Lidhu me ne

Kryesore

Poshtë komunizmi! Rrofshin komunistët!

Komunistët e rinj ndryshojnë nga të vjetrit, sepse vetëquhen jokomunistë. E këta jokomunistë të rinj janë më të rrezikshëm se të vjetrit.

Prof. dr. David Luka

Kemi pothuaj tridhjetë vjet që flasim e diskutojmë për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj komunizmit, por qëllimisht harrohet ana tjetër po kaq e rëndësishme, çfarë qëndrimi duhet të mbajmë ndaj (ish)-komunistëve. Sepse komunizmi ka 30 vjet që ka cof, atij vetëm i dëgjohet era e keqe, ndërsa komunistët, të cilët nuk kanë qenë pak po plot 100 mijë “petrita”, “komunista lule”, me të cilët Shqipëria mbylli “historinë e kuqe”, i kemi përditë mes nesh. Dhe tanimë dihet që komunistët nuk dorëzohen lehtë, sepse “S’ka kala që nuk marrin komunistët!”. Dhe për fat të keq ngjan që ata ka kohë që kalanë e kanë marrë nga brenda e nga jashtë, madje pa luftuar fare, duke dëshmuar se në trurin e tyre ka të formatuar vetëm një program, atë të Partisë së Punës.

Sistemi komunist në Shqipëri ka qenë i organizuar në mënyrë të përsosur. Ai kontrollonte jo vetëm krejtësisht jetën ekonomike e politike të vendit, por shtrihej deri në qelizat më të vogla të jetës sociale, në familje e deri në jetën private të njerëzve. Në strukturën e këtij organizimi, organizatat-bazë të partisë ishin celulat e para të takimit me njerëzit. Që nga këto organizata e deri në Komitetin Qendror të partisë, vigjilonin komunistët, të cilët kishin tagrin e drejtimit të vendit.

Pyetja e parë që shtrohet dhe problemi numër një që është diskutuar e vazhdon të diskutohet ende sot e kësaj dite është ky: A kishte komunistë të ndershëm? Përgjigjja kërkon analizë. Partia e Punës udhëhiqej nga filozofia marksiste-leniniste, që mbështetej në dy shtylla kryesore: në luftën e klasave dhe në diktaturën e proletariatit. Kjo ishte vija e saj politike, e cila do të mbrohej me çdo kusht. Ai që e shkelte, ishte armik dhe dënohej në mënyrë shembullore. Po që të mbroje këtë vijë politike etj., duhej doemos të kishe një botëkuptim të ngushtë e një përgatitje të dobët kulturore. Kjo ishte njëra anë. Tjetra, komunistët duhet të zgjidheshin nga shtresat e varfra të popullsisë e mundësisht prej atyre njerëzve që nuk e kishin aspak në qejf punën, përkundrazi, duhet të ishin sa më halabakë e intrigantë që të mund të valltonin në këto organizata, të cilat ngjisnin si fole grerëzash.

Qenia komunist ishte e vetmja mundësi për të bërë karrierë. Në çdo institucion të vendit, qoftë në jetën civile, qoftë në ushtri e kudo gjetkë, mund të ecje përpara jo duke qenë i aftë për ta kryer punën e ngarkuar, por detyrimisht duke qenë komunist ose prej rrethi komunistësh. Biografia ka qenë elementi i parë që kërkohej për punësimin e njerëzve. E kjo biografi ishte e domosdoshme duke nisur nga pretendimi për marrjen e karrocës në një kooperativë bujqësore. Sepse karroca, në krahasim me punën në fushë, ishte më e zgjedhur. E pikërisht për këtë pretendentët nisnin të gërmonin në biografinë e kundërshtarëve për t’i eliminuar ata. Këtë mënyrë veprimi e përkrahte vetë partia, veçanërisht nëpërmjet fletërrufeve, të vendosura në sheshet kryesore, ku bëhej radioskopia e njëri-tjetrit. Çdo vend pune kalonte në filtrin e organizatës-bazë të partisë, ku diskutohej deri në hollësi për personin që do të zgjidhej apo emërohej. Kjo ishte filtra e dukshme. Më pastaj kalonte në një tjetër filtër edhe më të shpeshtë, në atë të organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilët jepnin vizën e fundit. Kishte pra kaq shumë filtra sa në asnjë mënyrë nuk mund të kalonte ndokush i padëshiruar.

Komunisti, para se të bëhej i tillë, kalonte tri vjet në stazh, ku vihej në provë besnikëria e tij ndaj mësimeve të partisë. Ai, po qe nevoja, mund të padiste të vëllanë, motrën apo babanë, mund të ndante gruan etj., po ta kërkonin interesat e partisë. Çdo komunist i mirë duhej të ishte edhe çekist (“bashkëpunëtor vullnetar i Sigurimit të Shtetit”) i mirë. Ai jo vetëm duhet t’i shërbente partisë me të tërë forcën e vet,  por të besonte edhe broçkulla që nuk i hante as qeni, si p.sh. se Mehmet Shehu na paska qenë poliagjent dhe se vetëm vigjilenca e madhe e partisë nuk e paska lejuar atë të diktohej, sepse pikërisht kjo vigjilencë e paska penguar të zbatonte planet e errëta të vetat.

Me shuarjen fizike të klasave, lufta klasore duhet të shtrihej edhe në ideologji, ndaj atyre që e mbartnin këtë. E po të shtohej këtu edhe kompleksi i inferioritetit (komunistët ishin gjithnjë inferiorë në të gjitha vlerat njerëzore ndaj atyre që do t’i udhëhiqnin), kuadri përmbyllej për bukuri. Në organizatat e partisë në fshat p.sh. zgjidheshin pikërisht më dembelët e më halabakët e katundit, që sorollateshin gjithë ditën rrugëve, sepse nuk ishin mësuar të punonin. Ata të parët dorëzuan tokat e marra nga reforma agrare dhe u futën në kooperativat bujqësore, duke zënë natyrisht vendet drejtuese. Në shkollat e fshatit asnjë komunist nuk kishte arsim përkatës të plotë. E pikërisht këta udhëhiqnin punën e të tjerëve, shumica e të cilëve e kishin arsimin përkatës. Në çdo qelizë të jetës, në çdo institucion gjendja paraqitej pak a shumë e njëjtë. Komunistët përfaqësonin pjesën më të prapambetur e më të keqe të shoqërisë shqiptare, gjithsesi më pak të kulturuar, më agresive e më keqdashëse. Për këtë kujdesej edhe vetë partia. Tani komunistët nuk ishte nevoja të mbaronin shkollat përkatëse, por “shkollat e partisë”, lloj mejtepesh komuniste ku përgatiteshin kuadrot që do të udhëhiqnin e drejtonin vendin. Kjo gjendje paraqitej e njëjtë deri në Komitetin Qendror të Partisë, ku aftësia intelektuale e anëtarëve të tij (duke përfshirë edhe byronë e famshme politike), ishte skandaloze. Dhe pikërisht ky “njeri i prishur”, që në atë kohë ishte mbiquajtur “Lej Fen”, qe pagëzuar “njeriu i ri”, paraqitej “si vepra më e shkëlqyer e partisë” dhe trumbetohej me të madhe në parulla të mëdha e me drita, zakonisht mbi çatitë e ndërtesave të komiteteve të partive në rrethe. Kjo “monstër”, pjellë dështake e partisë, shartesë hibride e injorancës dhe e veseve të këqija, e brumosur me ideologjinë e partisë, që nxiste të keqen, dhunën e konfliktet, gjente mishërimin më të qartë te komunistët, të cilët duhet të kryenin në mënyrë shembullore vetëm një veprim, të ruanin me çdo kusht e me çdo mjet të paprekur vijën e partisë. Të tjerat ishin të gjitha të dorës së dytë.

Në vazhdën e kohëve dikush qe aq i zgjuar sa të kujtonte se me këtë armatë komunistësh mediokër, të formuar mbi bazën e “moralit komunist” e “humanizmit socialist”, nuk mund të ecej më asnjë hap përpara. Në anën tjetër po rriteshin fëmijët e kuadrove kryesore, të cilët, falë “meritave” të baballarëve, po studionin edhe jashtë shteti. Partia nisi të kuptojë se i duhej një shtresë intelektualësh për të zgjatur “vazhdimësinë” e saj. Tani në këtë shtresë të re, gjithsesi më e kulturuar se e vjetra, po dilnin pinjojtë e rinj të partisë, të cilëve u duhej hapësirë për të vepruar. Mirëpo, të vjetrit nuk i lëshonin lehtë pozicionet. Atëherë filloi një luftë e re shtresash, e cila përfundonte në shumicën e rasteve në favor të të vjetërve. Në këtë situatë nisi përmbysja e komunizmit në Shqipëri. Tani gjithkush që e ka jetuar atë kohë e kupton mirëfilli se komunistë të ndershëm as ka pasur, as nuk mund të kishte as teorikisht e as praktikisht. Po të dilte ndonjë i tillë, partia i tregonte vendin jo vetëm atij, po krejt soj e sorollopit të tij.

Pas vitit 1990, këta komunistë, të vjetrit e më të rinjtë, meqenëse kurrkush nuk i ngacmoi, u inkuadruan për bukuri në jetën e sotme politike e sociale. Veçanërisht intelektualët e rinj, të përgatitur prej partisë, e cila edhe e lejoi këtë dukuri, sepse e kishte ndier mirë rrezikun që po i kanosej, zunë vendet drejtuese në demokracinë e re. Nuk është pra aspak për t’u habitur që drejtuesit e parë të Partisë Demokratike ishin pothuaj pa përjashtim me teserat e Partisë së Punës ndër xhepa kur e themeluan atë. Nuk është aspak e rastit që për të qetësuar studentët e ngritur në protestë, Ramiz Alia thërret Sali Berishën, në atë kohë sekretar i Partisë së Punës. Nuk është aspak e rastit që Frrok Çupi me shokët e tij, që themeluan të parën gazetë demokratike, kishin punuar në “Zërin e popullit”, e vazhda mund të zgjatej pa mbarim. E  këta të rinj kishin trashëguar që në lindje të tyre mikrobin e komunizmit.

A duhej mbajtur qëndrim ndaj këtyre “komunistëve”, të rinj e të vjetër? Duhet të jesh tepër dritëshkurtër për të mos e kuptuar këtë situatë. Duhej doemos që komunistëve t’u hiqej “roli drejtues”, përndryshe Shqipëria nuk do ta ndërtonte kurrë demokracinë e vërtetë. Kjo jo vetëm nuk u bë atëherë, por as që ka ndërmend të bëhet edhe sot e kësaj dite. Dhe s’ka si të ndodhte ndryshe kur në krye të shtetit të parë demokratik shqiptar udhëhiqte e drejtonte jo më një komunist i thjeshtë, por një sekretar partie.

Ata që me zell i kanë shërbyer komunizmit me veprat e tyre, tani po na dalin nëpër emisione televizive, duke na habitur pa masë me analizat që u bëjnë veprave letrare e muzikore të asaj kohe. Thuhet se vetëm teksti i këngëve të asaj periudhe paska qenë mediokër dhe i politizuar, ndërsa muzika paraqitka një ndër arritjet e autorëve të tyre, madje duke krijuar edhe shkollën e muzikës së lehtë shqiptare, që sipas specialistëve të sotëm të muzikës, paraqet një “hibrid” të paarrirë të realizmit socialist, sa kohë që në vendet e tjera praktikoheshin zhanre të ndryshme, të cilat në Shqipëri qenë të ndaluara. Gati çdo ditë nëpër ekranet e televizorëve, veçanërisht atyre lokale, na shfaqen filmat e kohës së komunizmit, shpesh duke i paraprirë me një reklamë të bujshme për çështjet etike që ato trajtojnë, për paraqitjen e jetës shqiptare të asaj kohe që na paska qenë e lumtur etj., etj., duke i çmuar ato si vepra artistikisht të arrira edhe për lojën e autorëve, të cilët megjithëse paskan punuar mbi tekste të dobëta dhe mbi skenarë, që nuk paraqitkan të vërtetën, prapëseprapë paskan vlera artistike të spikatura.

Kam pas mbetur i habitur pa masë kur ish-presidenti ynë i nderuar, z. Bamir Topi, pati dekoruar me urdhra e medalje të nivelit më të lartë disa prokurorë, gjykatës e hetues të kohës së komunizmit. Siç mësuam nga disa ish të burgosur politikë, një pjesë prej të dekoruarve paskëshin qenë drejtpërdrejt urdhëruesit e vendimeve (deri me vdekje) ndaj këtyre të burgosurve. Kjo ngjan si pika më e nxehtë e kësaj logjike të mbrapshtë që përmblidhet në shprehjen: “Poshtë komunizmi!”, “Rrofshin komunistët!” Për fat të keq kjo logjikë (përkat. politikë) nuk mbaron këtu. Ajo, po për fat të keq, përfshin të gjithë jetën e veprimtarinë politike, shoqërore, kulturore etj., të vendit.

Komunizmi në Shqipëri nuk është shkulur nga rrënjët. Ai vetëm është krasitur e më pas është lënë qëllimisht në harresë. Si pemë e egër që është, ai nisi të nxjerrë filiza, të cilët u rritën, duke u shumuar e duke mbushur krejt vendin. Tani ky pyll vështirë të pritet. Ky është realiteti i sotëm.

Ata që ndërmorën lëvizjet demokratike të viteve ‘90, kanë qenë të gjithë komunistë me tesera partie në xhep. Janë po këta komunistë të rinj që morën drejtimin e shtetit shqiptar. Se si po qeveriset sot Shqipëria, tashmë e di gjithkush. Dhe janë po këta komunistë të rinj që kanë dalë gjithnjë të fituar. Ata kanë vila, makina, pasaporta diplomatike etj. Kanë pushtetin dhe dinë ta mbajnë. Qeverisin duke i dhënë popullit të hanë përqindje, duke i bindur se i pret një e ardhme e ndritur. Për këtë rrisin pensionet 2.8%, me të cilat mund të blihen tri kg presh i njomë. Sepse ne edhe bar do të hamë, po “Rilindjen” nuk do ta lëshojmë!

Partia Demokratike, që ka marrë përsipër udhëheqjen e protestave popullore për rrëzimin e qeverisë Rama II, së pari duhet të sigurojë besimin e popullit. Sepse do të ishte e papranueshme që kjo parti të jetë kaq e papërgjegjshme e kaq e paorganizuar sa të mos jetë e zonja të hartojë as një listë deputetësh, besnikë të saj. Mund të gabosh në një a dy raste, po jo të ndodhë që kryetari i partisë të një qarku të madh, jo vetëm të mos u bindet vendimeve të partisë së vet, po edhe të vjellë kaq shumë helm e vrer kundër saj, sa të bën të besosh që listat e deputetëve janë hartuar me krye në thes. Dhe nuk është hera e parë, e dytë a e tretë, që të zgjedhurit e partisë demokratike dalin tradhtarë.

Ta zëmë se E. Rama ua vodhi votat! Po ju çfarë bëtë? Mirë që nuk e zutë me dorë më, po të paktën ta kishit denoncuar me kohë. Po u kujtuat pas dy viteve!

Nuk rrëzohet Rama me frymën e shenjtë. E as me protesta pa kokë e pa fund. Pushteti nuk merret me çdo kusht e me çdo formë. Nuk bashkëpunohet me këdo për ta marrë e as për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht! Sepse dardha e ka bishtin prapa! Ndërkaq është mirë, që në rrugën e nisur të protestave, të mbani parasysh mësimet e përvojën e historisë. Sepse: “Nuk ka lëvizje revolucionare pa situatë revolucionare!”

Ndërkaq shemri juaj, shoku Edi Rama, ua ka hedhur dorezën dy herë, së pari duke ju treguar se atij dhe të së shoqes nuk keni çfarë t’i bëni, veçse “t’i hani atë që nuk thuhet!” dhe, së dyti, duke ju akuzuar se “nuk keni hallate!”. Se si vepron shqiptari në të tilla raste, dihet. Po ju deri më tashti jeni treguar trima vetëm duke ulëritur: “Rama ik! Rama ik!”. Mirëpo, ai nuk e ka ndërmend të ikë. Sepse s’ka kala që nuk marrin komunistët! Dhe ne të tjerët nuk po marrim vesh nëse keni, apo nuk keni hallate!?

Pikërisht në këtë situatë m’u kujtua një thënie e hershme kuptimplotë: “Grave dhe kombeve nuk u falet që të bien në dorë të çdo aventurieri që u del para!”.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix24 minuta më herët

”Televizioni po shkon drejt llumit” – Alketa Vejsiu ‘përballet’ me Dalina Buzin: Po ‘Andale’ yt çfarë është?

Në podcastin e Alketa Vejsiut, Dalina Buzi, producente dhe një figurë e njohur e televizionit shqiptar, ka dhënë mendimin e...

Mix3 orë më herët

Syzet inteligjente Ray-Ban Meta tani përkthejnë në kohë reale

Lajme nga Meta për syzet e saj inteligjente. Kompania e Mark Zuckerberg në fakt ka njoftuar se Ray-Ban Meta është...

Kryesore4 orë më herët

Shkrihet Bindja Demokratike

Fotomontazh – Fabjan Topollaj dhe Astrit Patozi Partia Bindja Demokratike është drejt shkrirjes. Sipas informacioneve që disponon CNA, pretendohet se...

Mix4 orë më herët

Rezultatet zyrtare: Ja sa banorë ka Kosova në vitin 2024 ?

Në Kosovë jetojnë 1,602,515 banorë. Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Agjencisë të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati,...

Mix8 orë më herët

“Kush guxon të flasë kundër sistemit e pëson” – Influencerit Andrew Tate i sekuestrohen 3.4 milionë dollarë

Policia britanike mund të sekuestrojë afro 2.7 milionë paund (3.4 milionë dollarë) nga influenceri AndrewTate dhe vëllai i tij Tristan...

Radar8 orë më herët

Mandarina shqiptare bllokohet nga BE

Sistemi Europian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria. Përgjatë javëve të fundit, Kroacia,...

Mix8 orë më herët

VIDEO/ Parashqevi Simaku shfaqet me një pamje të tjetërsuar, çfarë surprize po përgatitet?

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka rrëmbyer vëmendjen e medias dhe të qytetarëve. Tashmë videot e saj janë virale...

Mix8 orë më herët

Video / Donald Trump shfaqet me model të ri flokësh

Një video që tregon presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, me një model flokësh dukshëm të ndryshëm, është bërë...

Radar8 orë më herët

Evi Kokalari hedh dyshime: Gjithë historia e Parashqevi Simakut, është inskenuar nga Fevziu dhe Elton Ilirjani

Evi Kokalari ka reaguar për videon virale të këngëtares Parashqevi Simaku, e cila më pasu u kthye në temë e...

Radar8 orë më herët

Lufta e Tretë Botërore ka nisur, ajo po zhvillohet në Ukrainë!

Shkruar nga Eva Hartog Sot, trupat në të dyja anët e vijës së konfliktit komunikojnë në spanjisht, nepalisht, hindu, somalisht,...

Facebook