojnë ka nisur të bjerë, dhe kur të jetë shuar përfundimisht,...

Mix1 ditë më herët

Nëse hani shumë sheqer, më shumë do vuani nga depresioni!

Një studim i botuar në Journal of Translational Medicine zbulon se konsumi më i lartë i sheqerit lidhet me një...

Mix1 ditë më herët

Ozempic vrau dietën dhe ushtrimet!

Burimi: The Atlantic Mjekët mbase nuk duan ta pranojnë, por përdorimi i Ozempic dhe barnave të tjera GLP-1 po i...

Facebook